E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron landfill-in në komunën Bushat, investim me vlerë 500 milionë lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të landfill-it në komunën Bushat, investim i qeverisë shqiptare, me vlerë rreth 500 milionë lekë dhe me kapacitet prej 130 ton në ditë. Në këtë landfill është parashikuar depozitimi i mbeturinave për zonat e qarkut të Shkodrës e të Lezhës, ndërsa menaxhimi i tij do të bëhet nga kompania gjermane Becker Albania.

Ndërsa vlerësoi që komuna Bushat mirëpriti këtë investim, Kryeministri Berisha ftoi të gjithë kryetarët e komunave e bashkive të vendit që ta vlerësojnë me seriozitetin më të madh pastrimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane. “Sado që të investojë qeveria, pa qëndrimin aktiv të kryetarëve të komunave dhe bashkive ky problem nuk mund të zgjidhet”, u shpreh Kryeministri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller –Holtkemper, ministri i Punëve Publike dhe Transporteve z. Sokol Olldashi, ministri i Mjedisit z. Fatmir Mediu, etj.

Me gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, t'ju përgëzoj për inaugurimin sot të këtij landfill-i, një investim me vlerë rreth 500 milionë lekë nga qeveria shqiptare. Ky landfill rajonal nis punën pas një kontrate me një kompani gjermane, me traditë të gjatë dhe të shkëlqyer në menaxhimin e mbetjeve urbane, siç është kompania Becker Albania. Ky është fillimi më i mirë, ndërtimi shoqërohet me menaxhimin më të mirë nga një kompani me eksperiencë të madhe.

Zonja dhe zotërinj,

Çështja e mbetjeve urbane apo, të flasim hapur, e plehrave është themelore për vendin dhe shoqërinë tonë. Kjo është një çështje, e cila kërkon trajtimin më serioz, pasi më shumë se me çdo gjë tjetër ka të bëjë me shëndetin e fëmijëve tanë, me shëndetin tonë; më shumë se çdo gjë tjetër ka të bëjë me imazhin dhe me emrin tonë. Unë dua të përgëzoj kryetarin e komunës Bushat dhe këshillin e komunës, të cilët kanë marrë një vendim të mençur, kanë mirëpritur investimin e qeverisë në ndërtimin e këtij landfill-i.

Të dashur banorë të Bushatit,

Besoj se të gjithë biem dakord se detyra për pastrimin e shtëpisë është gjithnjë e të zotit të shtëpisë, e atyre që banojnë aty. Ndaj, jam këtu për tu bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave e të bashkive të vendit: ta vlerësojnë me seriozitetin më të madh pastrimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane. Qeveria po investon dhe do të investojë, janë 24 milionë euro investim në mbarë vendin, është përfunduar landfill-i i Rubikut; është përfunduar rindërtimi i landfill-it të Tiranës, në bashkëpunim me Cooperacionin Italian; dje u firmos marrëveshja me qeverinë gjermane për landfill-in e qytetit të Korçës; po ndërtohet landfilli i Vlorës, i Durrësit, i Sarandës, por sado që të investojë qeveria, pa qëndrimin aktiv të kryetarëve të komunave dhe bashkive ky problem nuk mund të zgjidhet, ky problem bëhet gjithnjë e më i madh. Po të kemi parasysh se vitin e kaluar, këtë vit dhe vitet që vijnë Shqipëria nuk do të jetë më 3.5 milionë, por do të jetë 7, 8 apo 9 milionë, së bashku me vizitorët e saj. Ne jemi të detyruar që  vetes dhe atyre tu paraqesim një mjedis dhe një vend të pastër. Çfarëdo që të bëjmë ne, të ndërtojmë infrastrukturën më moderne dhe atë do ta ndërtojmë, po ndërtojmë vilat më të bukura dhe do vazhdojmë t’i ndërtojmë, Shqipëria do të ecë me shpejtësi drejt një vendi të zhvilluar, por një Shqipëri me plehra buzë rruge, në qytete dhe në fshatra, buzë kanaleve e buzë ujerave, është një Shqipëri problematike.

Ndaj dhe thirrja ime, edhe një herë, për mbarë qytetarët e këtij vendi është: le ta konsiderojmë detyrë kryesore që ashtu siç mbajmë të pastra shtëpitë tona, siç mbajmë të pastra lokalet, klubet, kafenetë dhe restorantet tona, për të cilat kemi krijuar emër shumë të mirë, të bëjmë çdo gjë dhe të mbajmë të pastër çdo rrugë dhe çdo pjesë të territorit të këtij vendi. Është në vullnetin tonë, në dorën tonë, që të ecim me shpejtësi drejt një vendi të zhvilluar. Shqipëria nuk është më një vend i varfër. Ata që e mendojnë të varfër duhet të rregullojnë orën, sepse e vërteta është që Shqipëria është vend me të ardhura të mesme të larta. Dhe, ju e keni bërë këtë. Mundi dhe lumenjtë tuaj të djersës kanë bërë që ne të ngjitemi lart, por ne duhet të ngjitemi në grupin e vendeve të zhvilluara. Të ngjitemi në grupin e vendeve të zhvilluara do të thotë të bëjmë gjithçka për të shndërruar në vlera pasuritë tona.

Zoti Hila, unë dua t’ju përgëzoj ju dhe fermerët e komunës Bushat, të cilët  vitin e kaluar kanë eksportuar sasi kolosale të prodhimeve të tyre bujqësore në Kosovë dhe më gjerë. Unë ju bëj thirrje të shfrytëzojmë çdo potencial për të krijuar të ardhura, në mënyrë që të ecim drejt shndërrimit në realitet të ëndrrës tonë - Shqipëria vend i zhvilluar.

Edhe një herë ju përgëzoj për përfundimin me sukses të kësaj vepre të rëndësishme. Ju përgëzoj për marrëveshjen që keni nënshkruar. Nuk duhet të harrojmë kurrë se menaxhimi më i shkëlqyer është menaxhimi privat.

Edhe një herë, urimet më të mira!

Faleminderit!”


20/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›