E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Një nga objektivët më madhorë të këtij mandati, realizimi i një regjistri solid të pasurive të paluajtshme në vend

-          Brenda majit të vitit 2013, do të kemi pasqyrën dixhitale të Shqipërisë aktuale, në njerëz, në banesa, në prona, si një kusht shumë i domosdoshëm për realizimin e projektit “Shqipëria vend i zhvilluar”

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në prezantimin e projektit “Regjistrimi i tokës dhe sinjalistika rrugore në bregdetin jugor të Shqipërisë”. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian në vlerën 1.5 milionë euro, si dhe me fonde shtesë të qeverisë greke, qeverisë zvicerane dhe qeverisë çeke, ndërsa zbatimi i tij realizohet nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm Kryetari i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadori Ettore Sequi, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, drejtues të institucioneve që trajtojnë çështjet e pronave, etj.

Kryeministri Berisha falënderoi me shumë mirënjohje Komisionin Evropian dhe qeveritë e tjera donatore në këtë projekt, si dhe falënderoi Prezencën e OSBE-së në Tiranë për angazhimin në zbatimin e këtij projekti. OSBE, theksoi Kryeministri, ka krijuar një eksperiencë të çmuar, pas përfundimit të projektit me ekspertizën e saj të Regjistrit të Gjendjes Civile.

Kryeministri shprehu besimin e plotë, se me gjithë kompleksitetin e pamohueshëm, ky projekt do të jetë një histori suksesi, ashtu siç ka qenë një histori tjetër suksesi Regjistri i Gjendjes Civile. Ky projekt është i një rëndësie nevralgjike për problemin e pronësisë në tërësi në vend, për ekonominë e tregut dhe zhvillimin e turizmit, tha ai.

Kryeministri theksoi se regjistri i pronave të paluajtshme përbën në të gjithë axhendën dixhitale të qeverisë, objektivin e parë dhe më madhor. Në këtë kontest, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, por së shpejti edhe me qeverinë austriake, qeveria ka përcaktuar si objektiv përfundimin e  regjistrit të pasurive të paluajtshme, nga sot deri në maj të vitit 2013. Gjithashtu, paralel me të, do të jetë censusi i popullatës, një proces që përfshin regjistrimin jo vetëm të qytetarëve, por dhe regjistrimin e banesave. Brenda majit të vitit 2013, do të kemi pasqyrën dixhitale të Shqipërisë aktuale, në njerëz, në banesa, në prona, si një kusht shumë i domosdoshëm për realizimin e projektit të të gjitha projekteve të Shqipërisë dhe shqiptarëve, projekti “Shqipëria vend i zhvilluar”, vijoi Kryeministri.

Projekti për regjistrimin e tokës në një zonë turistike kyçe të Shqipërisë, ka për qëllim të kompletojë regjistrimin e parë të pronës dhe të përditësojë regjistrimin ekzistues për rreth 60.000 prona në zonat bregdetare të vendit.  Realizimi i këtij procesi do të nxisë dhe rrisë potencialin turistik dhe investimet në këtë zonë. Projekti përfshin gjithashtu dhe sinjalistikat e reja rrugore në të gjithë zonat e bregut jugor.  

Projekti mbledh dhe proceson të dhëna në lidhje me pronat dhe lehtëson pjesëmarrjen  e publikut në një proces transparent që u siguron institucioneve shtetërore informacionin e duhur për të përcaktuar me saktësi dhe mbrojtur të drejtat e pronave. Të gjitha dokumentet dhe hartat e mbledhura dhe gjeneruar prej këtij projekti do të dërgohen tek Zyra e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme.

Në fjalën e tij të plotë në këtë aktivitet, Kryeministri Berisha tha:

“Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja e zotërinj

Së pari, dëshiroj të falënderoj me shumë mirënjohje Komisionin Evropian, taksapaguesit e vendeve anëtare, si dhe qeverinë greke, qeverinë zvicerane e qeverinë çeke, për donacionin e tyre për një nga regjistrat më themelorë të vendit, regjistrin e tokës, në zonën bregdetare të jugut të vendit.

 Dua të falënderoj gjithashtu praninë e OSBE-së në Tiranë për angazhimit në zbatimin e këtij projekti. OSBE ka krijuar një eksperiencë të çmuar pas përfundimit të projektit me ekspertizën e saj të Regjistrit të Gjendjes Civile. Kjo përbën një nismë tjetër shumë të rëndësishme. Regjistri i pasurive të paluajtshme, në vlerësimin tim, pas regjistrit të Gjendjes Civile, është regjistri i dytë më i rëndësishëm i shtetit dhe vendit.

Ky regjistër, në një farë mënyre, është dhe regjistri themelor i sistemit që bazohet në pronën private apo pronën shumëformëshe dhe ekonominë e tregut. Përpjekje të shumta po bëhen për finalizimin e këtij regjistri. Pronat e paluajtshme të përzgjedhura, apo territori i përzgjedhur nga ky projekt, i financuar nga BE dhe vendet mike dhe i zbatuar nga Prezenca e OSBE, duhet të pranojmë që janë njëkohësisht në një nga zonat më problematike, por edhe më të rëndësishme të vendit.

 Problematika e krijuar në këto zona vjen si rrjedhojë e një përplasjeje midis Kodit Civil dhe ligjit të ndarjes së Tokës. Kjo përplasje ka bërë që progresi në drejtim të certifikimit dhe të regjistrimit të jetë më modest, më diskret sesa në zona të tjera. Por, nga ana tjetër, zhvillimet kanë sjellë dhe çdo ditë e më shumë po sjellin një vetëdije, në domosdoshmërinë e regjistrimit të pronësisë dhe zhvillimit të potencialeve të jashtëzakonshme që ekzistojnë në njërën prej zonave turistike më mahnitëse të Mesdheut. Në këtë kontekst, ky projekt është i një rëndësie nevralgjike për problemin e pronësisë në tërësi në vend, për ekonominë e tregut dhe zhvillimin e turizmit.

Unë kam besim të plotë, se me gjithë kompleksitetin e pamohueshëm, ky projekt do të jetë një histori suksesi, ashtu siç ka qenë një histori tjetër suksesi Regjistri i Gjendjes Civile.

 Zonja e zotërinj,

Regjistri i pronave të paluajtshme përbën   në të gjithë axhendën dixhitale të qeverisë, objektivin e parë dhe më madhor sot. Në këtë kontest, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, por së shpejti edhe me qeverinë austriake, qeveria ka përcaktuar një objektiv; të mobilizojë të gjitha resurset njerëzore e financiare, teknike e të gjithanshme, për të përfunduar regjistrin e pasurive të paluajtshme, nga sot deri në maj të vitit 2013. Ky mandat ka këtë si një nga objektivët më madhorë. Ne jemi të bindur dhe disponojmë të gjitha mjetet dhe mundësitë që të realizojmë dhe të kemi njërin nga regjistrat më solid të pasurive të paluajtshme në vend. Siç ju e dini, paralel me të, do të jetë censusi i popullatës. Procesi profshin regjistrimin jo vetëm të qytetarëve, por përfshin dhe regjistrimin e banesave. Pra, ky proces do të bëhet në tërësi dhe brenda majit të vitit 2013, do të kemi pasqyrën dixhitale të Shqipërisë aktuale, në njerëz, në banesa, në prona. Mendoj se kjo përbën një kusht shumë të domosdoshëm për realizimin e projektit të të gjitha projekteve të Shqipërisë dhe shqiptarëve, projekti “Shqipëria vend i zhvilluar” .

 Ky regjistër, ky dokumentacion përbën një bazë shumë të domosdoshme, një inkurajim shumë të madh për investimet jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe në të gjitha fushat e tjera.

 Ndaj, duke shprehur besimin e plotë në suksesin e këtij projekti, dua edhe njëherë me shumë mirënjohje të falënderoj Komisionin Evropian, taksapaguesit e vendeve anëtare, qeveritë respektive të vendeve mike për këtë donacion të çmuar, të falënderoj prezencën e OSBE-së në Tiranë për angazhimin dhe përkushtimin në zbatimin e këtij projekti, i cili, shpreh bindjen, se do të jetë në histori e vërtetë suksesi. Faleminderit”.


21/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›