E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pritet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

29 qershor 2012
Prishtinë, Kosovë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, është pritur sot në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi të rëndësishëm e miqësor, Kreu i Shtetit, Bamir Topi, duke shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, shprehu bindjen në intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha nivelet e në të gjitha drejtimet.

Me këtë rast, Presidenti Topi vuri në pah progresin e jashtëzakonshëm të shtetit të ri të Kosovës, rolin e rëndësishëm të drejtuesve më të lartë të tij, si dhe dëshirën dhe vullnetin e institucioneve kosovare për të shënuar arritje të suksesshme sidomos në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe përmirësimit cilësor të jetesës së mbarë shoqërisë. “Shteti i ri dhe populli i Kosovës, - u shpreh Presidenti Topi gjatë takimit, - kanë mundur të ndërtojnë në këto katër vite pavarësie një shtet multietnik të bazuar mbi respektimin e të drejtave të të gjitha pakicave dhe me institucione kushtetuese të konsoliduara”.

Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit vlerësoi veçanërisht përpjekjet e vazhdueshme të organit më të lartë legjislativ, Kuvendit të Kosovës, për të krijuar ligje bashkëkohore e të paanshme, “çka përbëjnë themelin e çdo shoqërie demokratike”.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtat pikëpamje lidhur me rëndësinë e përafrimit të legjislacionit, si një mënyrë efikase për bashkëpunim më të ngushtë institucional e parlamentar, jo vetëm mes Shqipërisë e Kosovës, por edhe me vendet e tjera të rajonit, si proces që kontribuon në projektimin e të ardhmes së përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke shprehur kënaqësinë e veçantë të këtij takimi, si dhe duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Presidentit Topi në të gjitha progreset e zhvillimet demokratike të shtetit shqiptar, shprehu urimet për marrjen nga Shqipëria të Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke nënvizuar se “suksesi i Presidencës shqiptare në këtë mision të parë do të kontribuojë dukshëm në përmbushjen e objektivave të rëndësishme të saj, si dhe do të jetë një mbështetje e vyer edhe për proceset zhvilluese të Kosovës”.

Gjithashtu, Kryeparlamentari Krasniqi, duke theksuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona, vuri në dukje se në të njëjtën kohë “duhet të realizohen sa më shpejt e sa më drejtë negociatat Kosovë-Serbi, në mënyrë që të gjitha vendet e rajonit të sigurojnë paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›