E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpallet ‘Qytetar Nderi” i Komunës së Gjakovës

30 qershor 2012
Gjakovë, Kosovë

Në mesditën e sotme, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi në krye të delegacionit zyrtar vizituan Komunën e Gjakovës ku u pritën në mënyrë madhështore nga Kryetari Pal Lekaj si dhe nga kryetarët e Komunave Prishtinë, Prizren, Pejë, Drenas dhe Skënderaj si dhe nga qindra qytetarë, të cilët i dhuruan një mirëseardhje të ngrohtë e vëllazërore Kreut të Shtetit shqiptar.

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar me këtë rast, Kryetari i Shtetit shqiptar dekoroi Komunat e Gjakovës, Skënderajt dhe Pejës me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me këtë motivacion: “Për rolin historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, për ndjenjat e larta patriotike dhe liridashëse, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.

Komunën e Drenasit, Presidenti Topi e dekoroi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin e mëposhtëm: “Për rolin historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, në veçanti për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ndjenjat e larta patriotike dhe liridashëse, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.

Ndërsa Komunën e Prizrenit, Kryetari i Shtetiti shqiptar e nderoi po me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, por me motivacionin: “Për rolin historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare dhe kurorëzimin e saj me Lidhjen e Prizrenit, për ndjenjat e larta patriotike dhe liridashëse, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Topi theksoi: “Çdo vizitë në Kosovë është emocionale, por ditë të tilla japin shumë emocione të mëdha. Së pari për borxhin e madh moral e qytetar ndaj kësaj pritje thellësisht vëllazërore, të vëllezërve e motrave në Prishtinë, në Prekaz, në Glogjan e këtu në Gjakovë; dhe së dyti sepse fati e deshi të përshkoj nga afër dje e sot komuna e vende, të cilat gjatë historisë sonë kombëtare na kanë bërë të ndjehemi përherë krenarë. Çdo pëllëmbë e Kosovës është e mbushur me histori ndaj kudo që të shkosh, këto që të takosh, ndjen nderimin e thellë për pjesën e kombit që për mese një shekull përjetoi sakrifica të jashtëzakonshme për të arritur synimin e merituar: shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.

Emocioni bëhet i veçantë edhe nga nderimi zyrtar që ju më bëtë sot, duke më pranuar në qytetarinë tuaj, dhe kjo padyshim, është një nga dhuratat e vlerësimet më të larta për të cilën ndjehem thellësisht mirënjohës dhe krenar. Gjakova dhe Malësia e Gjakovës kanë një vend të nderuar në historinë e shtetit të Kosovës, shtetit dhe kombit shqiptar. Brezat e rinj të sotëm mësojnë në tekstet shkollore detaje, të dhëna dhe dëshmi të panumërta të qëndresës tuaj kombëtare, kontributit të madh të qytetarëve të kësaj treve historike për liri, çlirim, pavarësi dhe identitet shqiptar.

Emrat e të parëve tuaj gjenden me germa të arta në memoriet e pavdekshme të shekujve më parë, në shpalljen e pavarësisë më 1912, në luftërat çlirimtare, në rezistencën shumëvjeçare kundër pushtuesit serb. Shumë prej jush dhe të afërmve tuaj janë dëshmitarë aktivë të luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe protagonistë të ndërtimit të Kosovës të re, demokratike, të lirë dhe evropiane. Historia do t’ju jetë përjetësisht mirënjohjes, ndaj edhe unë sot, me cilësinë e kryetarit të shtetit shqiptar, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë dhe krijimit të shtetit, për të gjitha këto merita dhe kontribute, kam vendosur të nderoj ju dhe disa komuna të tjera të Kosovës, me urdhrin më të lartë simbolik, urdhrin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Vëllezër e motra!

Gjatë pesë viteve të fundit kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej shtetit shqiptar në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës. Midis qindra takimeve, vizitave dhe bisedave zyrtare dhe publike, kudo dhe me këdo, Kosova ka qenë e mbetet pjesë themelore e agjendës presidenciale dhe e shtetit amë shqiptar. Kufijtë kanë rëndësinë e tyre por jetët, problemet, hallet, emocionet e dashurinë midis vëllezërve të një gjaku nuk e ndajnë asnjë kufij apo asnjë vendim administrativ. Ne jemi pjesë e përbashkët e gjithçka je që përfaqëson e simbolizon kombi shqiptar, qenia shqiptare, historia e shkuar dhe e ardhmja jonë evropiane.

Sot ne kemi fatin të jemi të lirë, të shkëmbejmë vizita, mendime dhe të krijojmë lidhje aktive në çdo fushë të organizimit shoqëror e politik. Dikur Gjakova ka qenë burimi kryesor furnizues për shumë qytete të verilindjes së Shqipërisë, sot është koha dhe janë të gjitha mundësitë që kjo përvojë pozitive të kthehet, të pasurohet dhe qytetet tona të krijojnë lidhje të forta shkëmbimi në tregje, në ekonomi, në zhvillimin bujqësor, në kulturë, në shkëmbimet midis të rinjve nxënës e studentë, në sport dhe kudo tjetër.
Gjakova ka qenë e mbetet qendra e Malësisë së Gjakovës, cilësim që do të thotë shumë dhe që meriton vëmendjen më të madhe nga dy qeveritë dhe dy shtetet tona.

Unë kam besim tek forca krijuese dhe udhëheqëse e brezit tuaj udhëheqës në komuna dhe jetën publike, kam besim tek energjitë e mëdha dhe aftësia juaj e sprovuar për të qenë të suksesshëm në biznes, në ekonomi dhe në dije e kulturë, sepse besimin më të madh na e sjell forca e kurajë e juaj e jashtëzakonshme, me të cilën ju përballuat të kaluarën dhe pasojat e dhunës, shkatërrimeve dhe krimeve të regjimit të Millosheviçit, duke e shndërruar sot Gjakovën, Prizrenin, Peja, Skënderajn dhe gjithë Kosovën, në një vend të lirë, vend demokratik, ku jetohet, punohet dhe projektohet vizioni evropian dhe atlantik.

Shqipëria është krenare me arritjet e Kosovës, me historinë tuaj të suksesit dhe si dje, sot e gjithmonë do të jetë në krahun tuaj për të dhënë çdo ndihmë që ju kërkoni, në rrugëtimin e përbashkët në interes të dy shteteve dhe të kombit shqiptar.

Edhe njëherë ju falënderimit për vlerësimin e lartë!
Faleminderit Gjakovë dhe sot e mot, fëmijët e mi e dinë se babai i tyre ka fatin të jetë qytetari më i ri i Gjakovës.”

Duke shprehur mirënjohjen për nderin dhe vlerësimin e bërë, Kryetari Pal Lekaj e shpalli Presidentin Topi “Qytetar Nderi” të Gjakovës”:“Për mbështetje të fuqishme të proceseve për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Për kontribut të jashtëzakonshëm dhe lobim në qarqet diplomatike për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Për avancimin e iniciativave të zhvillimit demokratik në rajon”.

Në përfundim të vizitës shtetërore, Presidenti Topi vendosi në shenjë nderimi kurora me lule në Parkun e qytetit të Gjakovës në Rrugën “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›