E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Arjan Dodbiba

15 janar 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, ngushëllon familjarët e gazetarit dhe skenaristit Arjan Dodbiba.

“Të dashur familjarë të të ndjerit Arjan Dodbiba,

Mësova me dhimbje e trishtim lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë të njeriut tuaj të dashur, gazetarit të njohur Arjan Dodbiba.

Në kujtesën e teleshikuesve, miqve e kolegëve Arjani mbetet simbol i gazetarit të talentuar e me shumë përvojë, që lëvroi në dy dekadat e fundit me shumë profesionalizëm e dashuri, zhanrin e reportazhit e dokumentarit televiziv, duke nxjerrë në pah vlerat më të mira shqiptare në fushën e kulturës, dijes e atdhedashurisë.

Dëshiroj t’u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve, bashkëshortes e djalit, që humbën njeriun e tyre të shtrenjtë, si dhe miqve e kolegëve të medias, që nuk e kanë më mes tyre gazetarin e skenaristin e përkushtuar, që sillte në ekranin e vogël copëza të jetës së shqiptarëve brenda e jashtë vendit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›