E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të koreografit të mirënjohur Agron Aliaj

17 maj 2012

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të koreografit të shquar dhe ish-udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Agron Aliaj.

“Të dashur familjarë të të ndjerit Aliaj,

Në këto momente tepër të vështira për ju, më lejoni të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të thellë dhe t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Me këtë rast dëshiroj të shpreh njëkohësisht konsideratën më të lartë personale dhe institucionale për profilin e lartë profesional, por dhe njerëzor, të profesorit të pasionuar të baletit dhe babait e bashkëshortit shembullor!

Në kujtesën e të gjithë artdashësve shqiptarë, të atyre që për dekada të tëra ndoqën, vlerësuan dhe duartrokitën veprat koreografike, që me përkushtim të madh u vunë në skenat shqiptare e të huaja nga baletmaestri Aliaj, do të mbeten përherë të skalitura në mendjet e shqiptarëve dhe do të jenë shembull i papërsëritshëm i çuarjes përpara të profesionit të vështirë e të bukur të baletit nga brezat e ardhshëm.

Më lejoni dhe njëherë të shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjarët, miqtë e kolegët e të ndjerit Agron Aliaj! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”– theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›