E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasanin dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Presidenti Topi, pasi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, bëri një përshkrim të reformave kryesore të ndërmarra në Shqipëri, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ecurisë së reformës në sistemin gjyqësor, konsolidimit dhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese me qëllim nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, pasi vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla mes institucioneve të pavarura kushtetuese, theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe më gjerë në fushën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve të të gjitha llojeve do të kontribuojë në konsolidimin e shtetit të së drejtës, ruajtjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura, të demokracisë shqiptare, por dhe në rolin e rëndësishëm që luan Shqipëria dhe faktori shqiptar në Ballkan për paqen dhe stabilitetin në rajon e më tej.

Kreu i shtetit shprehu gjithashtu besimin se Kosova do të vazhdojë të jetë e suksesshme, pas krijimit të një shteti të ri demokratik e shumëetnik, që të ndërtojë e të konsolidojë institucionet e veta të pavarura kushtetuese, të cilat do të mbrojnë ligjin dhe interest e të gjithë banorë të Kosovës, pavarësisht nga përkatësitë etnike. Në këtë sfidë të vështirë, Shqipëria do të jetë një mbështetëse e fuqishme edhe në të ardhmen në përpjekjet e Kosovës për integrim në familjen evropiane dhe atë euroatlantike duke ndarë me të edhe përvojën tonë të vlefshme integruese.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, pasi e vlerësoi këtë takim si mjaft të rëndësishëm dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën e Shqipërisë, siguroi Kreun e shtetit shqiptar për vazhdimësinë e proceseve të vendit të tij në drejtim të reformimit dhe konsolidimit të drejtësisë dhe forcimit të institucioneve, si dhe shprehu gatishmërinë e Kosovës për të t’u bërë pjesë sa më shpejt e strukturave euro-atlantike dhe evropiane.

Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadori kosovar në vendin tonë,Gazmend Pulaj si dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Vladimir Kristo.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›