Kryeministri Berisha: Viti 2010, një erë e re në fushën e investimeve
Shqipëria ju detyrohet juve, mirësisë, angazhimit dhe investimeve tuaja, faktin se ne e mbyllem vitin 2009 si vendi i vetëm në Evrope me rritje ekonomike.
Ne po ristrukturojmë Albinvest, Agjencinë e Investimeve të Huaja direkte dhe po mundohemi ta transformojmë në një lloj One Stop Shop-i.
Së bashku me Bankën Botërore po punojmë për një sistem të ri të inspektoratit.
Kryeministri Berisha përshëndeti dje pasdite takimin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA), organizuar me rastin e fillimit të aktivitetit për vitin 2010.
Kryeministri Berisha, duke falënderuar anëtarët e FIAA-s për angazhimin dhe kontributin e tyre në zhvillimin e vendit, tha se Shqipëria e mbylli vitin 2009 si vendi i vetëm në Europë me rritje ekonomike dhe e konsideroi vitin 2010 si vitin e një ere të re në fushën e investimeve.
“Së bashku kemi shumë arsye për të qenë mirënjohës ndaj vitit 2009. Ne mbyllëm vitin më të stuhishëm për financat botërore, por unë mendoj se ju ia dolët më mire, sesa investitorët në çdo vend tjetër. Shqipëria ju detyrohet juve, mirësisë, angazhimit dhe investimeve tuaja, faktin se ne e mbyllem vitin 2009 si vendi i vetëm në Evrope me rritje ekonomike,” u shpreh Kryeministri.
Në këtë aspekt, Kryeministri theksoi se në kohën e 'cunamit' botëror, bankat private në Shqipëri treguan forcën e tyre, ato ishin dhe janë me likuiditete, janë të shëndetshme dhe kanë një performancë shumë të mirë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal në veçanti në dy nga reformat e mëdha të qeverisë shqiptare, me synim krijimin e një klime gjithnjë e më të favorshme për investimet, duke e vlerësuar këtë si një proces kompleks, por jetësor për Shqipërinë: reforma në fushën e investimeve të huaja direkte dhe ajo në sistemin e inspektorateve.
“Lidhur me investimet e huaja direkte, - tha Kryeministri - ne po ristrukturojmë Albinvest, Agjencinë e Investimeve të Huaja direkte dhe po mundohemi ta transformojmë në një lloj One Stop Shop-i. Por Shoqëria juaj mund të ishte Albinvesti më i mirë, në disa aspekte. Prandaj, unë kërkoj ndihmën, angazhimin dhe mbështetjen tuaj për promovim e potencialeve të Shqipërisë në vendet tuaja, si edhe t’i tregoni partnerëve tuaj historitë tuaja të suksesit dhe disa nga ju janë më të suksesshmit në Europë. Po marr një shembull që ndodhet edhe në vende të tjera, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve. Ky fond u krijua nga Shtëpia e Bardhë në të gjitha vendet ish-komuniste të lindjes, por në asnjë vend nuk u shënua një sukses më i madh, sesa në Shqipëri.”
Si reformën e dytë të rëndësishme, Kryeministri vlerësoi reformën e inspektorateve. “Së bashku me Bankën Botërore po punojmë për një sistem të ri të inspektoratit, që kontrollon ligjin në mënyrën më të ligjshme. Mua më erdhi keq, kur pashë sesa ditë ju merrnin dhe askush nuk ka ditë pune më të vlefshme dhe të shtrenjta, sesa ju. Kësaj praktike do t’i jepet fund në muajt ardhshëm. Ne kemi punësuar ekspertët më të mirë të Europës dhe botës. Ne do të zbatojmë një sistem të ri inspektorati dhe do të lehtësojmë së tepërmi barrën e tij mbi biznesin.”
Kryeministri Berisha bëri të ditur se krahas këtyre reforma, gjatë këtij viti, çdo qytetar shqiptar, si edhe në vendet e tjera, do të ketë deklaratën integrale të të ardhurave. “Kjo, - theksoi Kryeministri - do ta bëjë Shqipërinë një vend më transparent, do ta bëjë biznesin të marrë frymë më thellë dhe më lehtë.”
Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu vlerësimin maksimal dhe inkurajoi idenë e FIAA-s për të sintonizuar projektet e tyre me reformat dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri i ftoi të ndërmarrin përpjekje të reja për të sjellë vendin në ‘moshën dixhitale’. Duke sjellë shembullin e Estonisë si një vend që vlerësohet me moshën dixhitale më të avancuar në Europë, Kryeministri theksoi se produkti i më ri i këtij rezultati atje është një klime biznesi e shkëlqyer dhe përfituesi i parë nga kjo është biznesi. Qeveria, - tha Kryeministri - ka rritur këtë vit pesë herë më shumë buxhetin për moshën e internetit, por nuk ka asnjë krahasim me kontributin dhe përpjekjet tuaja, duke i ftuar ata për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në drejtim të projektit madhor, ‘Shqipërisë në moshën dixhitale’.
Mësimi më i madh i kësaj krize, u shpreh në mbyllje të fjalës së tij Kryeministri, ishte kapërcimi i saj përmes reformave. “Kështu bëmë edhe ne, prandaj të shkojmë përpara e ta bëjmë 2010, vitin më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.”
28/01/2010