Kryeministri Berisha përshëndet konferencën “Gjuha angleze dhe sistemi arsimor - Një mundësi e re”
Kryeministri Berisha iu drejtua me një fjalë, sot, konferencës së organizuar nga British Council, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, “Gjuha angleze dhe sistemi arsimor - Një mundësi e re”, me pjesëmarrjen e ministrit të Arsimit, zotit Myqerem Tafaj, ambasadorit të Britanisë së Madhe në Tiranë, zotit Nicholas Cannon, përfaqësuesve të institucioneve arsimore, universiteteve publikë dhe privatë etj..
Duke përshëndetur organizimin e kësaj konference, Kryeministri tha se gjuha angleze, për një seri rrethanash, është shndërruar sot në gjuhën e globalizmit, ndaj është e rëndësishme që fëmijët shqiptarë të pajisen me gjuhën e komunikimit global.
“Të konsolidojmë anglishten nga klasa e tretë deri në provimin e detyrueshëm të maturës, si gjuhën e parë të huaj për çdo fëmijë shqiptar,” - u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se duke zhvilluar dhuntinë e lindur të shqiptarëve për gjuhët e huaja, “çdo nxënës duhet të mbarojë gjimnazin me dy gjuhë të disponuara.”
Kryeministri konsideroi si dy aspekte të rëndësishme, në të cilat duhet të fokusohen përpjekjet: cilësinë më të mirë të mësimdhënies në këtë gjuhë dhe çmimin më të lirë për mësimin e saj. Anglishtja - tha Kryeministri - nuk duhet të jetë një taksë, por një pasion, një dije themelore e nxënësve.
Gjithashtu, diversifikimi i metodave të mësimit nga universitetet, inkurajimi i përdorimit të anglishtes në degë dhe fakultete të ndryshme, përdorimi i sistemit online, shfrytëzimi i të gjitha mjeteve të komunikimit për nxitjen e mësimit të kësaj gjuhe, janë disa nga çështjet që Kryeministri ngriti në fjalën e tij.
Fjala e Kryeministrit Berisha në konferencë:
“Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht organizatorët e kësaj konference, të falenderoj me shumë mirënjohje British Council, ambasadën e Britanisë së Madhe, për mbështetjen e rëndësishme që i kanë dhënë e japim Shqipërisë, në përpjekjen e saj për të shndërruar gjuhën angleze në gjuhën e dytë, pas gjuhës shqipe, për të gjithë fëmijët shqiptarë, për të shndërruar anglishten në gjuhën e huaj të parë dhe sa me shpejt të jetë e mundur. Në këtë nismë mendoj se qeveria ka marrë një vendim shumë të drejtë. Gjuha globale është gjuha angleze. Këtu nuk diskutohet për të superiorizuar apo inferiorizuar gjuhë. Çdo gjuhë është e bukur dhe shumë e bukur, e pasur dhe shumë e pasur në leksikun e format e saj. Për një seri rrethanash, anglishtja është shndërruar sot në gjuhën e globalizmit. Anglishtja është sot, gjuha e kësaj kohe. Ndaj është e rëndësishme të shpejtojmë të pajisim fëmijët tanë, me gjuhën e komunikimit global.
Ne duhet të bëjmë gjithçka, për të punuar në dy drejtime: në cilësinë më të mirë të mësimdhënies në këtë gjuhë dhe çmimin më të lirë për mësimin e saj. Duhet të bëjmë gjithçka që të diversifikojmë metodat e mësimit, të inkurajojmë fakultetet tona që të gjejnë mënyra për këtë dhe, nëse degë të tëra mësimi zhvillohen në anglisht, unë vetëm do ta përgëzojë këtë. Sot ne kemi shembullin e një universiteti privat, Universiteti i New Yorkut, por universitete, fakultete apo degë të tjera mund ta ndjekim këtë shembull. Nuk duhet të ketë asnjë druajtje për përpjekjet më maksimale, për ta bërë këtë komb, pas shqipfolës, në anglishtfolës.
Unë e kuptoj që në këtë proces të përshpejtuar ka vështirësi reale. Unë e kuptoj se në disa norma të vendosura nga ne mund të ketë edhe arbitraritet, por ne sëbashku i shqyrtojmë dhe e rëndësishme është që të konsolidojmë anglishten nga klasa e tretë deri në provimin e detyrueshëm të maturës, si gjuhën e parë të huaj për çdo fëmijë shqiptar. E rëndësishme është që ne të zhvillojmë atë dhunti, absolutisht të lindur, të shqiptarëve për gjuhët e huaja. Me këtë dua të them se çdo nxënës duhet të mbarojë gjimnazin me dy gjuhë të disponuara. E dyta do të jetë frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, kinezisht, detyrimisht duhet të ecim edhe me këtë gjuhë, e cila gjithnjë e më shumë merr terren dhe rëndësi të veçantë, pasi sot, Kina është superfuqia e dytë e botës në ekonominë planetare.
Dua të falënderoj British Council për këtë mbështetje shumë të madhe dhe i bëj thirrje ambasadorit që qeveria britanike të mbështesë edhe më shumë British Council, pasi ne kemi nevojë se duhet të kapim kohën e humbur dhe që të kapim kohën që kemi humbur, jemi të detyruar të përdorimin praktika të përshpejtuara. Zoti ministër, është jashtëzakonisht e rëndësishme të bëhet gjithçka për sistemin online. Në këtë gjitha shkollat tona, ne kemi kabinete informatike.
Të nderuar zonja dhe zotërinj, në sistemin e ardhshëm arsimor që do të instalojmë dhe do të hyjë në fuqi deri në vitin 2015, për arsimin parauniversitar, do të duhet që çdo mësues që fillon me klasën e parë të jetë anglishtfolës. Ne nuk do ta fillojmë anglishten që në klasën e parë, çka është e diskutueshme, por do ta fillojmë në klasën e tretë dhe mësuesi në sistemin e ri do ta përcjellë nxënësin deri në klasën e gjashtë. Mora këtë shembull për të theksuar se ne jemi në një ndryshim të vazhdueshëm. A është kjo një kërkesë shtesë? Po, por është një kërkesë plotësisht e realizueshme për mësuesin, që lartëson standardin e tij, e ndihmon të pasurojnë njohuritë e tij të gjithanshme. Ambasadori citoi këtu, mjetet e komunikimit dhe ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Unë dua t’ju rrëfej se anglishtja ime është ajo që është në sajë të BBC World Service, e cila jepte dhe vazhdon të japë mësime të kësaj gjuhe, mësime shumë të mira. Unë isha një dëgjues shumë i vëmendshëm i saj dhe në atë kohë, anglisht mund të mësoje vetëm në valët e BBC, pasi nuk kishte mundësi të tjera. Edhe sot duhet të shfrytëzohen të gjitha mjetet publike të komunikimit, në funksion të nxitjes së mësimit të kësaj gjuhe, të cilën shqiptaret, për shkak të tërësisë së alfabetit të tyre, e flasin shumë mirë, me lehtësi dhe janë shumë të pranueshëm në anglishten e tyre.
Por dalin edhe disa probleme në universitete që ministria sëbashku me rektorët duhet t’i zgjidhin, si p.sh çështja e tarifave për studentët. Ne duhet ta bëjmë anglishten jo një taksë, por një pasion, një dije themelore të nxënësve. Natyrisht, në kushtet e tregut, nuk ka asgjë pa një çmim, por duhet të përpiqemi t’ia lehtësojmë sa më shumë atë studentëve, të gjejmë mënyrat sesi testi i British Council apo TOEFL apo teste të miratuara nga ju të jenë sa më lehtë të përballueshme nga studentët tanë.
Edhe një herë ju uroj suksese në këtë konferencë, shpreh vlerësimin tim të madh për punën e vërë gjer më sot, mirënjohje për British Council, për ndihmën e madhe që ka dhënë dhe besimin e plotë se vetëdija se kjo gjuhë ndihmon Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u përballur me sukses me globalizmin, do të frymëzojë çdo shqiptar, për ta mësuar atë sa më mirë.”
18/05/2012