E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju.

18 shkurt 2010

Zagreb,Kroaci

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi takoi sot në Zagreb Nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju.

Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja në të ardhmen. “Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm e kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO”, - u shpreh Kryetari i Shtetit në këtë takim.

Në vijim të bisedës, Presidenti Topi e njohur z. Lju me disa prej zhvillimeve më aktuale në vend, duke vënë në dukje dhe arritjet e vendit në politikën e jashtme, angazhimin serioz e me përgjegjësi në NATO, si dhe vazhdimësinë e procesit eurointegrues të vendit në kuadër të bashkëpunimit me BE-në. Temë e bisedës ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe u vlerësua se mbledhja e saj është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive. Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës. Në këtë pikë, Nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike.

Duke vënë në dukje faktin se Kosova dje festoi dyvjetorin e Pavarësisë së saj, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e shtetit dhe të mbarë popullit shqiptar për qëndrimin e SHBA-së ndaj çështjes së Kosovës. Kryetari i Shtetit nënvizoi rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimit e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan, gjë që u vlerësua edhe nga zoti Xhejkob Lju. “Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumëetnik e demokratik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit është projektuar i tëri drejt integrimit euroatlantik” – u shpreh Presidenti Topi.

Nëpërmjet Nënsekretarit amerikan të Shtetit, z. Lju, Presidenti Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit amerikan, Hilari Klinton i përcollën Presidentit Topi përshëndetjet më të ngrohta e miqësore si dhe vlerësimet për partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›