E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së z. Zhoao Soares.

15 maj 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, z. Zhoao Soares dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të një vizite pune në vendin tonë.

Duke i uruar mirëseardhjen, Presidenti i Republikës vuri në dukje momentin shumë të rëndësishëm ku ndodhet vendi ynë, i cili pas anëtarësimit në NATO ka dorëzuar aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat i Bashkimit Evropian.

Duke u ndalur në zhvillimet aktuale në vend, Kryetari i Shtetit nënvizoi momentin shumë të rëndësishëm para të cilit ndodhen shqiptarët, atë të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Në këtë pikë, Presidenti vlerësoi kontributin e OSBE-së, i cili edhe në të kaluarën ka qenë mjaft i rëndësishëm për forcimin e institucioneve në Shqipëri.

Presidenti Topi u shpreh se “Shqipëria ka bërë mjaft përparime në këto vite edhe në mënyrën e sjelljes politike e veçanërisht në arritjen e konsensusit politik si një element i demokracisë.” Duke u ndalur në situatën parazgjedhore e në debatin politik që po e shoqëron, Presidenti Topi përsëriti apelin që ka bërë në mënyrë sistematike e personale për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. “Inkurajimi i qytetarëve për të aplikuar për marrjen e kartave të identitetit, ka vërejtur Presidenti Topi është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për t’i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës, por edhe për t’u identifikuar e përfituar shërbime të tjera.”

Duke vërejtur se zgjedhjet e 28 qershorit janë prova më e madhe për Shqipërinë pas antarësimit në NATO, Presidenti i Republikës shprehu bindjen “se zgjedhjet e 28 qershorit do jenë një hap i ri i mëtejshëm i Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane”.

Nga ana e tij, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së pasi shprehu mirënjohjen për pritjen e rezervuar, vuri në dukje se Shqipëria ka arritur të përmirësojë rregullat demokratike. “Organizata jonë, tha z. Soares i ndjek me shumë vëmendje të gjitha proceset në Shqipëri, nëpërmjet ambasadorit Bosh.

“E admiroj shumë rolin që po luani si President i Republikës dhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tha Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i cili shprehu vlerësimin në mënyrë të veçantë për rolin që Kryetari i Shtetit ka luajtur e do vazhdojë të luajë për pavarësinë e pushtetit gjyqësor në Shqipëri.

Z. Soares e siguroi Presidentin Topi për gatishmërinë e vazhdueshme të OSBE-së për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike duke vlerësuar edhe rolin mjaft të rëndësishëm të vendit tonë në rajon e veçanërisht për çështjen e Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›