E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi thekson nevojën e bashkëpunimit ndërinsitucional për një perspektivë të sigurtë për Tiranën.

11 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi thirri sot në tryezë me temë “Tirana - Kryeqyteti i Shqipërisë, sfidat e së ardhmes”, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Kryeministrin Sali Berisha, Prefektin e Tiranës, Ruzhdi Keci, Kryetarin e Këshillit të Qarkut Tiranë, Tahsim Mema, Kryetarin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, Ylli Bufi e Nënkryetarin e këtij komisioni Rexhep Uka, Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, Ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka, Ministrin e Financave, Ridvan Bode, Ministrin e Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera arsimore e shëndetësore të kryeqytetit, të grupeve të interesit, nga aeroporti Nënë Tereza, Dhoma e Tregtisë dhe shoqatat e bankave, arkitektëve, ndërtuesve, biznesit, të shoqatës “Tirana” etj.

Në hapje të aktivitetit, Presidenti Topi vërejti se qëllimi i këtij takimi është nevoja që ka Tirana sot për funksionimin e bashkëpunimit të detyrueshëm jo vetëm institucional, por edhe njerëzor për një metropol të standardeve europiane në bazë të një plani urbanistik të këtyre niveleve.

“Sot në Tiranë ne kemi më shumë se kurrë një gërshetim të nevojshëm, të domosdoshëm të interesave jo thjesht të karakterit estetik, urbanistik, arkitektonik, por interesa të përdorimit të të gjitha resurseve dhe të nevojave që duhet të jenë në shërbim të qytetarit.

Pra Tirana më shumë se kurrë kërkon që të çlirohet së pari nga marrëdhëniet e ngurta institucionale. Politika duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe në këtë sens duhet të jenë edhe marrëdhëniet besoj të institucioneve shtetërore me ato vendore. Këshilli Bashkiak është për definicion organizmi, apo struktura që duhet të bëjë politikat e qytetit, por Tirana sot ka nevojë që edhe Këshilli Bashkiak, Parlamenti, të gjitha institucionet të mendojnë për një Tiranë të madhe, ku nuk është thjesht vija administrative ajo që i ndan, sepse sot e ke shumë të vështirë të dallosh Tiranën me komunat dhe natyrisht që për shkak edhe të disa politikave, apo për efekt të disa politikave të decentralizimit, disa komuna nuk janë kompatibël me Bashkinë e Tiranës, nuk janë kompatibël me njëra-tjetrën, kështu që kjo e bën të domosdoshme krijimin e një vizioni të ri që duhet t’i kalonte përmasat e strukturave të pushtetit vendor dhe duhet ta bënte të domosdoshëm në bashkëpunim dhe me pushtetin qendror”, - u shpreh Kryetari i Shtetit.

Nga ana e tyre, pjesëmarrësit mirëpritën iniciativën e Presidentit të Republikës, ndërsa dy drejtuesit kryesorë, Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Bashkise Edi Rama, pasi renditën këndvështrimet e tyre për zhvillimin e ardhshëm të kryeqytetit, shprehën gatishmërinë për bashkëpunim.

Kryetari i Bashkisë, Edi Rama mes të tjerash kërkoi bashkëpunimin e Qeverisë për të kontrolluar ritmin e ndërtimeve në kryeqytet. “Rruga jonë e përbashkët, sa nuk është vonë, duhet të jetë stimulimi i Planit Metropolitan të Tiranës, që do të thotë zhvillimi i qytetit Mëmë në harmoni me qytezat Bija si hapësira komplementare. Plani duhet të jetë detyrimisht unik, ndërsa administrimi i tij të bëhet në respekt të kufijve administrativë qytet-komunë. Urgjentisht qeveria duhet të bllokojë çdo zhvillim urban spontan në komunat periferike të Tiranës derisa ky plan të ketë përfunduar. Kjo është llogjike, më pak e kushtueshme dhe afatgjatë”, - vuri në dukje z. Rama në fjalën e tij.

Ndërsa, Kryeministri Sali Berisha ndër të tjera është shprehur se partneriteti duhet të respektojë disa kushte. “Theksova partneritetin pasi është i domosdoshëm, por partneriteti duhet të ketë edhe disa parakushte. Taksa është themeli i një shteti dhe ka një rëndësi përcaktuese. Ne mendojmë se në këtë partneritet vjelja e taksës së pronës duhet të jetë një nga stimujt më të rëndësishëm të këtij partneriteti.

Dua të siguroj autoritetet e qeverisë vendore të Tiranës se qeveria është e vendosur të konsolidojë një partneritet të frytshëm me këto autoritete, në mënyrë që Tirana të zhvillohet harmonishëm dhe të përmbushë të gjitha funksionet në misionin e saj si kryeqendër e këtij vendi. Në konceptin tim, Tirana dhe plani i saj duhet të jetë plani i Tiranës së madhe. Jashtë planit të Tiranës së madhe, do të jetë shumë e vështirë që satelitët e saj të mos e cënojnë kryeqytetit. Po them Tirana e madhe, nga Vora në Priskë, nga Fushë -Kruja në Petrelë. Ky duhet të jetë vizioni ynë për Tiranën e madhe”, ka vërejtur Kryeministri Berisha.

Mendime për mënyrën se si duhet të zhvillohet metropoli shqiptar edhe në funksion të problemeve të evidentuara në veprimtarinë e tyre përcollën me radhë Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, Nënkryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, Rexhep Uka, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, Rektori i Universitetit, Besnik Aliaj, Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, Ylli Bufi, Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Ferdinand Pone, Presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku dhe Shefi i Katedrës së Arkitekturës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Agron Lufi.

Në mbyllje të takimit, duke vlerësuar angazhimin, por edhe idetë e hedhura nga pjesëmarrësit, Presidenti Topi nënvizoi se:

“Është e vërtetë që ka një krizë besimi tek qytetarët, të cilët nuk janë të pakët që nuk dinë se ç’ndodh me pronën e tyre, si do të zhvillohet prona e tyre. Por, ne mund të japim vizione të qarta nëpërmjet ekspertizës, që qyteti do të ketë shanse për t’u zhvilluar si një qendër policentrike. Nuk ka kakofoni të termit. Kur them qendër, kam parasysh qendrën e madhe administrative, por jo me një qendër, por me shumë qendra.

Këtu është nevoja që, përveç atyre rrugëve që hap politika, duhet të inkurajohen ekspertët që të mblidhen në tryeza specifike për rubrika të caktuara dhe duhet t’i hapen rrugë të reja vendimarrjeve politike. Në rast se sot jemi në momentin e hapjes së një hapësire të re për perspektivën e kryeqytetit tonë, nesër politika duhet të jetë e detyruar që vendimmarrjeve profesionale t’i japi rrugë me vendimmarrje politike.

Unë, pa dashur që të zgjatem në këtë linjë, edhe sot, edhe pse ishim në këtë sens të mbledhur, këtu dolën disa gjëra mjaft konkrete që pa qenë nevoja të zgjatemi me tryeza të tjera, gjërat mund të fillojnë menjëherë. Bashkëpunimi konkret, qoftë me menaxhimin e territorit, qoftë me problemin e projekteve konkrete që janë të domosdoshme për Tiranën, sikurse është lançimi i projektit për Unazën e Madhe të Tiranës, duke nisur me segment prioritar, që sikurse u tha që është që nga Shkolla Teknologjike e deri tek rruga e Elbasanit në Sauk, ky mund të ishte momenti i parë i bashkëpunimit konkret, përveç elementëve të tjera që kanë të bëjnë me problemet e pronësisë, me problemet e perspektivës së zhvillimit, me problemet e arsimit, të shëndetësisë, me problemet edhe të konsolidimit afatgjatë të atij vizioni perspektiv për zhvillimin, ku pjesë shumë e rëndësishme janë interesat e qytetarëve”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›