E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi viziton Universitetin e Sarandës dhe Parkun Kombëtar të Butrintit.

9 shtator 2007

Në vazhdim të vizitës në qytetin e Sarandës Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka vizituar Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Sarandës. I shoqëruar nga Kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka, Drejtori i Arsimit të rrethit, Eduard Mehmeti dhe Administratori i Fakultetit të Ekonomisë, Bejdo Çela , Kreu i Shtetit është informuar se këtë vit këtij fakulteti do t’i shtohet edhe dega e gjuhës angleze ndërsa numri i studentëve te ekonomisë do shkojë në 200. Presidenti Topi vizitoi sallën e internetit, sallat e leksioneve dhe bibliotekën në të cilën pati një takim me studentë e pedagogë të univeristetit.

Kam kënaqësi të veçantë është shprehur kryetari i shtetit, sepse vij me dy cilësi; si President i Republikës, por edhe me një kujtim të veçantë për të gjithë periudhën kur unë kam ushtruar aktivitetin akademik. Auditori gjithmonë të tërheq dhe në momentin që u ula këtu mu duk sikur isha në ditët kur zhvilloja veprimtari pedagogjike në universitet.

Duke vlerësuar përpjekjet që janë bërë për ngritjen e këtij fakulteti nga Kryetari i Bashkisë dhe pedagogët Presidenti ka vërejtur se krahasimi i arritjeve duhet bërë me standardet ndërkombëtare. Sot nuk bëhet fjalë për të realizuar standarde kombëtare. Sot bëhet fjalë për t’ju referuar standardeve që kanë universitetet europiane. Jo pa qëllim universitetet tona e kanë pikën e referimit tek Karta e Bolonjës.

Ne fazën e zhvillimeve ku ka hyrë Shqipëria, krijimi i një brezi profesionistësh do garantonte një të ardhme të sigurt për vendin ka nënvizuar Presidenti Topi “unë si President i Republikës dhe si ish pedagog ju inkurajoj që dijet tuaja duhet t’i merrni, t’i thelloni për të qenë në shërbim të Shqipërisë, të ekonomisë shqiptare. Shqipëria ka shumë nevojë për ekonomist të rinj që marrin dije përmes një kurrikule të re sepse jemi totalisht në ekonominë e tregut. E dini që nga tradita jonë, nga formimi ynë universitar për një ekonomi të centralizuar ne kemi patur probleme lidhur me një formim sipas standardeve të ekonomisë së tregut, kështu që ju jeni padyshim në një mision që duhet ta vlerësoni shumë sepse padyshim e ardhmja e ekonomisë shqiptare do të jetë në dorën tuaj dhe të bashkëmoshatarëve tuaj.

Pasi u ka uruar suksese në vitin e ri akademik Presidenti Topi ka lënë këtë shënim tek libri i dedikimeve të fakultetit “Vlerësim tepër i veçantë për dëshirën e vullnetin e qytetarëve të Sarandës, të cilët nëpërmjet iniciativës qytetare të zotit Gjoka dhe pedagogëve bënë të mundur ngritjen e filialit universitar në shërbim të dijes së vyer në lëmin e ekonomisë.”

Presidenti Topi ka përshkuar më pas në këmbë rrugën deri tek porti i qytetit për t’iu drejtuar me tej Parkut Kombëtar të Butrintit. I shoqëruar nga Drejtori, Ylli Cerova Presidenti është njohur me historinë e qytetit antik të Butrintit dhe zhvillimet aktuale të parkut kombëtar të tij.

Gjatë kësaj vizite Presidenti është përshëndetur me grupe turistësh vendas e të huaj që po vizitojnë qytetin e lashtë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›