E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi u uron festën e 8 Marsit ushtarakeve të Forcave tona të Armatosura

8 mars 2011

Me rastin e 8 Marsit, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot gjithashtu ushtarake, pjesëmarrëse në të tria llojet e Forcave të Armatosura në Forcat Tokësore, Forcat Ajrore, Forcat Detare, si dhe në Shërbimet e tjera Mbështetëse të ushtrisë shqiptare.

Pasi i uroi përzemërsisht pjesëmarrëset në këtë takim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, të cilave iu dhuruan lule në emër të Kreut të Shtetit shqiptar, Presidenti Topi dhe njëkohësisht Komandanti i Forcave të Armatosura vlerësoi rolin dhe misionin guximtar dhe dinjitoz që këto zonja të nderuara kryejnë në radhët e ushtrisë shqiptare, duke dëshmuar vlerat më të mira profesionale, ushtarake e civile. “Pjesëmarrja e femrave në ushtri është aspekt i rëndësishëm i demokratizimit të Forcave të Armatosura, në kuptim jo vetëm të përfaqësimit të të gjitha grupeve shoqërore, por edhe sepse duke qenë një anëtare e denjë e aleancës më të madhe dhe sigurisë në botë, e NATO-s, kontributi juaj përsa i përket rolit dhe dinjitetit të Shqipërisë në botë është shumë cilësor”, - nënvizoi në këtë takim Presidenti i Republikës dhe në vijim shprehu vlerësimin për kontributin e atyre grave shqiptare që kontribuojnë sot me pjesëmarrjen e tyre në misionet jashtë vendit.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj. Nga ana e tyre, ushtaraket e të tria llojeve të Forcave të Armatosura në Forcat Tokësore, Forcat Ajrore, Forcat Detare, si dhe në Shërbimet e tjera Mbështetëse të ushtrisë shqiptare shprehën mirënjohjen dhe falenderuan Komandantin e Përgjithshëm për këtë pritje të ngrohtë si dhe për respektin e vëmendjen e treguar gjithmonë ndaj FA-ve dhe në veçanti ndaj zonjave që shërbejnë radhët e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›