E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron gjimnazin “Gramoz Palushi” në Paskuqan dhe u uron mësuesve festën e 7 Marsit

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e gjimnazit “Gramoz Palushi” në Paskuqan, prej nga dhe i uroi të gjithë arsimtarëve shqiptarë festën e 7 Marsit. Mirënjohja jonë ndaj tyre, - u shpreh Kryeministri, - është e pakufishme. Ndërsa në emër të qeverisë Kryeministri i garantoi arsimtarët se do bëhet çdo gjë për t’i mbështetur ata në misionin e tyre fisnik.

Gjimnazit “Gramoz Palushi” është një investim me vlerë 660 milionë lekë dhe ofron ambiente moderne të mësimdhënies, 24 klasa, e pajisur me kabinet informatike, bibliotekë dhe mjedise sportive. Kryeministri theksoi se për qeverinë shqiptare arsimi dhe edukimi janë dhe do të mbeten përparësi e të gjitha përparësive dhe se në vitet që vijnë investimet në arsim do të njohin rritje më të madhe se në çdo vend tjetër. “Vetëm këtu në Paskuqan janë në investim e sipër edhe 3.5 milionë dollarë në 5 objekte shkollore”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Pas ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj shkolle ku u takua dhe bashkëbisedoi me nxënës.

Më gjerësisht, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë inaugurim, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur nxënëse dhe nxënës,

Mësuese dhe mësues të shkollës “Gramoz Palushi”,

Zoti ministër,

Zoti kryetar i Komunës së Paskuqanit,

Të dashur prindër dhe familjarë të nxënësve të kësaj shkolle,

Së pari ju përgëzoj dhe ju përshëndes përzemërsisht. Mësuesve dhe mësueseve të kësaj shkolle, nxënëseve dhe nxënësve të saj, u uroj gëzuar 7 Marsin, ditën e madhe të mësuesit, të nxënësve, të prindërve dhe të mbarë shoqërisë shqiptare.

Sot ne nderojmë ata mijëra burra dhe gra, ata djem dhe vajza që i kanë përkushtuar jetën e tyre edukimit të nxënësve dhe studentëve të vendit. Mirënjohja jonë ndaj tyre është e pakufishme. Janë ata të cilët hapën për ne, që hapin për fëmijët tanë, për nipërit dhe mbesat tona dyert e shtëpisë më të bukur që ka krijuar njeriu dhe njerëzimi, dyert e shtëpisë së dijes.

Sot ne inaugurojmë një shkollë moderne, gjimnazin “Gramoz Palushi”, një investim prej 660 milionë lekë, e pajisur me të gjitha mjetet më bashkëkohore për shkollimin dhe edukimin tuaj.

Sot ne kremtojmë 7 Marsin në Paskuqan dhe në mbarë Shqipërinë me optimizëm dhe besim të madh, sepse në çdo vit do të ndryshojmë arsimin tonë, çdo vit po përmirësojmë dhe lartësojmë edukimin e fëmijëve tanë.

Për qeverinë shqiptare arsimi dhe edukimi janë dhe do të mbeten përparësi e të gjitha përparësive.

Të dashur nxënëse dhe nxënës, prindër dhe familjarë,

Vetëm këtu në Paskuqan janë në investim e sipër edhe 3.5 milionë dollarë në 5 objekte shkollore. Vetëm këtu në Paskuqan ne po ndërtojmë edhe 5 shkolla të tjera për shkollimin më të mirë, më optimal të fëmijëve tuaj. Ne shohim tek shkollimi i brezave rrugën më të sigurt për të kapur dhe ndërtuar të ardhmen që meritojnë. Ne jemi të vendosur të investojmë në arsim më shumë se në çdo fushë tjetër.

Nga viti 2006 e deri më sot ne ia dolëm që në një hark kohor 5 vjeçar të dyfishojmë rrogat e mësuesve dhe t’i mbidyfishojmë ato; ia dolëm të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 1200 shkolla në mbarë vendin; ia dolëm që këtë vit 91 përqind e të gjithë fëmijëve, nxënësve dhe nxënëseve që mbarojnë klasat e 9-ta të ulen në bankat e shkollave të mesme dhe 70 përqind e maturantëve të ulen në auditorët e universiteteve.

Unë ju garantoj ju se në vitet që vijnë investimet në arsim do të njohin rritje më të madhe se në çdo vend tjetër. Në një hark kohor 4 vjeçar Shqipëria u shndërrua në vendin e internetit dhe kabineteve të informatikës në çdo shkollë, duke lënë pas edhe disa nga vendet më të zhvilluara të Evropës. Investimi në arsim, në edukim, është investimi më i rëndësishëm, më i madh për demokracinë shqiptare, sepse edukimi dhe vetëm edukimi është rruga më e sigurt e konsolidimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë në këtë vend.

Dy vjet më parë ne zhvilluam në Paskuqan dhe në mbarë Shqipërinë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më 8 maj është provë tjetër e jona, prova e qëndrimit të lirisë, vlerave të saj, ndaj vullnetit të njëri- tjetrit. Më 8 maj i ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, i ftoj të gjithë qytetarët e Paskuqanit që të votojnë të lirë dhe me dinjitet të plotë.

Ju garantoj ju dhe të gjithë shqiptarët se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha kushtet për të votuar njëlloj si në vendet më të zhvilluara. Ne shkojmë në këto zgjedhje me infrastrukturën më moderne, me projektet më të shkëlqyera për mbarë qytetet, komunat, lagjet e qyteteve dhe fshatrave të vendit.

Këtu në Paskuqan 4 vitet që shkuan kemi investuar dhe rindërtuar dhjetëra kilometra rrugë. Jam këtu t’ju premtoj ju se në 4 që vijnë Paskuqani nuk do të kenë as edhe 1 kilometër rrugë të pa asfaltuar. Jam këtu t’ju premtuar se 4 vitet që vijnë do të ketë ujë 24 orë dhe se në këtë qytet do të ndërtohen të gjitha mjediset kreative, Pallati i Kulturës dhe Sportit, në mënyrë që ju të mund të zbaviteni e të zhvilloni talentet tuaja në kulturë, sport dhe çdo fushë tjetër.

Qytetare dhe qytetarë të Paskuqanit,

Për dy vite me radhë zoti Edi Rama bëri gjithçka, bëri çdo gjë për të shkelmuar votën tuaj, por dështoi. Për dy vite me radhë ai u përpoq të nxinte votën tuaj, të nxinte liritë tuaja, por e mori përgjigjen që meritonte. Vetëm një muaj më parë 75 parti të Qendrës së Djathte Evropiane do t’i rikujtonin zotit Rama se pushteti me dhunë nuk merret; do t'i rikujtonin atij se në Shqipëri Shkodra faktoi se është bërë numërimi më korrekt i votave në Evropë. Dy ditët që shkuan këtë mesazh e mori edhe nga Internacionalja Socialiste. Ai bëri çdo gjë që të nxirrte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër votës tuaj dhe dështoi. Kjo, sepse Evropa vërtetë ndahet në të majtë e të djathtë, vërtetë e majta dhe e djathta kanë kundërshti me njëri-tjetrin, por kurrë për votën. Ata respektojnë votën, respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe nuk tentojnë kurrë të zëvendësojnë votën me dhunën, nuk tentojnë kurrë të marrin pushtetin me dhunë, siç tentoi zoti Edvin Rama.

Qytetare dhe qytetarë të Paskuqanit,

Edhe një herë le tu urojmë ne mësueseve dhe mësuesve të Paskuqanit dhe gjithë Shqipërisë gëzuar këtë ditë. Le t’i garantojmë ata në emër të qeverisë se do bëjmë çdo gjë për t’i mbështetur në misionin e tyre fisnik. Se prindërit dhe nxënësit e mbarë Shqipërisë do tua shpërblejnë me dashuri dhe mirënjohje punën e madhe, përkushtimin, vetëmohimin që ata bëjnë për fëmijët tanë.

Edhe një herë gëzuar 7 Marsin, ditën e misionarëve tanë më të mëdhenj, ditën e mësuesit”.


07/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›