Kryeministri Berisha takon Zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), zonjën Shari K. Brajan
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qëndrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu përfaqësuesve të NDI vlerësimet për punën dhe kontributin 15 vjecar që ky organizëm ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare si dhe rolin e saj në fusha themelore të demokratizimit të vendit. Kryeministri e siguroi Zëvendëspresidenten e Institutit zonjën Brajan për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi shumë frytdhënës.
Zëvendëspresidentja e NDI, zonja Brajan shprehu kënaqësinë për zhvillimin e madh dhe progresin e arritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, në fusha të rëndësihme për vendin.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e NDI vlerësuan mbështjetjen e vazhdueshme të kryeministrit Berisha ndaj nismave të ndërmarra nga Instituti Amerikan në Shqipëri.
Kryeministri Berisha e njohu zonjën Brajan me zhvillimet e fundit në vend, pas përpjekjes së dhunshme të opozitës në 21 janar, për përmbysjen e qeverisë dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Kryeministri theksoi qëndrimin e tij të palëkundur dhe koherent të shprehur që pas sulmit mbi Selinë e Kryeministrisë, që një hetim profesional, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe i besueshëm është themelor për kapërcimin e situatës së krijuar dhe për të ardhmen e shtetit ligjor. Kryeministri shprehu shqetësimin që mbas më shumë se 1 muaj, ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 Janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan dhe organizuan tentativën për përmbysjen anti- kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se nxjerrja e vazhdueshme në media e dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm.
Në takim, Kryeministri u ndal tek reformat e qeverisë shqiptare që nga viti 2005, në luftën kundër korrupsionit dhe për mirëqeverisjen e vendit, të cilat kanë rritur transparencën dhe efikasitetin e qeverisjes.
Kryeministri theksoi se lufta kundër korrupsionit është dhe mbetet prioritet i reformave të qeverisë. Ai vlerësoi lart punën e njësisë së përbashkët hetimore të udhëhequr nga Prokuroria në goditjen e korrupsionit, por nënvizoi se mos penalizimi, nga ana e Prokurorisë, i korrupsionit të qeverisë socialiste apo të të zgjedhurve të saj vendor, si dhe mbyllja e mbi 40 çështje të ngritura ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një politikë penale, e cila dëmton efikasitetin dhe besueshmërinë e luftës ndaj korrupsionit.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zgjedhjeve për pushtetin vendor të datës 8 maj. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të garantuar transparencë maksimale dhe standardet më të larta si dhe një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Pasi e njohu zonjën Brajan me ftesën që qeveria shqiptare i ka bërë organizatave ndërkombëtare për dërgimin e sa më shumë vëzhguesëve për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria është dhe mbetet tërësisht e hapur dhe e gatshme për t’i ofruar vëzhguesve ndërkombëtarë çdo të drejtë dhe hapësirë ligjore për të garantuar një proces zgjedhor, tërësisht transparent dhe që plotëson standardet me të larta ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
Nga ana e saj, zonja Brajan shprehu angazhimin e NDI për të ofruar në vazhdimësi, kontributin dhe bashkëpunimin, në mbështetje të të gjitha proceseve demokratike në vend.
Gjatë këtij takimi, zv/presidentja e NDI, zonja Brajan i përcolli Kryeministrit Berisha, përshëndetjet e zonjës Medlin Albright, Presidente e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan. Kryeministri, nga ana e tij shprehu kënaqësinë për të ftuar zonjën Albright, për një vizitë në vendin tonë.
07/03/2011