Kryeministri Berisha përshëndet fillimin e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë
Sot, në Bruksel, nis dialogu për çështje teknike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Europian dhe mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Berisha përshëndet fillimin e dialogut midis dy vendeve, si një proces i domosdoshëm për konsolidimin e pavarësisë, integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por, gjithashtu, si një proces që kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon. Zgjidhja nga shteti i lirë dhe i pavarur i Kosovës i të gjitha problemeve, me fqinjët në tërësi dhe Serbinë në veçanti, ka rëndësi parësore në konsolidimin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, fuqizimin e rolit të saj në bashkëpunimin, integrimin rajonal, europian dhe euroatlantik.
Kryeministri Berisha përshëndet angazhimin e BE-së, zyrës së Baroneshës Ashton, në lehtësimin e dialogut, si dhe mbështetjen e qeverisë së SHBA, si një kusht i domosdoshëm për ecurinë pozitive dhe suksesin e tij. Ai beson se e ardhmja europiane, e shqiptarëve dhe serbëve përben bazën solide, për të nisur një kapitull të ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis këtyre dy kombeve.
08/03/2011