E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron Presidenten Jahjaga për mbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare ndaj Kosovës

3 korrik 2012

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot paradite, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi uron Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga për mbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare ndaj Kosovës.

“E nderuara Zonja Presidente!

Kam nderin e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve dhe të gjithë popullit të Kosovës, urimet më të përzemërta për mbylljen e fazës së mbikqyrjes ndërkombëtare ndaj Republikës së Kosovës!

Ky vendim është një arritje historike për popullin e Kosovës në rrugën drejt funksionimit me pavarësi të plotë të shtetit të Kosovës. I gjithë kombi shqiptar gëzohet për këtë sukses të rëndësishëm që kontribuon direkt në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Kjo arritje tregon se tashmë institucionet e Kosovës po funksionojnë normalisht dhe janë duke u përmbushur mjaft objektiva në konsolidimin dhe legjitimimin e tyre. Kjo dëshmon gjithashtu se klasa politike kosovare ka një pjekuri të madhe në vendimet e saj gjatë momenteve më thelbësore për Kosovën, duke përdorur mjetet institucionale dhe ligjore për koordinimin e zbatimin e reformave kyçe dhe të politikave strategjike të shtetit.

Gjithashtu, me këtë rast dëshiroj të nënvizoj dhe mbështetjen e jashtëzakoshme që ka kryer komuniteti ndërkombëtar në stabilizimin e situatës në vend, pa të cilën nuk do të ishte e mundur të kishim këto përparime në ngritjen e një shteti ligjor dhe demokracie funksionale në Kosovë.” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›