E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Vendimi për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, akt madhor besimi për Kosovën e pavarur dhe arritjet e saj si shtet

Në fjalën e mbajtur para deputetëve, në mbledhjen e Grupit parlamentar të PD, Kryeministri Berisha u përqendrua tek vendimi historik që komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës marrin në Vjenë, për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Duke e cilësuar këtë, si një ditë historike për mbarë shqiptarët, kryeministri u shpreh se vendimi në fjalë përbën një akt tjetër madhor besimi të paprecedent për shtetin e Kosovës, për Kosovën e pavarur, për  standardet që ky vend ka realizuar në një kohë të shkurtër.

Me këtë rast, kryeministri Berisha i përcolli në emër të qeverisë shqiptare dhe të deputetëve demokratë, përshëndetjet me të përzemërta dhe më vëllazërore qytetarëve të Kosovës, institucioneve të saj, qeverisë së Kosovës, që me përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër,  vendi dhe shoqëria e tyre të meritojë këtë besim të madh.

Duke vlerësuar këtë, si ditën më të rëndësishme në historinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri u shpreh:

“Sot është një ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, në Vjenë, komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës vendosin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo është një ditë  e veçante për Kosovën, një ditë historike për të, pas pavarësisë arritja  e më e madhe për të. Kjo është një ditë historike për të gjithë shqiptarët dhe natyrisht është një moment mirënjohje për të gjithë ata, që mbështetë autoritetet e Kosovës, qytetarët e këtij vendi që dolën nga  një luftë shkatërrimtarë, të cilët mbështetën gjatë gjithë këtyre viteve për të ndërtuar institucionet  e tyre, për të ndërtuar shtetin ligjor, funksionimin e demokracisë dhe të tregut të lirë. Është një vlerësim maksimal për qytetarët e Kosovës, për autoritet e Kosovës, institucionet shtetërore, administratën qeveritare, shoqërinë civile të Kosovës, të cilët arritën me përkushtim të madh ndaj vlerave të demokracisë dhe ligjit të meritojnë sot, më 2 korrik vendimin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, që përbën dhe një akt tjetër madhor besimi të paprecedent për shtetin e Kosovës; për Kosovën e pavarur; për  standardet që ky vend në një kohë të shkurtër ka realizuar në respektim të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut, në respektim të plotë të lirive dhe të drejtave të minoriteteve, në zbatim të ndershëm dhe rigoroz të projektit të Presidentit Ahtisari për Kosovën e pavarur dhe qëndrimet e qarta të autoriteteve të Kosovës për të shndërruar Kosovën në një  faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon; në angazhimin e tyre në një proces të vështirë, por serioz negociatash me Serbinë për zgjidhjen e problemeve të mbetura; në luftën e tyre eficente kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pra mendoj se kjo ditë është një ditë ndër më të rëndësishmet në historinë e Republikës së Kosovës dhe me këtë rast dua të përcjell në emër të qeverisë dhe në emrin tuaj përshëndetjet me të përzemërta dhe më vëllazërore për të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet e këtij vendi, qeverinë e Kosovës, që me përkushtimin e tyre, vendosmërinë e tyre bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër,  vendi i tyre, shoqëria e tyre të meritojë një besim të madh kryesor.

Dua të falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur këtë arritje madhore. Dua të garantoj qeverinë e Kosovës dhe qytetarët e këtij vendi se qeveria shqiptare është dhe do të mbetet e vendosur për bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm, ndërtimin e të ardhmes sonë të përbashkët në BE, do të mbështesë Kosovën, në të gjithë rrugën e saj drejt integrimit në institucionet euroatlantike."


02/07/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›