E Diel, 1 Nëntor 2026

KM Berisha pret delegacionin e kryesuar nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saracini

Kryeministri Berisha priti sot, në takim, një delegacion maqedonas, të kryesuar nga ministri i Ekonomisë Z.Valon Saracini.

Z.Saracini vuri në pah marrëdhëniet e mira ekonomike që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Në këtë kuadër, së shpejti do të mblidhet Komiteti i Përbashkët Ekonomik i ngritur në kuadrin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes Shqipërisë e Maqedonisë, për të diskutuar më tej mbi çështje me rëndësi ekonomike reciproke, për të dy vendet. Me rëndësi, u shpreh Z.Saracini, është edhe intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen, por edhe ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, në shumë aspekte ekonomike.

Z. Saracini bëri një ekspoze të ecurisë së projekteve me rëndësi ekonomike të ndërsjellë të tilla si linja e interkonjeksionit Elbasan-Manastir, apo të projekteve tjera me rëndësi zhvillimore të ndërmarra nga Maqedonia në fushën e energjisë hidrike, industrisë minerare apo të turizmit.

Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi në shumë sektorë është plotësisht i mundshëm dhe me shumë vlerë mes dy vendeve tona dhe më gjerë, mes vendeve të rajonit. Për këtë qëllim, Kryeministri konsideroi me rendësi investimin në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, për të mundësuar hapjen e tregjeve si ndërtimi i linjës hekurudhore mes dy vendeve. Shqipëria, tha Kryeministri, ka progresuar në ndërtimin e arterieve kryesore infrastrukturore të Korridorit 8, të tillë si rruga Tiranë-Elbasan apo rruga e Arbrit.

Në këtë këndvështrim, nga Kryeministri Berisha dhe Z.Saracini u theksua nevoja për të bashkërenduar praktikat në aplikimet për projekte ndërshtetërore të përbashkëta mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, në fushat e infrastrukturës rrugore.


02/07/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›