Kryeministri Berisha: Ndeshja Itali-Spanjë, gërshetim i momenteve më kulminante të futbollit evropian dhe atij botëror

Në nisje të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë demokratike, Kryeministri Berisha ndau me deputetët disa impresione të krijuara gjatë ndjekjes së ndeshjes finale të Kampionatit evropian të futbollit 2012, të cilën kryeministri e kaloi nën shoqërinë e të rinjve sportdashës, të kryeqytetit.
Kryeministri u shpreh se ndeshja më emocionuese e cila kurorëzoi kampionatin, ishte një gërshetim i momenteve më kulminante të futbollit evropian dhe atij botëror. “Ajo lojë, për mua, që nuk shoh shumë ndeshje, ishte më e bukura që kam parë në jetën time. Më riktheu momente nga Holanda e viteve 70, aty kishte një gërshetim të momenteve më kulminante të futbollit evropian dhe atij botëror.” - komentoi Kryeministri.
Kryeministri i përshkroi kështu, përshtypjet e tij mbi ndeshjen e mbrëmshme:
“Para se të kaloj në probleme thelbësore, nuk mund të mos them 2 fjalë për ndeshjen e mbrëmshme, e cila ishte një eveniment botëror për futbollin. Ishte botëror sepse përballeshin mbrojtja më e mirë me sulmin më të mirë. Ajo që më bëri përshtypje ishte se aty ku rrija unë në tavolinë, dy të krahut të djathtë dhe dy të krahut më majtë ishin me Italinë. Vetëm Fabiani ishte me Spanjën. Ajo lojë, për mua, që nuk shoh shumë ndeshje, ishte më e bukura që kam parë në jetën time. Më riktheu momente nga Hollanda e viteve 70 , aty kishte një gërshetim të momenteve më kulminante të futbollit evropian dhe atij botëror. Gjatë ndeshjes, vëzhgoja miqtë e mi, me të cilët po e shihja ndeshjen dhe çdo sulm i shkëlqyer i Spanjës, në fillim nuk përjetohej njëlloj. Ndihesha i vetmuar, kisha vetëm Fabianin, i cili sigurisht fluturonte nga gëzimi, Gerti i vetëpërmbajtur, ndërsa ata dy të tjerët sigurisht që ishin me Italinë. Në pjesën e dytë u bënë të gjithë me Spanjën, jo se e tradhtuan Italinë, por nuk i rezistuan dot lojës së papërsëritshme të ekipit spanjoll. Në fillim të ndeshjes, vjen mesazhi, direkt nga stafi i Edi Ramës: Rama- thotë e deklaroi- është me Italinë: Lëre , thash, e mora vesh rezultatin sapo e pashë. Me kë je ti -më thanë. Unë e kam të zgjidhur-thashë, jam me atë që fiton. Fabiani u thotë shokëve dhe shoqeve që ishin aty: Winner take it all. I mori Spanja të gjithë evropianët dhe botërorët. Kurorë futbolli si kjo, kohërat nuk mbajnë mend.
02/07/2012