E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron Presidentin e ri gjerman, Kristian Vulf

2 korrik 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi zotit Kristian Vulf me rastin e zgjedhjes së tij në postin e lartë të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë.

“I nderuar Zoti President,

Kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t’Ju dërgoj urimet më të përzemërta dhe më miqësore me rastin e zgjedhjes Suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë!

Dëshiroj të shpreh besimin se miqësia dhe niveli shumë i mirë i marrëdhënieve midis dy vendeve tona do të vazhdojë të konsolidohet dhe të zhvillohet në vazhdimësi, në të mirë të dy popujve tanë miq.

Gjej rastin, Zoti President, të nënvizoj veçanërisht faktin se Shqipëria çmon lart mbështetjen që Gjermania ka dhënë dhe i jep asaj gjatë proceseve integruese në strukturat e familjes së përbashkët euroatlantike dhe evropiane.

Duke ju uruar edhe një herë suksese në misionin tuaj dhe duke shprehur dëshirën time për një takim të afërt me ju, lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – thuhet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›