E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron këngëtaren e mirënjohur shqiptare, Vaçe Zela, me rastin e 70-vjetorit të lindjes.

7 prill 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një telefonate të ngrohtë e të përzemërt, i shprehu sot urimet më të përzemërta Artistes së Popullit dhe Nderit të Kombit, këngëtares së madhe shqiptare, Vaçe Zela, me rastin e 70-vjetorit të lindjes.

Presidenti Topi, duke vlerësuar interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëve të muzikës së lehtë e popullore shqiptare së këngëtares Vaçe Zela, që me zërin e jashtëzakonshëm mbushte me energji skenat shqiptare me këngët që edhe sot mbeten tepër të preferuara nga publiku, i uroi ikonës së shenjtë të muzikës shqiptare shëndet dhe jetë të gjatë.

Presidenti i Republikës theksoi se figurat e shquara kombëtare, perlat e muzikës shqiptare, gjithnjë do të jenë në vëmendjen e shtetit shqiptar dhe do të kenë mbështetjen e duhur për kontributin e dhënë në evidentimin e vlerave të artit e të kulturës shqiptare.

Këngëtarja e madhe dhe e papërsëritshme e muzikës, talenti i rrallë dhe i spikatur i së cilës e ka vendosur në panteonin e artistëve të kombit tonë, Vaçe Zela e falenderoi Presidentin Topi përzemërsisht për urimet, por sidomos për kujdesin e veçantë e të vazhdueshëm që tregon për figurat e shquara të artit, duke i uruar edhe atij suksese në krye të shtetit shqiptar.

Sonte në darkë, në Pallatin e Kongreseve, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Teuta Topi do të zhvillohet një mbërmje “Gala” për nder të këngëtares së madhe: “Vaçe Zela, një grua, një mit”. Ky koncert, i cili gëzon vëmendjen e veçantë të Zonjës së Parë, Teuta Topi është i pari i këtij lloji kushtuar këngëtares së shquar në 70-vjetorin e lindjes së saj dhe në të do të këndohen rreth 15 këngë nga artistë të ndryshëm si Qemal Kërtusha, Irma Libohova, Myfarete Laze, Sidrit Bejleri , Vikena Kamenica, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›