Nesër në Bruksel, në selinë e NATO-s, ngrihet flamuri shqiptar; Kryeministri Berisha kryeson delegacionin shqiptar
Kryeministri Berisha u nis, sot në drekë, për në Bruksel, për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në selinë e NATO-s, për ngritjen e flamurit kombëtar të Shqipërisë dhe Kroacisë, si dy anëtarët më të rinj të Aleancës, përkrah flamujve të 26 vendeve anëtare të NATO-s.
Në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Sheffer do të jenë të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë, të kryesuar nga Kryeministri Berisha dhe Kryeministri kroat Sanader, në përbërjen e të cilëve do të jenë edhe ministrat e Punëve të Jashtëm respektiv dhe ambasadorët e të dy vendeve në NATO.
Banda ceremoniale e NATO-s do të luajë fillimisht himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe himnin e NATO-s.
Këtë ceremoni do ta përshëndesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hoop Sheffer dhe më pas, do të mbajnë fjalët e tyre të rastit Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kroacisë Sanader.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri do të ketë takime dhe bisedime me personalitete të pranishme në këtë ceremoni.
06/04/2009