E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton Selinë e Komunitetit Mysliman dhe Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për Kurban Bajramin. &nbsp

27 nëntor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan sot në ditën e Kurban Bajramit Selinë e Komunitetit Mysliman tek godina e Medresesë, “H. Mahmud Dashi” dhe më pas Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ku u mikpritën nga Kryetari Komunitetit Musliman, Haxhi ing. Selim Muça dhe në vijim nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Presidenti dhe Zonja e Parë shprehën urimet më të ngrohta e të përzemërta për këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen me besimin se ditë të tilla kremtimi sjellin gëzim, dashuri, mirëkuptim e harmoni në familjet tona, po ashtu nxisin besimin tek një e ardhme më e sigurtë dhe e begatë.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës u shpreh për mediat e pranishme se “Së pari më lejoni që në këtë ditë të shënuar të jap urimet më të mira për besimtarët myslimanë, por besoj edhe për të gjithë shqiptarët, të cilët dinë shumë mirë t’i gëzojnë festat e njëri-tjetrit!

Besoj se është një ditë ku të gjithë duhet të inspirohen për rritjen e begatisë së shpirtit kundrejt varfërisë shpirtërore që doemos, dita-ditës duhet ta lemë pas. Unë dëshiroj që këtë mesazh ta japim jo vetëm për myslimanët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe për ata që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, kudo ku ata e kanë ndërtuar jetën mbi bazën e filozofisë islame, e cila në fakt është një filozofi e paqes, e komunikimit njerëzor dhe kjo do të ndihmonte shumë edhe për rregullimin e shumë aspekteve shoqërore që janë të domosdoshme për të ngritur një të ardhme shumë më të mirë se ç’kemi sot.

Me këtë rast edhe juve ju uroj përzemërsisht për këtë festë të veçantë!

Unë preferoj që të mos ta ngatërrojmë këtë ditë me tema politike, sepse jemi intoksikuar nga politika. Duhet që në jetë të kemi balancën e duhur! Kur festojmë festat fetare, duhet t’i japim më shumë hapësirë kësaj feste! Kur inaugurojmë vitin e ri shkollor duhet patjetër t’i japim më shumë hapësirë! Kur kemi evenimente kulturore, t’u japim më shumë hapësirë! Pra jeta nuk është vetëm politikë. Ka nevojë për politikë, për argëtim. Ka nevojë të flasim për mirëqenie, për ekonomi dhe mbi të gjitha ka nevojë të flasim për komunikim njerëzor, që është shumë i domosdoshëm në ditët e sotme. Pa komunikim njerëzor, pa komunikim civil midis njëri-tjetrit nuk ndërtohet e ardhmja. Ky është mesazhi që kam për të gjithë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›