E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e Presidentit Topi për emisionin “Opinion” në Televizionin “Klan”.

26 nëntor 2009

Gazetari: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues! Ju flas nga një studio e improvizuar e emisionit “Opinion” nga Pallati Presidencial shqiptar me një intervistë të drejtëpërdrejtë me Presidentin e Republikës, SH.T.Z. Bamir Topi. Siç e keni ndjekur dhe nga njoftimi i tre ditëve të fundit, intervista do të fokusohet tek zhvillimet politike korrente, të cilat kanë marrë një tension shumë të madh, të paktën kanë pasur një intensitet mjaft të madh në dhjetë ditët e fundit.
Zoti President, mirëmbrëma dhe falemnderit që pranuat ftesën!

Presidenti Topi: Mirëbrëma. Është kënaqësi!

Gazetari: Siç e keni ndjekur edhe sot gjatë punimeve të Parlamentit edhe nga momenti në moment ka pasur një tensionim midis Kryeministrit dhe kreut të opozitës. Një tensionim, i cili është një përmbyllje e një tensionimi thuajse një javor. Si ndihet Presidenti i Republikës në këtë situatë, tensionim verbal flasim gjithomonë?

Presidenti Topi: Natyrisht që shqetësim kam, shqetësim institucional do të thoja. Do të preferoja të mos hyja në komentet e debatit politik të ditës.

Gazetari: E keni ndjekur debatin e këtyre 10-12 javëve të fundit?

Presidenti Topi: Natyrisht është pjesë e detyrës dhe pjesë e një angazhimi qytetar. Cilido, qoftë ky President, qoftë ky politikan, qoftë ky qytetar i thjesht në çdo lloj profesioni patjetër është i përfshirë në këtë komunikim me median, e cila në mënyrë dominante ka përcjellë të gjithë elementet politike dhe padyshim ajo që e bën më tërheqëse këtë punë është pjesë e debatit të fortë politik.

Gazetari: Zoti President, sot Parlamenti Evropian ka aprovuar një rezolutë, në të cilën flitet me tone mjaft pozitive për zhvillimet në Shqipëri, por mbi të gjitha është një lloj çertifikimi i rrugës së Shqipërisë drejt integrimit evropian. Si e komentoni ose si e lexoni ju këtë Rezolutë?

Presidenti Topi: Padyshim jo vetëm tek Rezoluta e Parlamentit Evropian, por në mënyrë të vazhdueshme kemi parë një reagim pozitiv të institucioneve ndërkombëtare, të cilat në mënyrë të qartë kanë përcaktuar perspektivën e Shqipërisë në familjen evropiane. E kam thënë dhe kohë më parë, kam rastin ta ripërsëris sonte, Shqipëria ka një avantazh shumë të madh. Sot Shqipëria ka statusin e vendit anëtar të NATO-s që në një farë mënyre është gjysma e rrugës së përshkruar integruese për t’u futur në BE. Natyrisht rruga për në BE është një rrugë relativisht më e gjatë, por unë kam një bindje absolute që kjo rrugë po përshkohet me siguri dhe kjo shikohet jo thjesht në rrugën që bën Shqipëria, institucionet, por dhe nga mënyra sesi po absorbohet nga faktori politik dhe institucional i Evropës. Kështu që jemi mësuar në takime bilaterale, në tavolina rajonale, në takime me partnerë të ndryshëm të familjes evropiane, jemi mësuar të shohim një lloj predispozicioni të shtuar për të na pasur në gjirin e tyre.

Gazetari: Pra ekziston kjo predispozitë realisht?

Presidenti Topi: Në mënyrë absolute po. Këtu nuk ka asgjë për ta vënë në dyshim. Unë e shikoj çdo ditë dhe ju siguroj që prej vitesh ne presim, përcjellim, marrim pjesë në aktivitete që organizohen në mes të Evropës, tavolina rajonale ku flitet thjesht për integrimin në BE. Është një çështje kohe, por besoj koha nuk është në terma të gjata, do të thoja është një kohë relativisht e shkurtër për të cilën unë kam besim që Shqipëria do të jetë patjetër relativisht shpejt një vend i BE-së.

Gazetari: ǒdo me thënë shpejt në BE? A ka një datë?

Presidenti Topi: E kam thënë dhe herë tjetër, e them dhe sonte. Nuk jam unë për të përcaktuar një datë. Unë thjesht bëj analizat e mia. Natyrisht nuk janë analiza haluçinante, të një njeriu që do si çdo shqiptar tjetër për të qenë pjesë e Evropës, por patjetër analizë e vendosur në një terren real informacioni me partnerë. Ne po takojmë partnerë shumë të rëndësishëm që dikur nuk kishim rastin t’i takonim.

Gazetari: A do të futet analiza juaj në një promovim të Kryeministrit Papandreu që vendet e Ballkanit Perëndimor të futen në BE në 2014 me rastin e 100-vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, që ka nisur pikërisht në Ballkan?

Presidenti Topi: Unë pata rastin ta ndaja këtë bisedë me Ministrin Plotësues që erdhi para pak ditësh në Tiranë. Unë e konsideroj jo thjesht një deklaratë politike, por e ndjej racionale dhe të mundshme për t’u realizuar. Sot jemi në vitin 2009. Viti 2014 është një afat i pranueshëm duke parë rrjedhat e logjikshme të integrimit të Shqipërisë në rajon dhe në BE.

Gazetari: Sa problem është për Shqipërinë apo dhe për qeverisjen bojkoti që opozita i ka bërë Parlamentit në këtë drejtim?

Presidenti Topi: Natyrisht unë do ta doja ta shikoja Parlamentin të plotë. Padashur të jem inflacionist në thirrjet e mia, unë kam bërë mesazhet e mia sidomos duke u fokusuar tek fillimet e punës së Parlamentit, por do të thoja që institucionet në përgjithësi, ajo që i intereson më shumë çdo qytetari dhe Presidentit të Republikës, institucionet vazhdojnë të funksionojnë dhe do të ishte kuadri i plotë sikur të gjithë të ishin të angazhuar në linjë institucionale. Gjithësesi nisuar nga klima politike, nisur nga debati politik i ditës dëshiroj pikërisht të qëndroj në ato deklarata që unë kam bërë.

Gazetari: Që janë dhe një herë...?

Presidenti Topi: Dhe një herë është ajo që e kam thënë dhe në mënyrë zyrtare, që janë në prononcimin për Parlamentin e Shqipërisë, si një angazhim i Presidentit për të inaguruar punimet e Parlamentit shqiptar në legjislaturën e re. Çka do të thotë që Parlamenti shqiptar është jo thjesht në këndvështrimin tim, por në këndvështrimin e të gjithëve, tempulli i demokracisë dhe besoj që kjo është në koshiencën e gjithësecilit.

Gazetari: Zoti President, cili është gjykimi ose deklarimi juaj për zgjedhjet e 28 qershorit duke pasur parasysh gjithë situatën e krijuar nga kjo dhe duke pasur faktin që ka pasur kritika nga media ndaj jush për arsye se nuk jeni shprehur për një periudhë kohe dhe keni pritur të deklaroheni institucionalisht në fund të konsumimit të ...?

Presidenti Topi: Atëherë më lejoni të bëj një analizë të ekuilibruar dhe pak në retrospektivë. Ju e dini që në 21 prill të vitit 2008 Parlamenti shqiptar me një konsensus të gjerë realizoi ndryshimet kushtetuese...

Gazetari: Me 115 vota.

Presidenti Topi: Ka qenë një nga dekretet që e kam firmosur në kohë rekord duke marrë në konsideratë konsensusin e gjerë...

Gazetari: Megjithëse cënonte në një farë mase dhe Institucionin e Presidentit?

Presidenti Topi: Në mënyrë absolute nuk është parë në këtë sens. Unë kam bërë një analizë në kohën e duhur për të pasur më shumë diskutim rreth një dokumenti që është dokumenti themeltar i shtetit. Në këtë sens unë do të preferoja që të kishim një diskutim më të gjerë, por e mbyllur nga politika në Parlament, preferova që të mos diskutoj më dhe ta firmos dekretin për të kuptuar që nuk ka të bëj me një pozicion personal të Presidentit, por është një pozicion që i takon sipas Kushtutës dhe Presidenti për definicion është garant i Kushtetutës, pra ndikon në ndryshimet kushtetuese, për të ardhur në pyetjen tuaj, pat një ndryshim radikal në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në shtatë anëtarë në Kushtetutën e vjetër parashikohej që dy anëtarë të KQZ-së zgjidheshin nga Parlamenti duke qenë të kujdesshëm për të ruajtur balancën politike, dy anëtarë zgjidheshin nga Presidenti i Republikës dhe tre anëtarë nga KLD-ja. Marrë në konsideratë që Presidenti është dhe Kryetari i KLD-së, marrë në konsideratë që, ata që zgjidheshin nga KLD-ja ishin të pozicionit jurist. Duke parë ndryshimet radikale kuptohet qartë që kur pozicioni i KQZ-së është një pozicion partiak ku Presidentit i hiqet mundësia e përfaqësimit . Duke ruajtur në mënyrë shumë rigoroze natyrën e Institucionit dhe pozicionit, i cili duhet të jetë shumë i kujdesshëm, kam preferuar që të kem disa pika reference të rëndësishme sikurse është KQZ-ja, që është një institucion bazë, që bën çertifikimin e rezultatit, gjykatat që janë shumë të rëndësishme t’i referohesh, dhe një pikë shumë e rëndësishme referimi është raporti i monitorit ndërkombëtar që është OSBE/ODIHR. Për Presidentin nuk mund të ketë referencë tjetër. Çdo analizë e bërë gjatë rrugës, çdo analizë jashtë këtyre tre pikave të referencës do ta vendoste Presidentin në një pozicion subjektiv dhe patjetër do ta fuste në vorbullën e debatit politik. Pra të marrësh këto tre referenca, janë tre referenca zyrtare, të cilat janë pranuar nga klasa politike dhe konsiderohen institucione, të cilat janë pjesë e netuorkut të çertifikimit të rezultatit. I ka qëndruar këtyre insitucioneve dhe vazhdoj t’i qendroj edhe tani që po flasim bashkë. Sa kohë këto institucione nuk ishin shprehur atëherë Presidentit nuk i jipej mundësia që të bënte analiza të karakterit subjektiv për t’u shprehur para kohe.

Gazetari: Ky ka qenë shkaku i asaj që konsiderohej vonesa juaj në deklarimin për rezultatin e zgjedhjeve?

Presidenti Topi: Në mënyrë absolute. Ju e dini natyrën time. Unë, çfarë kam, e them në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk kam absolutisht asgjë underground. Janë tre pika të forta reference që vlejnë edhe për ditën e sotme.

Gazetari: Cili është përcaktimi ose etiketimi që mund t’i bëni zgjedhjeve të 28 qershorit?

Presidenti Topi: Patjetër që janë ato që jepen nga KQZ-ja, nga Gjykatat e Apelit dhe nga monitorët. Referuar raportit të OSBE/ODIHR-it, aty ka një raport shumë kompleks, i cili jep arritjet natyrisht që jep edhe defektet. Besoj që është një raport që është pranuar nga partitë politike. Së paku partitë politike nuk i referohen negativisht këtij raporti, por i referohen në mënyrë shumë të kujdesshme, sepse presupozohet që monitorët ndërkombëtarë janë arbitra të specilizuar në këtë drejtim. Nuk ka dorë subjektivizmi dhe jemi të prirur që ta pranojmë ashtu sikurse ato e kanë demonstruar. E thënë ndryshe në trajtën e një raporti apo mesazhi unë e kam thënë në fjalën inagurale para deputetëve të Parlamentit shqiptar.

Gazetari: Kur jemi para një situtate ku opozita i konsideron këto një shans i humbur; zgjedhje të dështuara dhe ka refuzuar të hyjë në Parlament ndërkohë që mazhoranca i konsideron këto zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar këto 10 vjet në Shqipëri.

Presidenti Topi: Unë ju thashë në fillim të bisedës sonë që unë nuk preferoj të futem në debatin politik të ditës, por ju dhashë tre referenca të cilat janë të qëndrueshme, janë stabël, pavarësisht kohës kur ne po e diskutojmë ose do ta diskutojmë.

Gazetari: Në takimet pak më të rezervuara që ju keni pasur me autoritet ndërkombëtare që natyrisht kanë pasur informacion për zgjedhjet. Cili është opinionin i tyre për zgjedhjet e 28 qershorit në raport me procesin zgjedhor?

Presidenti Topi: Përgjithësisht ka qenë një trajtim në linja të përgjithshme. Kur është diskutuar kohë pas kohe në fuksion të klimës paraelektorale, të ditës të zhvillimit të zgjedhjeve dhe e klimës postelektorale. Pra, duhet thënë që kemi pasur një rrugë relativisht të gjatë të trajtimit të zgjedhjeve që do të zhvilloheshin në Shqipëri. Fillimisht kanë qenë problemet që kishin të bënin me regjistrimin e popullsisë, me kartat e identitetit, pra në përgjithësi me realizimin e infrastrukturës zgjedhore. Problemi më i rëndësishëm ka qenë dita e zgjedhjeve çka ju e dini shumë mirë që kemi qenë të angazhuar pë të dhënë mesazhe qetësie dhe besoj që ka qenë një ditë shumë e qetë. Një ditë e cila nuk dallonte nga standardi i zgjedhjeve nga një vend i BE-së. Pastaj kemi pasur diskutime për periudhën postzgjedhore, për kohën e daljes së rezultatit, për çështjet e numërimit. Pra mendimet kanë qenë nga më të ndryshmet, por edhe një herë duke marrë në konsideratë pozicionin delikat të Institucionit të Presidentit le të qendrojmë besnik tek ato tre referenca, të cilat janë bazë për gjykimin dhe që e bëjnë pozicionin e Presidentit që të jetë neutral dhe objektiv.

Gazetari: A keni pasur ju presion për t’u shprehur më herët nga gjykimi i këtyre tre institucioneve nga njëra palë apo tjetra. Presione qoftë publike, qoftë nën të?

Presidenti Topi: Ajo që ju e demonstruat ndërmjet pyetjes tuaj është një presion në distancë. Nuk besoj që të ketë shansin njeri që të bëjë presion tek Presidenti për t’u shprehur, por duhet të kenë durimin për çështje nga më të rëndësishmet që pozocioni i Presidentit është një pozicion i cili duhet të jetë shumë i maturuar, duhet të jetë një dalje objektive dhe në kohën e duhur. E rëndësishme është që Presidenti nuk rri pa u shprehur.

Gazetari: Zoti President, partitë e opozitës ose një pjesë përveç PBDNJ-së kanë kërkuar hapjen e kutive dhe rinumërimin në disa ndër zonat elektorale të vendit, një numër zonash elektorale të vendit dhe e kanë lënë këtë si kushtin bazë për hyrjen në Parlament. Cili është opinioni juaj për atë që konsiderohet ose në gjuhën popullore quhet hapja e kutive?

Presidenti Topi: Preferoj të mos ndërhyj në debatin politik të ditës. Janë pjesë e opsioneve politike të partive politike. Marr në konsideratë edhe faktin që ju thashë për zërin e Presidentit në KQZ, që e kishte dhe nuk e ka, i jep pamundësinë Presidentit për të qenë aktiv edhe në diskutimin në fjalë. Pra fakti që iu referova KQZ-së, gjykatave dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, unë preferoj ta kufizoj, ka inkapsuloj të gjithë bisedën në këto tre referenca. Pjesa tjetër është pjesë e një debati politik, e vullnetit politik të forcave politike ku detyrimisht dëshira, tentativa për të përfshirë Presidentin në këtë debat do të ishte e padobishme.

Gazetari: Zoti President, gjithësesi pak ditë më parë shtypi ishte shprehur që ju ishit vetofruar, në fakt nuk ishte korrekte si terminologji, për të bërë negociatorin midis dy palëve për një gjetjen e një zgjidhje për situatën. Mund të ma sqaroni këtë moment?

Presidenti TopiMë lejoni të bëj nëpërmjet jush, që jeni përfaqësues i nderuar i medias të bëj një vërejtje miqësore për median, për të cilën unë gëzoj një respekt të plotë dhe në çdo rast dhe në çdo lloj rrethane. Kur Presidenti shprehet në mënyrë lakonike duhet patjetër për ta vënë në sinkron. Nuk mund të bësh koment mbi komente dhe mjafton një titër në një televizion e vënë gabim dhe atëherë kjo shërben për të deformuar totalisht mesazhin që jep Presidenti. I pyetur nga gazetari ‘nëse është koha’, i thashë që ‘koha nuk është, sepse kam ardhur për një ngjarje tjetër, për të kujtuar profesorin e nderuar Teki Biçoku. Për të respektuar median i kam thënë pikërisht atë që shprehet në Kushtetutë që në çdo kohë, për çdo gjë që është në funksion të dialogut, në parim, në princip kam thënë që Presidenti është gjithmonë në pozicionin e vet kushtetues, por në rastin konkret e përkthyer ndryshe ose e perifrazuar ndryshe, gjithçka ka të bëjë me vullnetin politik të partive politike. Ka pasur mendime të ndryshme nga ana e medias që unë i kam dëgjuar dhe ju i keni dëgjuar se cili duhet të jetë roli i Presdientit në këtë mjedis politik të trazuar. Duhet patjetër që të thellohem, të bëj një analizë më të thellë të situatës poltilike të të gjitha rrethanave që kanë sjellë një kompozim të ri të Parlamentit, duhet patjetër.

Gazetari: Çdo të thotë kjo?

Presidenti Topi: Do të thotë që të mos mbesim në deklarata të thata metafizike pa iu drejtuar skemës politike sot në Shqipëri. Dikur para ligjit të ri elektoral, ju e dini shumë mirë që Parlamenti shqiptar kishte shumë parti politike.

Gazetari: Dhe ju keni marrë disa herë nisma për t’i mbledhur këto parti politike.

Presidenti Topi: Patjetër kishte shumë aktorë, ndër ta mbas ligjit të ri patjetër që kemi një polarizim të jetës politike, pra nga të gjithë pranohet që janë dy faktorë kryesorë.

Gazetari: Partia Demokratike dhe ajo Socialiste.

Presidenti Topi: Pra është shumë e thjeshtë për të identifikuar vullnetin politik tek aktorët politikë. Unë nuk do të preferoja kurrë që të ndërmerrja një hap pa pasur shenja sado të dobëta të të gjitha palëve ose më mirë të dy palëve për të hyrë në një dialog dhe kjo është parimore dhe nuk ka të bëjë fare me rastin konkret, çka do të thotë që shprehja është keqinterpretuar është deformuar dhe patjetër ka marrë një konotacion që sot vjen edhe në formën e një pyetje.

Gazetari: A mund të negociojë Presidenti në situatën aktuale për të gjetur një zgjidhje midis të palëve?

Presidenti Topi: Natyrisht nëse do të kërkohet, pavarësisht nga situata, nga palët. Unë nuk shoh të ketë asnjë lloj sinjali. Nuk pres të ketë një lloj sinjali. Është një çështje e ballafaqimit politik të palëve, të cilat sikurse e kanë gjetur vullnetin në të kaluarën mund ta gjejnë edhe tani për të bashkëpunuar. Ajo që bën Presidenti që është në të drejtën e tij kushtetuese, besoj edhe në një pozicion qytetar që do e bënte gjithësekush, do të inkurajonte dialog, por nuk mund të vetëpozicionohet për t’u bërë mediator midis dy palëve që mund ta rregullojnë vetë të gjithë klimën e dialogut.

Gazetari: Përse mund të negociojnë këto dy palë? Kam ndjekur katër ditët e fundit me shumë vëmendje që e gjykojnë Presidentin sipas mendimeve të komentatorëve. Një palë mund të negociojë, sepse ka një vendim gjykate që në parim është i panegociueshëm dhe Presidenti e respekton dhe një palë tjetër që thoshte që pavarësisht vendimit të gjykatës, Presidenti duhet të negociojë si palë për të gjetur një zgjidhje të krizës.

Presidenti Topi: Përsa i përket çështjes së zgjedhjeve unë po e them në mënyrë shumë esplicite: nuk futem në këtë debat! Nuk futem në këtë debat sepse KQZ-ja është e kompozuar me një profil partiak, çka do të thotë ka qenë vullneti i palëve për të ndërtuar KQZ-në. Nëse Presidenti do të kishte një përfaqësues atëherë do të ishte detyrim kushtetues dhe moral që të ndërhynte. Fakti që KQZ-ja ka një kompozicion dhe programit që e çertifikon është përgjegjësia e tyre. Në mënyrë më absolute Presidenti nuk duhet të futet tek vendimi i gjykatave. Është kryetari i KLD-së. Ju e keni parë me vepra konkrete kur janë rrëzuar vendimet e KLD-së nga Gjykata e Lartë, unë i kam përshëndetur. Në mënyrë absolute nuk kam ndërhyrë duke i dhënë të drejtën që i takon Gjykatës së Lartë. Pra është parimi i pavarësisë që ka dhe Gjyqësori sikurse nuk mund të influencojë në raport me OSBE/ODIHR-in, pra janë tre referenca që unë i ripërsëris që më japin të drejtën që të mbaj këtë pozicion që kam mbajtur dhe nuk e shoh të arsyeshme që të ndërhyj, sepse janë mekanizma të cilat kanë çertifikuar. Janë ato tek të cilat partitë politike mund të gjejnë shpjegime.

Gazetari: Zoti Topi, a është Shqipëria sot në krizë të thellë politike. Opozita pretendon që është në krizë. Mazhoranca pretendon që gjithçka është duke ecur normalisht. Cili është gjykimi ose deklarimi juaj?

Presidenti Topi: Presidentit të Republikës i intereson në radhë të parë stabiliteti i institucioneve. Së dyti do të thoja dhe do të preferoja që institucionet të jenë të komplikuara në misionin e tyre. Kjo është dëshira e çdo Presidenti, i cili është garant i Kushtetutës dhe është garant i të gjitha atyre mekanizmave rregullatorë, që rregullojnë jetën politike dhe shoqërore dhe natyrisht jam garant i unitetit të popullit, që do të thotë që populli kur del në ditën e zgjedhjeve patjetër shpreh vullnetin, preferencat për parti të ndryshme politike. I kam shërbyer kësaj klime në linja kushtetuese dhe ju besoj e keni konstatuar që kam qenë shumë i kujdesshëm për të mos qenë i njëanshëm, pavarësisht nga bekgraundi im, sepse betimi i parë që bën Presidenti kur vjen në Presidencë është paanësia. Të jesh i paanshëm natyrisht duhet të kesh një predispozicion të konstitucionit të karakterit dhe mënyrën së sjelljes, të komportimit. Nuk është një gjë shumë e thjeshtë, atë që të thuash atë ta realizosh. Kjo mund të sjellë dhe pakënaqësi të çastit, por ky është detyrimi, detyrimi kushtetues, është detyrimi që e ke para kolegëve të tu, para atyre që të kanë zgjedhur duke u dhënë garancinë që ky institucion patjetër do të jetë korrekt me linjat e Kushtetutës duke pasur dhe një sjellje civile, një sjellje që të inkurajojë dialog, një sjellje që të inkurajojë qytetari dhe të japë garanci dhe për mjedisin shoqëror. Besoj e parë në këtë mënyrë Institucioni i Presidentit i jep pikërisht garanci në këto linja. Pra, duhet të jesh shumë i kujdesshëm të mos bëhesh palë e vendimmarrjeve politike që është diku tjetër. Derivati kryesisht është në Parlament.

Gazetari: Po në analizën tuaj, a është Shqipëria në krizë?

Presidenti Topi: Unë them që ka një përkeqësim të klimës së dialogut politik dhe kjo duket qartas, ka simptoma, pra në gjuhën mjekësore mund të kesh simptoma, por mund të mos kesh kuadër të plotë. Unë preferoj që kjo të rekuperohet shpejt në inkurajimin e të gjithë faktorëve patjetër politikë, institucionalë, të normalizohet dhe patjetër të shkojmë në një organizim të shëndoshë drejt rrugës së integrimit.

Gazetari: Jemi në një moment ku opozita ka vendosur një afat 10-ditor, për të mos përdorur fjalën ultimatum, për të mos abuzuar me termin siç ndodh rëndom në shtyp, ka vendosur nja afat 10-ditor që e konsideron kohë reflektimi për mazhorancën për hapjen e kutive. Në të kundërt, do të përshkallëzojë protestën. Ndërkohë mazhoranca është shprehur që nuk disktuton asnjë vendim gjykate që do të thotë që nuk hap asnjë kuti. A është kjo një situatë problematike për Shqipërinë?

Presidenti Topi: Sigurisht këto janë opsione politike dhe vullnete politike të partive respektive. Pra ju tentoni edhe një herë të më risillni ... Ju jeni pronar i pyetjeve, unë jam pronar i përgjigjeve, çka do të thotë që preferoj të respektoj vullnetet politike të partive, por në të njëjtën kohë inkurajoj, inkurajoj, inkurajoj, po e them tre herë, dialogun politik që është në të mirën të Shqipërisë.

Gazetari: Në gjykimin tuaj, si zgjidhet kjo situatë e përgjithshme? Është një situtatë ku mund të ndërhyhet në mënyrë institucionale apo është një situatë që partitë politike do ta zgjidhin vetë.

Presidenti Topi: Unë besoj që partitë politike e kanë treguar në retrospektivë që mbas një klime të ashpër debati relativisht të gjatë kanë ditur të gjejnë gjuhën e konsensusit dhe shifra që ju dhashë pak më parë për ndryshimet kushtetuese është impresionante, është 115 vota.

Gazetari: Që do të thotë, zoti Topi, që 115 vota që nuk prodhuan stabilitetin e premtuar. Pretendohej që 115 votat do të prodhonin një stabilitet politik të admirueshëm.

Presidenti Topi: Kjo do të thotë që partitë politike dhe vendimmarrjet politike kanë gjithmonë detyrimin që të implementohen në rregull. Çka do të thotë gjithashtu që kur kanë vullnetin politik për të realizuar ligje, është e domosdoshme që të jenë kompatibël në zbatimin e ligjeve. Jo gjithmonë qëllon që në Shqipëri realizohet kjo.

Gazetari: Ku dështuan zgjedhjet, zoti President? Cilat janë pikat e dobëta të zgjedhjeve? Ju thatë që dita e zgjedhjeve ishte e ngjashme me çdo...

Presidenti Topi: Atë që i kam thënë monitorit ndërkombëtar edhe një herë i referohem këtij raporti që kryesisht problemet filluan në zgjatjen e daljes së rezultatit dhe në procesin e numërimit në disa zona të izoluara.

Gazetari: Që mesa duket do të jetë një problem i vazhdueshëm i zgjedhjeve shqiptare.

Presidenti Topi: Unë besoj që duhet të kemi nxjerrë mësime nga i gjithë cikli i zgjedhjeve për të ardhur më së fundi në një palë zgjedhje që janë vërtetë të pakontestueshme.

Gazetari: Është diskutuar në mënyrë të vazhdueshme pothuajse të paktën këto 10 vjet që numëruesit partiakë të zëvendësohen nga numërues/ nëpunës civilë, gjykatës, prokurorë, mësues ose është hedhur dhe një opsion tjetër publik, sipas të cilit mund të vendoset numërimi elektronik. Pra siç u bë vëzhgimi elektronik në këto zgjedhje që mesa duket nuk dha rezultat, njëra palë po konteston të vendoset numëruesi elektronik. A mund të jenë këto opsione një zgjidhje?

Presidenti Topi: Këto mund të jenë dhe me sa di unë këto opsione janë hedhur në fazën e diskutimit.

Gazetari: Sa herë diskutohet Kodi

Presidenti Topi: Pra varet gjithmonë, unë e kam thënë dhe do ta them që gjithçka varet nga vullneti i partive. Këtu nuk është çështje e teknologjisë, bota i ka superuar momentet e teknologjisë. Nëse partitë politike bëjnë një kod zgjedhor, ku fatmirësisht këtë radhë nuk ishte in-extremis, ditën e fundit, siç ndodh zakonisht, kam pasur rastin të zgjedh edhe monitorimin e zgjedhjeve. Fakti që nuk kam zgjedhur tregon që nuk arritën më të mirën e tyre, sepse pranuan që të bëhet një lexim gjithësesi konsiderohet sa pozitiv...

Gazetari: A duhet të ndryshohet sërisht kodi elektoral ose a mund të përmirësohet?

Presidenti Topi: Ne kemi gjithmonë tendencën që të ndërhymë te Kodi në mënyrë të vazhdueshme. Unë nuk e shikoj të keqen tek ndryshimi i Kodit. Për ta ilustruar mund të them që unë kam qenë gjithmonë i “shpërblyer” nga ligji mazhoritar.

Gazetari: Ju personalisht?

Presidenti Topi: Unë personalisht. Megjithatë kam bërë analiza edhe për shtyp ku kam preferuar sistemin që jemi sot dhe kam dhënë shpjegime dhe argumentet e duhura pse Shqipërisë i duhet një ligj propocional rajonal.

Gazetari: Por ky ligj në të vërtetë i ka bërë padron partitë ...

Presidenti Topi: Kjo presupozon që niveli i demokracisë është në këtë stad. Ne kemi nevojë të përmirësojmë sikurse e përmirësuam. Unë mendoj që është një ligj shumë i mirë. Nuk është defekti i ligjit, është defekti i implementimit të ligjit. Ndërsa përsa i përket shkallës së demokracisë në parti, besoj që nuk është në pozicionin tim tani që të jap vlerësime, por partitë politike patjetër kanë nevojë që të rrisin shkallën e demokracisë së tyre.

Gazetari: Zoti President, cilat kanë qenë raportet tuaja paszgjedhore me Kryeministrin ose Kryetarin e PD-së Sali Berisha dhe me Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Rama?

Presidenti Topi: Unë mundohem sidomos në këto situata që të jem shumë institucional. Pra të jesh institucional do të thotë të jesh korrekt, të jesh korrekt me ligjin. Patjetër s’më ka munguar asnjëherë predispozicioni për të pasur një komunikim qytetar. Jam gjithmonë i prirur të kem komunikim civil dhe në linja institucionale. Kjo do të bënte që këto marrëdhënie të ishin të garantuara.

Gazetari: A është i vështirë roli i juaj mes presioneve që vijnë krejt të natyrshme nga palët për ta pasur Presidentin, qoftë dhe me deklaratë.

Presidenti Topi: Presidenti që është sot, më lejoni t’ju them ka një eksperiencë politike. Unë jo vetëm jam mësuar në terrenin politik madje në mjaft raste delikate kam qenë i mandatuar nga PD-ja atëherë kur isha Nënkryetar dhe Kryetar grupi që të dialogoja për të gjetur konsensuse edhe për raste të tilla krizash. Ekziston një eksperiencë politike ku një njeri ka konstitucionin dhe karakterin e fortë, por ka dhe eksperiencën besoj që shumë refratar ndaj presioneve.

Gazetari: Zoti President, a e keni takuar ju Kryeministrin Berisha dhe Kryetarin Rama veç e veç pas zgjedhjeve.

Presidenti Topi: Me Kryeministrin kam qenë në momentin kur u inaugurua qeveria, kur është dhënë e drejta për ta formuar qeverinë sipas Kushtetutës dhe në takime në organizime e ceremoni.

Gazetari: Edhe me zotin Rama?

Presidenti Topi: Jo nuk kam pasur takime publike.

Gazetari: Si e gjykoni ju si kreu i shtetit koalicionin midis PD-së dhe LSI-së. Ka pasur një presion të fortë politik sipas ligjit, LSI-ja kishte transferuar një votë kundër Berishës në një koalicion qeverisës të drejtuar nga Berisha?

Presidenti Topi: Kjo është një çështje e zgjedhjes ose e përzgjedhjes të partive respektive, ka referenca, eksperienca botërore. Ne jemi mësuar të marrim në konsideratë eksperienca europiane; kemi në Itali, kemi në vende të tjera të Evropës, në Gjermani ku realizohen...

Gazetari: Ka qenë shenjë normaliteti sipas jush?

Presidenti Topi: Kjo është pjesë e politikës për të garantuar, edhe në Kushtetutë jepet në mënyrë të qartë që jepet e drejta partisë politike që zë vendin e parë në zgjedhje, e cila nëse ka numrat e nevojshëm dhe është autosufiçient për të ndërtuar qeverinë, nëse nuk i ka këto numra i jepet e drejta për të ndërtuar koalicione dhe kur ka vullnete respektive për një koalicion qeveritar, ky është një proces normal. Peshën politike të vendndodhjes në këtë koalicion pastaj e merr çdo parti vetë pastaj është ajo përgjegjëse para votave të elektoratit dhe i takon atyre të bëjnë interpretimin. Nga pikëpamja e këtij aliazhi unë besoj që konsiderohet normale në demokracinë perëndimore, pra ndërtohen koalicione për të ndërtuar qeverisje, për t’i dhënë garanci institucionale stabilitetit të vendit.

Gazetari: Zoti President, meqënëse ju jeni Kreu i Shtetit, pra autoriteti më i lartë i shtetit dhe keni dekretuar një qeveri që kryesohet nga Kryeministri Berisha. Si është komenti juaj për përbërjen e qeverisë?

Presidenti Topi: Sigurisht që përbërja e qeverisë..

Gazetari: Keni pasur ju hezitime për të firmosur këtë qeveri?

Presidenti Topi: Absolutisht jo! Do të thoja që kam bërë edhe komentin para se unë të dekretoja qeverinë. Në mos gaboj ka qenë në ditën inaugurale të vitit të ri shkollor. I kam njohur të drejtën propozuesit që në rastin konkret është Kryeministri sipas Kushtetutës që të ketë të drejtën ekskluzive për të prezantuar qeverinë. Pra i takon Kryeministrit, i takon dhe Parlamentit sipas rregullave kushtetuese. Pra Presidenti bën vetëm dekretimin dhe i jep të drejtën Kryeministrit që të ndërtojë qeverinë. Këto janë rregulla kushtetuese të cilat nuk mund të lidhen me diskutime që janë bërë për çështje konkrete. Sikurse ka qenë rasti i ndonjë ministri që ka pasur probleme...

Gazetari: Bëhet fjalë për rastin e zotit Mediu.

Presidenti Topi: Edhe unë jam shprehur qartë që Presidenti më shumë se cilido tjetër i cili është dhe Kryetari i KLD-së ka të drejtën për të analizuar në sensin e prezumimit të pafajësisë përsa kohë gjykatat nuk janë shprehur dhe kjo më duket korrekte për pozicionin e Presidentit. Çdo analizë e kundërt do të ishte gabim sepse do të bënte një paragjykim. Vërtetë mund të jetë një proces, por nuk është thënë fjala e fundit e gjykatës. Ndërsa kohë është në proces konsiderohet prezumimi i pafajësisë një element substancial për të mos qenë interferues në kompozimin e qeverisë.

Gazetari: Zoti President, a vijojnë të jenë të tensionuara raportet tuaja me Kryetaren e Parlamentit zonjën Topalli?

Presidenti Topi: Unë asnjëherë nuk e kam parë në këtë këndvështrim.

Gazetari: Në mënyrë absolute?

Presidenti Topi: Sepse sikurse thashë .....

Gazetari: Mes politikanë ekzistojnë dhe kam përshtypjen që kjo është evidentuar vazhdimisht në ...

Presidenti Topi: Unë preferoj që të çtensionojë në çdo lloj rrethane edhe ato momente që mund të konsiderohen në tension.

Gazetari: Dhe ja arrini?

Presidenti Topi: Unë besoj që jam në pozicionin tim dhe i jap shumë rëndësi sikurse thashë marrëdhënieve institucionale. Deri më sot, ju e keni parë që nuk ka pasur asnjë lloj impasi në marrëdhëniet ndërinstitucionale. Besoj që ju nëse kapni një moment mund të ma thoni. Pra marrëdhëniet midis ekzekutivit dhe, Parlamentit, Presidentit për çështje dekretimi, për çështje të kopetencave kushtetuese unë besoj që jam në një terren institucional serioz. Sigurisht nuk jam më ato marrëdhënie që na ndanin në selinë e PD-së sepse ishte vetë aktiviteti, kontakti shumë i shpeshtë.

Gazetari: Kam përshtypjen që edhe atëherë do të kenë qenë disi të tensionuara?

Presidenti Topi: Jo, nuk besoj.

Gazetari: Kanë qenë më miqësore atëherë marrëdhëniet tuaja?

Presidenti Topi: Kanë qenë korrekte që kondicionohej edhe nga klima që krijohej, nga takime më të shpeshta. Tani tani secili mban një pozicion zyrtar

Gazetari: Jo vetëm zonjën Topalli, por dhe një pjesë e drejtuesve të PD-së. Ndoshta prej pozicionit tuaj si President, apo prej pritshmërisë që kishte mazhoranca?

Presidenti Topi: Nëse ju konstatoni këtë duhet patjetër të pyesni..

Gazetari: Duke iu referuar shtypit...

Presidenti Topi: Shtypi ka të gjithë të drejtën për të marrë në konsideratë marrëdhëniet. Sot ju po më pyetni në cilësinë e Presidentit. Unë preferoj që marrëdhëniet sikurse e kam demonstruar t’i kem korrekte, institucionale. Natyrisht nuk përjashtoj marrëdhëniet e karakterit njerëzor, të karakterit civil që është normale midis njerëzve që mbulojnë institucione të rëndësishme. Por ajo që duhet të prevalojë, që i intereson edhe publikut është pikërisht që marrëdhëniet institucionale konsiderohen korrekte, serioze.

Gazetari: Zoti President, meqë më thatë që gjeni ndonjë mosmarrëveshje ose ndonjë problem institucional, unë i referohem një argumenti të dhënë nga shtypi shqiptar ditët e fundit, sipas të cilit Presidenca nuk është pyetur, kur duhej të pyetej për problemin e ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Si është ky problem?

Presidenti Topi: Unë besoj ky është një moment që duhet të inicohet nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ka përcaktime të sakta në Kushtetutë sikurse është komentuar për çështjen e plotëfuqisë. Ka kompetenca të Presidentit, ka kompetenca të Kryeministrit, po i referohem Nenit 84, që të mos gaboj, të Kushtetutës, Presidenti ka një pozicion të qartë lidhur me dekretimin e ligjeve të përgjithshme, por edhe të ligjeve me karakter ratifikues të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ka kohën e vet kur Presidenti duhet të ndërhyjë dhe ju siguroj që në këtë proces unë jam shumë rigoroz. Jemi në një moment ku ende nuk kemi ardhur pikërisht tek çasti kur Presidenti duhet të ndërhyjë në këta proces aq më shumë që sot ky problem ndodhet në Gjykatën Kushtetuese për të respektuar

Gazetari: Një vendim që pritet të merret në datën 8 dhjetor.

Presidenti Topi: Askush nuk mund të parashikojë se ç’lloj vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese, por për të respektuar edhe shkallët e gjyqësorit që parashikon Kushtetuta, unë mendoj që është e vlefshme dhe e mjaftueshme për të trajtuar këtë.

Gazetari: Por a duhet të pyeteshit ju gjatë procesit?

Presidenti Topi: Sigurisht, kur je në marrëdhënie të karakterit shtetëror ka klauzola, por unë nuk mendoj se është momenti për t’u futur në elemente teknikë, por siguroj publikun nëpërmjet jush që e gjithë ngarkesa institucionale është e tillë që në fund fare do të japë një qëndrim të qartë konform Kushtetutës së Shqipërisë.

Gazetari: Çfarë do të thotë një qëndrim rigoroz dhe të qartë?

Presidenti Topi: Që do të thotë, në raste të gabuara në një hallkë të caktuar atëherë Presidenti do ta stopojë, në rast se gjithçka ka qenë në rregull besoj se Presidenti do ta firmosë.

Gazetari: Ju do të shpreheni pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zoti President?

Presidenti Topi: Po, sigurisht. Do të ishte gabim nëse unë do të shprehesha sot përpara Gjykatës Kushtetuese.

Gazetari: Zoti President, një nga proceset më të rëndësishme që ju folët deri tani për gjithë raportet institucionale për shqiptarët dhe më e prekshme për publikun është liberalizimi i pritshëm i vizave. Ka një premtim politik për të pasur një liberalizim në vitin 2010, gjashtë muajt e parë, një vendim që mund të hyjë në fuqi gjashtë muajin e dytë, por kjo më shumë sesa një axhendë shqiptare është një axhënde evropiane. Në gjykimin tuaj si kreu i shtetit kur Shqipëria do të përfitojë nga ky vendim që besoj se është nga më të rëndësishmit për çdo qytetar.

Presidenti Topi: Sigurisht ne kemi informacionin e duhur, kemi kontaktet e duhura.

Gazetari: Ju më mirë se shumë të tjerë duhet ta keni këtë informacion.

Presidenti Topi: Unë mund të them që gjatë vizitës sime zyrtare në Slloveni kam pasur rastin të bisedoj nga afër me Presidentin Danilo Tyrk, i cili është mbështetës i fortë i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, një mik i Shqipërisë, por si duket i angazhuar në mënyrë specifike me Bosnje-Hercegovinën, ndërsa Italia është më shumë e angazhuar me Shqipërinë. Më duket një ndarje normale e punës që bëjnë vendet e BE-së dhe e kemi parë dhe në një takim të ditëve të fundit të Ministrit Fratini me Ministrin e Jashtëm slloven, të cilët janë në sintoni të plotë për inkurajimin e hapave. Unë besoj që ka një koordinim, nuk ka pengesa, nuk ka një klimë negativiste për të shtyrë regjimin e liberalizimit të vizave. Unë e kam thënë dhe herë tjetër kam rastin ta them edhe sonte që vendet e Ballkanit Perëndimor, liberalizimit të vizave ku fus këtu patjetër edhe Kosovën, sepse është një politikë shumë profesionale e vendeve të BE-së që nuk krijojnë gjërat në një ditë, krijojnë klimën janë referencë edhe të standardeve të demokracisë, zgjedhjeve dhe patjetër japin edhe inkurajimin e tyre dhe i kondicionojnë për liberalizimin e vizave, por nuk do të kishte sens nëse do ta merrte Maqedonia, do ta merrte Mal i Zi, do ta merrte në një kohë më vonë Shqipëria, sepse janë vende të cilat me kohë i kanë thyer barrierat e komunikimit. Pra ka një klimë psikologjike të përbashkët, do të thoja më të mirën e të gjitha kohërave midis vendeve të Ballkanit, ka një komunikim të biznesit, një lëvizjë të lirë të njerëzve, pra është krijuar një klimë e cila do t’i japë shansin këtyre vendeve që të sinkronizohen në procedurat e liberalizimit të vizave. Unë e shoh të drejtë që të shkohet në këtë linjë. Natyrisht dikush mund të ketë edhe klimë refraktare që mund të jetë shumë e izoluar por në përgjithësi unë shikoj një klimë shumë pozitive që vendet e Ballkanit Perëndimor përfshi këtu Shqipëri shpresoj në Korrikun e vitit 2010 të futen në këtë linjë.

Gazetari: Do lëvizin pa viza...

Presidenti Topi: Shpresojmë.

Gazetari: Do jenë më shumë vendimmarrje politike apo teknike tashmë?

Presidenti Topi: Mesa duket vullneti politik shprehet çdo ditë. Këtë nuk e kam të dëgjuar indirekt, por e kam dëgjuar drejtpërdrejtë. Ekziston klima e duhur politike dhe besoj se secili vend duhet të të plotësoj një diçka standarde. Ne nuk duhet të ankohemi në rast se janë disa gjëra të karakterit teknik që nuk i bëjmë ose nuk i bëjmë në kohë ose nuk i bëjmë mjaftueshëm. Por klima politike besoj se është e mjaftueshme e mirë për të na inkurajuar që çështja e liberalizimit të vizave do të jetë relativisht e shpejtë.

Gazetari: A ka paragjykim apo hezitim për rrugën integruese të Shqipërisë nga vendet e BE-së?

Presidenti Topi: Unë ju thashë edhe pak më parë jo të gjitha vendet kanë të njëjtën tregues predispozicioni. Shoh një klimë të përgjithshme predispozuese për të ndihmuar Shqipërinë, për ta absorbuar Shqipërinë brenda familjes së BE-së. Natyrisht ka dhe vende që janë skeptike, por ne na intereson klima e përgjithshme dhe klima që ekziston në vendet që kanë një reputacion të fortë edhe në vendimmarrjen e BE-së.

Gazetari:Zoti President, do të doja në këtë pjesë të bëja disa pyetje që lidhen me problemet e drejtësisë dhe debatin e filluar aty si dhe disa pyetje që lidhen gjithashtu me angazhimin tuaj politik ndoshta edhe përtej asaj të Presidentit. Ka një debat të mbetur pezull që lidhet me numrin e anëtarëve të KLD-së. Për ta sqaruar edhe për publikun nga 18 anëtarë të KLD-së, katër prej të cilëve u ka mbaruar mandati. Duhet të zëvendësoheshin nga Konferenca Gjyqësore, nuk janë zëvendësuar, sepse nuk ka një ligj për Konferencën Gjyqësore dhe KLD-ja ka mbetur me 11 anëtarë duke prishur ballancën në favor të politikës sepse llogjikisht duhet të ishte në favor të gjyqësorit. Përse ka ndodhur ky problem dhe të themi një përplasje mes KLD-së dhe Parlamentit?

Presidenti Topi: Së pari do të thoja që asnjëherë nuk është e preferueshme që në strukturat e institucioneve të ketë vende bosh. Mund t’ju them që KLD-ja sot funksionon vetëm me dy anëtarë mangut pasi sipas ligjit dy të tjerët ndonëse u ka mbaruar afati, kanë të drejtë ta vazhdojnë deri në zëvendësimin e tyre. Pra bëhet fjalë për dy anëtarë të KLD-së që, njëri sot është deputet, ndërsa tjetri është anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Sidoqoftë çështja që sillni ju në vëmendje është mjaft e rëndësishme, sepse ka të bëjë me parimet kushtetuese të funksionimit të institucioneve dhe mënyrës së përzgjedhjes së njerëzve që janë pjesë e këtyre institucioneve. E kam thënë dhe e rishpreh sot që duhet të jetë komform me parimet kushtetuese të parashikuara në Kushtetutë, Presidenti duhet të mbajë në mënyrë shumë rigoroze atë qëndrim. Pra gjithmonë me ligjin, në zbatim të ligjit, rrethanat pse ka ardhur kjo situatë sigurisht kanë të bëjnë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila u shpreh muaj më parë se të mbyllej Parlamenti i legjislaturës së kaluar që patjetër diktonte që të merrej një vendim tjetër mbi bazën e një kuote të cilësuar votash, pra duhen 84 vota për të nxjerrë një ligj për Konferencën Gjyqësore. Fakti është që Parlamenti nuk arriti ta realizojë këtë dhe mbeti për legjislaturën ku opozita sot nuk merr pjesë në Parlament, çka do të thotë që nuk bëhen 84 vota.

Gazetari: Si do të funksionojë KLD-ja?

Presidenti Topi: Unë gjithmonë kam qenë që gjyqtarët kanë të drejtën që të konsultohen, të shprehin mendimet e tyre, por sikurse thash pozicioni im konstant dhe i pa ekuivok është qëndrimi sipas parimeve kushtetuese çka presupozon ligjin për funksionimin e këtyre institucioneve. Se si do ta gjejë politika, se si do ta gjejnë patjetër gjuhën për këtë, unë besoj se është e domosdoshme.

Gazetari:Përpara sesa të bllokohej nga Gjykata Kushtetuese ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore”, kjo Konferencë, për disa vjet rresht, ka funksionuar mbi bazën e statutit të saj, pa një ligj. Përse të mos zgjidhet në këtë mënyrë; të mblidhen gjithë gjyqtarët e Shqipërisë dhe ta zgjedhin?

Presidenti Topi: Ne po diskutojmë për parimet kushtetuese dhe për ligjin. Sa kohë që nuk ka një ligj dhe ka mekanizma autorregullatorë, gjë që pranohet. Kur ka ligj, atëherë gjërat detyrimisht shkojnë në referencat e ligjit që ekziston. Sido që të jetë, unë e di që në këtë çështje janë futur shumë aktorë. Nuk dëshiroj të ndërhyj edhe këtu në procesin e rregullimit të këtyre marrëdhënieve. Çdo gjykatës ka të drejtë të shprehet dhe të konsultohet.

Gazetari:Ka pasur një debat.

Presidenti Topi: Po, ka pasur debat dhe debati është gjithmonë i mirëpritur. Unë i qëndroj parimeve kushtetuese dhe shpresoj që gjithçka do të rregullohet në këtë linjë, aq më shumë që ne sot kemi një asistencë mjaft të kualifikuar.

Gazetari:Në ç’linjë do rregullohet?

Presidenti Topi: Ne kemi një asistencë të kualifikuar të misionit “EURALIUS” dhe “OPDATI” , janë dy misione që asistojnë. Unë nuk mund të them sot mënyrat e zgjedhjes se për Presidentin janë vetëm zgjidhjet që kanë të bëjnë vetëm me ligjet.

Gazetari: Mund të mbetet Këshilli i Lartë i Drejtësisë në këtë kompozim edhe për një kohë të gjatë?

Presidenti Topi: Unë ju thashë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke përjashtuar dy personat që janë sot në një pozicion tjetër, dy të tjerët vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre, deri në zëvendësimin nga dy anëtarët e rinj, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi.

Gazetari:Mund t’i zgjedhë pa ligj Konferenca Gjyqësore?

Presidenti Topi: Nuk mund t’ia bëni Presidentit të Republikës këtë pyetje, sepse Presidenti, në çdo rrethanë është shumë rigoroz me ligjin.

Gazetari:Zoti Topi, jeni Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që drejtësia po vijon të jetë në qendër të vëmendjes të komunitetit ndërkombëtar dhe të qytetarëve, lidhur me probleme që vijnë nga korrupsioni; shpesh herë abuzimi me ligjin ose shkelja e ligjit. Sa ndieni ju personalisht përgjegjësi dhe cila mund të jetë zgjidhja në këtë drejtim?

Presidenti Topi: Presidenti, në të njëjtën kohë, është edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ju sapo e shprehët që kompozicioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është i tillë që i merr prurjet e veta nga disa institucione: I merr nga Kuvendi, i merr nga Konferenca Gjyqësore; janë tre pozicione ex-officio, që është i Presidentit, i Ministrit të Drejtësisë dhe i Kryetarit të Gjykatës së Lartë; pra, është një kompozicion që, në mënyrë absolute, nuk mund të merret si atribut vetëm i një institucioni që e drejton, që është institucioni i Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E thënë ndryshe, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është qeverisja e pushtetit gjyqësor. Kuptohet që pushteti gjyqësor, ndonëse janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, për të rinovuar drejtuesit e gjykatave nëpërmjet një procesi transparent, duke marrë në konsideratë begraundin e këtyre gjyqtarëve, duke zbatuar ligjin edhe për sa i përket së kaluarës së tyre, çka do të thotë se janë futur njerëz të rinj pa njolla, që kanë të bëjnë me ligjin e lustracionit, njerëz të pastër nga e kalaura e tyre, për t’i dhënë mundësi rinovimit të drejtimit të gjykatave në të gjithë Shqipërinë. Ka qenë një proces transparent, proces konkurrimi. Ne jemi munduar që, brenda këtyre vlerave që ekzistojnë në kontingjentin e gjyqtarëve, të zgjedhim relativisht më të mirët. Unë vazhdoj t’i qëndroj mendimit dhe ky është mendim i konsoliduar: Që të japësh drejtësi, duhet që minimalisht të kesh dy kushte, pa të cilat nuk mund të shkosh më tej: Integriteti i gjyqtarit, i prokurorit dhe profesionalizmi i tij. Ky është një binom...

Gazetari:Ku çalojmë kryesisht ne?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të bëj tani një vlerësim shumë shkencor, do të thosha, sepse kërkohet patjetër që të jesh relativ në këndvështrime. Besoj se kemi një ekuivalencë të këtyre elementëve që një njeri që ka integritet, përgjithësisht, është i prirë që të japë vendime të drejta, të sakta, por domosdoshmërish kërkon edhe doza profesionalizmi që vendimi të jetë i pjekur. Ne kemi thënë dhe vazhdojmë të themi që ekzistojnë simptoma të qarta të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Ky është një angazhim i të gjithë aktorëve institucionalë që të krijojnë klimën e duhur që të bën barrikadë e fortë për të mos dalë në mbrojtje të individëve, të cilët me fakte konkrete konsiderohen persona të korruptuar.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka treguar me operacione konkrete në një rubrikë të posaçme të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është edhe çështja e marrjes në konsideratë akuzave që vijnë për gjyqtarët tanë. Ne kemi futur në sitën e analizës së Këshillit, një pjesë e tyre janë ankimuar në Gjykatën e Lartë dhe mund t’ju them se ka qenë atributi i Gjykatës së Lartë për t’u dhënë pafajin, në shumicën e rasteve, dhe në ndonjë rast të veçantë, ka qenë në linjën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë; pra, presupozohet që duhet të ketë më shumë solidaritet.

Gazetari:Edhe nga Gjykata e Lartë, zoti President?

Presidenti Topi: Patjetër, sepse sistemi i gjykatave është një sistem integral, i cili duhet të përshkohet nga kjo lloj prirjeje për të mbajtur të pastër sistemin e drejtësisë, por nga ana tjetër, jemi të detyruar të respektojmë pavarësinë e çdo shkalle të gjyqësorit, ku është Gjykata Supreme, e cila merr vendime edhe mbi vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gazetari:Ndërkohë që edhe Gjykata Kushtetuese po merret me shumë çështje civile që s’i takojnë. Kam përshtypje se ajo sot po gjykon më shumë çështje pronash dhe çështje që lidhen me ...

Presidenti Topi: Gjykata Kushtetuese është në misionin e saj, sepse kuptohet që çështje që nuk kanë të bëjnë me Gjykatën Kushtetuese dalin jashtë objektit të kësaj gjykate. Fakti që merren në konsideratë tregon se misioni i Gjykatës Kushtetuese është për t’u marrë me çështje të karakterit substancial, dhe jo me çështje të karakterit tjetër, si ajo e pronave që thatë.

Gazetari:Ose Gjykata Kushtetuese del nga misioni i saj. Zoti President, një nga institucionet më të vendosura në një vitrinë të goditjeve të shtypit është sot Prokuroria e Përgjithshme, për arsyet që lidhen me zhvillimet politike të njërës apo të tjetrës palë, ka kritika që vijnë nga të gjitha palët. A ka Prokurorja e Përgjithshme, zonja Ina Rama, besimin tuaj të plotë?

Presidenti Topi: Sigurisht, po të mos e kishte, do ta kishit dëgjuar një prononcim timin. Unë mbështes jo individin, por institucionin. Natyrisht është një institucion në sfidat e reformimit të domosdoshëm, sikurse janë edhe institucionet e tjera të drejtësisë.

Gazetari:Zoti President, a është përdorur Prokuroria e Përgjithshme nga ju personalisht për të ndërhyrë në zhvillimet e brendshme politike?

Presidenti Topi: Kurrësesi, në asnjë rrethanë, në asnjë çast dhe për asnjë çështje.

Gazetari:Ka pasur zëra, të artikuluara mediatikisht, që ju keni përdorur Prokuroren në dëm të kësaj mazhorance, në probleme që lidhen me hetimet e Gërdecit, me rrugën Durrës-Kukës?

Presidenti Topi: Gjithmonë kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë zëra dashakeqës. Ata që më njohin mirë, njohin sjelljen time dhe karakterin tim. Jam shumë respektues në të gjitha detyrimet kushtetuese e institucionale të aktorëve të tjerë të institucioneve. Unë, në asnjë rrethanë, nuk imponoj, por kam besim te institucionet që të zhvillojnë veprimtarinë e tyre brenda kuadrit ligjor.

Gazetari:Ndërkohë, ka pasur komente të tjera informale, sipas së cilave ju jeni investuar në zgjedhjet e fundit në dëm të shumicës, kryesisht të Partisë Demokratike, forcës që i keni përkitur para sesa të zhvisheshit politikisht.

Presidenti Topi: Ju mendoni se unë mund ta hedh poshtë të kaluarën time?!

Gazetari:Ka komente dhe gjithsesi mbetet për t’u çekuar.

Presidenti Topi: Gjithmonë mbetet pranë partive politike ose atyre që vegjetojnë afër trotuareve ndonjëherë, gjithmonë dalin opsione që nuk janë të besueshme. Ajo që i njoh vetes është karakteri i fortë dhe falë këtij karakteri jam sot këtu ku jam. Nuk mund të bëj pazar me karakterin tim, nuk mund të hedh poshtë të kaluarën time, që është një e kaluar me shumë sakrifica, bashkë me kolegët e mi, për vendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Çdo thënie e kësaj natyre është mjaft abuzive.

Gazetari:A mund të jetë kjo për të favorizuar apo disfavorizuar lobe të ndryshme brenda Partisë Demokratike?

Presidenti Topi: Me këto çështje unë nuk merrem, jo në këto rrethana që jam sot, që s’kam kohën e mjaftueshme, por s’kam atë lloj motivimi negativ për t’u marrë me të tilla gjëra. Jam njeri që gjithnjë i kam anashkaluar këto episode edhe kur kam qenë në Partinë Demokratike. Kam vlerësuar gjërat e mëdha që kanë të bëjnë me parimet e rëndësishme. Kam vlerësuar luajalitetin e kolegëve të mi në rrethana nga më të ndryshmet dhe besoj se duhet të jesh njeri shumë i vogël, duhet të jesh një kalteopat që të merresh me intriga të tilla të vogla. Karakteri i njeriut nuk formohet apo deformohet në një ditë, ai lind me njeriun, konsolidohet, administrohet dhe pasqyrohet në shoqëri e në çdo mjedis. E rëndësishme është që ky karakter gjithmonë ka qenë konstant tek unë; të merresh me gjëra kaq të vogla, do të thotë që t’i bësh dëm vetes, jo personit që i adresohet.
Besoj se jam shumë korrekt, vlerësoj shumë çastin ku jam, vlerësoj shumë të kaluarën time. Nuk ka pasur asnjë lloj handy capi në karrierën time në marrëdhënie me të gjithë kolegët; pastaj janë lodra të vogla të karakterit politik që nuk e cenojnë kurrë konstruksionin tim shpirtëror.

Gazetari:Zoti President, ju thatë se nuk e hidhni kurrë poshtë dhe e vlerësoni shumë të shkuarën, duke bërë fjalë për të shkuarën tuaj politike. Partia Politike ose e djathta në përgjithësi është thjesht e shkuara juaj politike apo mund të jetë edhe e ardhmja juaj politike?

Presidenti Topi: Ju mendoni se njeriu mund të bëjë metamorfoza të tilla?! Unë bëj metamorfozë për hir të pozicionit kushtetues. Unë mbaj një pozicion kushtetues, sepse në çastin që ti vendosesh arbitër, duhet të jesh arbitër objektiv. Unë besoj se kështu i bëj nder konsolidimit të demokracisë së institucioneve në Shqipëri, por afilacioni im shpirtëror nuk mund të jetë për shumë vite, të ndryshojë për dy vjet e të rikthehet prapë. Unë duhet të jem i sinqertë me të gjithë. Unë kam formimin tim dhe në të gjithë formimin tim jam si pasojë e traditës sime familjare dhe formimit tim individual. Këto janë parime e principe që ndërtojnë strukturën e të menduarit dhe të gjithë botëkuptimit të njeriut.
Gjërat nuk janë në sipërfaqe; të jesh sipërfaqësor do të thotë të jesh njeri që mund të lëvizësh ngado, jo. Kjo strukturë është shumë e fortë dhe qëndroj fort në parimet e mia, që do të thotë se nuk ka absolutisht asnjë lloj metamorfoze. Çdo tentativë që vijnë nga zëra dashakëqij, natyrisht janë tentativa të izoluara që kanë të bëjnë me botën e tyre të brendshme.

Gazetari:Ky që ju po e quani keqkuptim ose dashakeqësi a ka prekur dhe miqtë tuaj që jashtë pozicionit të Presidentit të Republikës vazhdoni të ruani Partinë Demokratike. A ka qëlluar që miqtë tuaj u janë ftohur e larguar duke e interpretuar, po e quaj pozicionin tuaj si të dëmshëm?!

Presidenti Topi: Asnjëherë nuk ndërhyj te gjendja emocionale e të tjerëve, në mënyrë absolute. Për mua, faktori kohë është i rëndësishëm. Gjërat ratifikohen, konsolidohen e retushohen në kohë, varet nga këndvështrimi ose rrëzohen në kohë; pra, në funksion të kohës, ajo do të jetë treguesi më i mirë për të gjithë qëndrimet që sapo shprehëm.

Gazetari:Zoti President, raportet tuaja me Kryeministrin Berisha duket se janë të tensionuara në këtë çast. A janë ato të rikuperueshme apo jo? Jo thjesht institucionale, por flas njerëzore, me qenë se për një kohë të gjatë ju keni pasur pozicione edhe në parti?

Presidenti Topi: Unë përgjigjem për mënyrën time të sjelljes. Unë ju thashë që në çdo lloj rrethane unë jam i parimit për dialog dhe sjellje civile, që do të nderonte cilindo, si edhe për sjellje institucionale.
Për shqiptarët që na dëgjojnë sot është shumë e rëndësishme të dëgjojnë që sjellja institucionale prevalon mbi të gjitha mënyrat e tjera të sjelljes dhe qëndrimit. Kur gjërat vijnë institucionalisht dhe në mënyrë shumë njerëzore, ky është maksimumi i marrëdhënieve që u garanton stabilitet të fortë institucioneve dhe jep një përfytyrim shumë pozitiv në shoqëri. Besoj se është çasti që duhet të reflektohet nga të gjithë.

Gazetari:Zoti Topi, janë dy ligje të rëndësishëm që pritet të kalojnë në Kuvend: I pari është ligji “Kundër diskriminimit”, i cili siç u shpreh dhe Pier Mirel, njëri prej zyrtarëve të Bashkimit Evropian, është një ligj që pritet me shumë vëmendje dhe kujdes nga Bashkimi Evropian.
Cili është komenti juaj për këtë ligj, aq më tepër që Shqipëria diskriminim e ka pasur traditë të vetën; i forti e dominonte të dobëtin?

Presidenti Topi: Sigurisht. Besoj se ai është një ligj i domosdoshëm. Sot jemi në periudha kur elementet e trajtimit global janë bërë gjithmonë refren në mjaft biseda. Diskutohet për politika globale; diskutohet për ekonomi globale; për diplomaci globale; diskutohet edhe për të drejta globale për sa i përket të drejtës që kanë të bëjnë me njeriun; pra, ajo që përbën të përgjithshmen është individualja. Çdo njeri ka nevojë që të ndihet i lirë pa asnjë lloj diskriminimi, aq më shumë kur ne jemi në një fazë që po të integrohemi në një familje, që me kohë ka një filozofi jo diskriminuese, ndonëse ka gjithmonë edhe simptoma dhe episode.

Gazetari: Si çdo shoqëri.

Presidenti Topi: Marrim substancën, të përgjithshmen; është filozofi e Bashkimit Evropian, besoj edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo e vendeve si Kanadaja ku e ke të vështirë që të dallosh emigrantin e Azisë me emigrantin e Evropës. Ato janë vende që janë ndërtuar mbi këtë bazë. Në bazë, në fondamentin e zhvillimit të këtyre shoqërive është mosdiskriminimi. Ky është një ligj që i bën nder Shqipërisë dhe e predisponon edhe palën që do ta absorbojë në familjen evropiane që do të na futet në zemrën e këtij botëkuptimi, e këtij mentaliteti që duhet ta kenë të gjithë evropianët.

Gazetari:Ligji i dytë është një ligj, për të cilin ka pasur mjaft debate në fillim të këtij viti kur ka kaluar në Kuvend, kontestimi ndërkombëtar, është bllokuar nga Gjykata Kushtetuese dhe që quhet ligji i lustracionit. Pa dyshim, që unë e di mendimin tuaj personal, por unë do të doja edhe mendimin tuaj si President i Republikës lidhur me të. Kam përshtypjen se është një ligj i domosdoshëm për një vend që ka vuajtur nga dhuna, abuzimi apo nga spiunimi, po përdor këtë fjalë popullore.

Presidenti Topi: Është një ligj, është një vonesë, se jemi gati 20 vjet në demokraci...

Gazetari:Shumë i vonuar.

Presidenti Topi: Unë do të thosha se duhet ta kishim kaluar 20 herë këtë ligj.

Gazetari:Çdo ditë që kalon e bën më të vonuar.

Presidenti Topi: Kemi qenë të vonuar, sidomos vitet e para, pas vendosjes së demokracisë, sepse gjithmonë sa më shumë t’i largohesh atij çasti, këtu nuk bëhet fjalë për persekucion individësh, bëhet fjalë për çmontim të një psikologjie, që duhet të kishte ikur me kohë.
Mund t’ju them se kur ka shkuar në një delegacion të Akademisë së Shkencave në Berlinin Lindor, por që ishte i unifikuar në Perëndim.

Gazetari:I integruar ndërkohë në Perëndim.

Presidenti Topi: Në mos gaboj, ishte tematika: “Marrja e përvojës e transformimit të institucioneve të Berlinit Lindor në Perëndimor”. Nuk do ta harroj kurrë, sa të kem jetë. Ata kishin aplikuar një ligj ku një bashkëpunëtor i STAS-it nuk mund të punonte qoftë edhe si portier i administratës shtetërore.

Gazetari: Përjashtohej krejtësisht nga administrata shtetërore.

Presidenti Topi: Të thuash se Gjermania ka aplikuar modele jo demokratike, nuk mund ta thuash; përkundrazi, Gjermania është një nga shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, por brenda kësaj ka një filozofi të qartë. Me kalimin e viteve gjërat sikur harrohen e kamuflohen; shikon njerëz që mund të kenë një të kaluar shumë të njollosur, kërkojnë të katapultohen në administratë e në politikë dhe kjo e bën fare të pakëndshme. Në rast se ne themi që të pastrojmë moralisht shoqërinë, morali është pikërisht te pastrimi i moralit, jo te asgjësimi. Të kesh një moral në administratën publike, do të thotë që ato që janë në vendimmarrje, të mos marrin vendime të varura nga e kaluara e tyre, aq më shumë unë do të respektoja më shumë ata që kanë qenë e dalin e thonë se ne s’mund të jemi pjesë, sesa ata që kamuflohen. Kjo do të thotë se ky ligj në çdo kohë që ne do ta diskutojmë, është i domosdoshëm për shoqërinë. Shqipëria ka nevojë që të ketë standarde ligjore të pranuara edhe nga Perëndimi, nga Komisioni i Venecias, të pranuar që të bëjë patjetër pastrimin dhe ta bëjë sipas standardeve që mirëpriten nga Evropa.

Gazetari:Çdo të thotë standarde që mirëpriten nga Evropa?

Presidenti Topi: Pikërisht ato objeksione që kishte Komisioni i Venecias.

Gazetari:Kam parasysh që stadi moral nuk ka funksionuar në këtë vend, zoti President, për sa kohë që institucionet e drejtësisë ju sollën juve për dekorim dhe ju e dekoruat një prokuror politik, i cili kishte dënuar me vdekje tre persona dhe me burgim të përjetshëm kolegun tim, zotin Lubonja, dekoratë që u hoq më pas.

Presidenti Topi:Ju bëni mirë që e risillni, sesa bëni keq.

Gazetari:E thashë që jua sollën për dekorim; kjo tregon se kodi moral nuk funksionon në institucione.

Presidenti Topi: Ose është pamjaftueshmëri informacioni ose është pikërisht ajo që ju thashë se njerëzit kamuflohen e futen në administratë; është një nga argumentet themelore që unë e shpreha.

Gazetari:Doja të thosha që ligji duhet të veprojë, sepse me sa duket morali nuk vepron.

Presidenti Topi: Ligji ngrihet mbi bazën e një morali dhe është përcaktues në rregullimin e moralint të shoqërisë. Unë jam absolutisht dakord me ju. Jam për një administratë të pastruar nga njollat e së kaluarës. Nuk po bëjmë një trajtim ideologjik, por po bëjmë një trajtim modern rreth një çështjeje që unë e thashë se duhet të kish mbaruar me kohë përpara.

Gazetari:20 vjet përpara.

Presidenti Topi: U kemi dhënë shanse edhe persekutorëve; ata mund të kacaviren, sepse ju e dini që psikologjia e persekutorëve është e tillë: Ata kanë artin e sofistikimit dhe të kamuflimit, të penetrojnë, të ngjiten e të bëhen shumë afër edhe vendimmarrjes; kështu që unë qëndroj konstant dhe në çdo kohë mund të bëhet ai ligj, pasi është pranuar edhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

Gazetari:Zoti President, edhe dy pyetje të fundit: Kosova sapo kaloi zgjedhjet vendore që ishin të larat pas shpalljes së Pavarësisë. Si i gjykoni zgjedhjet në Kosovë dhe në përgjithësi rrugën që ajo po bën pas deklarimit të saj si shtet i pavarur për këto dy vjet?

Presidenti Topi: Ju e dini që unë kam qenë dhe mbetem i apasionuar pas rrugës së Kosovës. Një pjesë e agjendës sime me interlokutorët është edhe çështja e Kosovës. Besoj se këto që ka arritur Kosova për këto dy vjet, madje nuk janë mbushur dy vjet...

Gazetari:Është më pak se dy vjet.

Presidenti Topi: Më 17 shkurt mbushen dy vjet besoj se është mbresëlënëse. Kosova ka problemet e veta ekonomike, probleme të konsolidimit të institucioneve, qoftë edhe ato që kanë të bëjnë me monitorimin e zgjedhjeve, ndonëse në Kosovë kemi parë se këto gjëra kanë shkuar relativisht shumë mirë, duke marrë në konsideratë kohën e shkurtër të administrimit të këtyre institucioneve. Besoj se Kosova sot është një element i fortë stabiliteti në rajon; i fortë jo se kërkojmë ne ta prezantojmë si të tillë, por ka qenë hallka e

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›