E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton në spital piktorin dhe ish-të burgosurin politik, Mersin Vlashi.

11 shkurt 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi sot piktorin Mersin Vlashi, ish-i burgosur politik, i cili po kurohet nga mjekët specialistë në Spitalin e Senatoriumit të Tiranës.

I shoqëruar nga Drejtori i Senatoriumit, Rezart Oketa dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni dhe Kryetari i degës së Matit të kësaj shoqate, ish-i burgosuri politik Kasem Shehu, Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet nga afër me personelin mjekësor duke i falenderuar për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre ndaj pacientëve, dhe veçanërisht zotit Mersin Vlashi.

Gjatë një bisede të ngrohtë e miqësore me piktorin shtatëdhjetë e një vjeçar, i cili sot feston dhe ditëlindjen e tij, Presidenti Topi i shprehu urimet më të mira për shërim të shpejtë, shëndet të mbarë dhe një jetë sa më të qetë e të mirëqenë pranë familjarëve dhe njerëzve të dashur. Zoti Vlashi e falenderoi Kreun e shtetit për vizitën dhe interesimin, duke shprehur mirënjohjen sidomos që: “iu është gjendur gjithmonë pranë duke e mbështetur fuqimisht shtresën e ish-të persekutuarve politikë”.

Kryetari i Shtetit çmoi lart aktin e guximshëm të z.Vlashi gjatë revoltës së Spaçit më 21 maj 1973, kur ai pikturoi flamurin pa yll dhe për këtë u dënua dhe me 25 vite të tjera burgim, mbi ato vite që ishte gjykuar që në moshën 18 vjeçare, me akuzën për agjitacion-propagandë, duke bërë gjithsej 33 vite burg. Lidhur me këtë vizitë, Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të gazetarëve duke u shprehur: “Ishte një vizitë njerëzore tek një njeri i vuajtur, z. Vlashi i cili ka një histori shumë të dhimbshme por do të thoja shumë krenare, një njeri që brenda mureve të burgut, në revoltën e Spaçit ka mbajtur një qëndrim shumë dinjitoz çka do të thotë që ai e bëri atë burg, e përballoi atë vuajtje për idealet e veta të vërteta, që nuk ishin thjesht individuale, por të shtresës që ai që përfaqësonte. Sigurisht, që e konsideroj thjesht si një vizitë normale njerëzore”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›