E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi zhvillon një vizitë në bashkinë e Ljubjanës


Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Slloveni, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë së Ljubljanës, z. Zoran Jankoviç dhe anëtarë të këshillit bashkiak të këtij qyteti. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, takimi u zhvillua në mjediset e kësaj bashkie. Kryebashkiaku slloven uroi Presidentin Topi për sukseset që ka arritur Shqipëria, siç ështe anëtarësimi në NATO dhe përparimi i saj në rrugën e integrimit evropian. Z. Jankoviç vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të pushtetit vendor dhe proceseve të binjakëzimeve me qytete të ndryshme ballkanike dhe në shenjë nderimi i dhuroi Presidentit Topi një pjatë të kristaltë të gdhendur me motivet e Pleçnikut. Në fjalën e tij, z. Topi vlerësoi punën e Kryetarit të Bashkisë së Ljubljanës për konservimin dhe reastaurimin e kryeqytetit slloven, i cili është zgjeruar duke ruajtuar njëkohësisht edhe identitetin e tij. "Shihet qartë ravijëzimi modern dhe ruajtja e mendësisë së qyteteve të vjetra të Evropës duke mbajtur ekuilibrat e duhur harmonikë mes zhvillimit urban dhe natyrës", vlerësoi Presidenti Topi. Presidenti shqiptar i dhuroi Kryebashkiakut slloven Jankoviç Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolin më të veçantë të kryeqytetit shqiptar duke lënë edhe një shënim në formë urimi në Librin e Artë të Miqve të Bashkisë së Ljubljanës. Gjatë ditës së sotme, Presidenti Topi në krye të delegacionit zyrtar që e shoqëron, vizitoi Kështjellën e lashtë të Ljubljanës. Më pas ai udhëtoi drejt qytetit historik të Bledit, ku u prit nga Kryebashkiaku Janey Fajfar. Presidenti Topi vizitoi Kështjellën e Bledit dhe shtypshkronjën e vjetër të kështjellës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të një delegacioni të përbërë nga zyrtarë të lartë, nisi dje një vizitë zyrtare dy ditore në Slloveni, me ftesë të Presidentit Danilo Tyrk. Gjatë kësaj vizite ai u takua me homologun e tij, Tyrk, me kryeministrin e Sllovenisë, Borut Pahor dhe Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Pavel Gantar.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›