Elvana Hana: Në reformën për kujdesin parësor në fokus mbetet pacienti

"Reforma në kujdesin shëndetësor parësor është evidente dhe tashmë ka një raport të ri ndërmjet Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pacientit dhe qendrave shëndetësore, në fokusin kryesor të të cilit mbetet pacienti", u shpreh sot drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana. Ndërkohë, sipas saj, roli i ISKSH-së në këtë reformë ka ardhur duke u fuqizuar paralel me ripozicionimin e saj si blerës i vetëm i shërbimeve. E pranishme në konferencën mbyllëse të projektit të USAID-it "Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor parësor në Shqipëri", e mbajtur në Hotel Sheraton, Hana theksoi se "këtij qëllimi i ka shërbyer hartimi dhe zbatimi për herë të parë i paketës së shërbimeve shëndetësore të mirëdefinuar dhe transparente për të gjithë pacientët". Paketa shëndetësore, rezultat i një pune dyvjeçare bashkëpunimi me USAID, përfshin 7 shërbimet bazë; kujdesi në rastet e urgjencës, kujdesi shëndetësor për fëmijët, kujdesi shëndetësor për të rriturit, për gratë dhe shëndeti riprodhues, për të moshuarit, kujdesi shëndetësor mendor, si dhe promocioni dhe edukimi shëndetësor. "Sot pacientët përfitojnë një shërbim më cilësor falë pajisjes së çdo qendre shëndetësore me laboratorë bazë", theksoi më tej Hana. Të gjitha këto, sipas saj, evidentohen qartë në frekuentimin e qendrave shëndetësore nga qytetarët. Kështu, të dhënat tregojnë se, duke nisur që nga viti 2007, rreth 270 mijë persona më shumë kanë marrë shërbimin e qendrave shëndetësore, shifër kjo që përbën 1/3 e pacientëve që vizitohen sot në qendrat shëndetësore në shkallë vendi. "Zbatimi i një sistemi të ri të indikatorëve në lidhje me shpërblimin e qendrës shëndetësore, me qëllim matjen e nivelit të cilësisë së shërbimit të ofruar nga qendra shëndetësore, ka gjithashtu në qendër pacientin", nënvizoi drejtoresha e ISKSH-së, sipas së cilës, paketa e shërbimeve dhe vendosja e sistemit të indikatorëve ndërtoi një marrëdhënie të re ISKSH-qendra shëndetësore, ku thelbësor mbetet procesi i kontraktimit me qendrat shëndetësore. Kështu, referuar kuadrit të ri ligjor, qendra shëndetësore ka autonomi më të madhe financiare dhe adminsitrative në drejtim të përdorimit të fondeve dhe të të ardhurave dytësore. Gjatë kësaj periudhe, janë dyfishuar pagat dhe çdo punonjës i qendrave shëndetësore përfiton 14 paga në vit (nga të cilat 2 paga shpërblim). Nga ana tjetër, vetë ISKSH ka realizuar një kontroll më të mirë të fondeve duke lidhur alokimin e tyre me performancën e qendrave shëndetësore. "Gjatë vitit 2009, është rritur përthithja e fondeve nga qendrat shëndetësore për indikatorin e performacën (numri i vizitave) në masën 200 %, krhasuar me fillimin e reformës në vitin 2007", theksoi Hana, duke shtuar se "po t’i referohemi bonusit (pagesa për cilësinë e shërbimit), gjatë këtij viti është realizuar 48 % më shumë se në vitin 2008".
...