Presidenti Zelensky i shqetësuar: Rusia mund të përdorë armë kimike kundër mbrojtësve të Mariupolit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur shqetësimin se forcat ruse mund të përdorin armë kimike në Ukrainë.
Zelensky deklaroi se Rusia po përgatitet për një fazë terrori kundër mbrojtësve të Mariupolit. Më tej, Zelensky iu kujtoi liderëve botërorë se duhej të kishin reaguar shumë më ashpër ndaj agresionit rus.
“Sot pushtuesit lëshuan një deklaratë të re, e cila dëshmon për përgatitjen e tyre për një fazë të re terrori kundër Ukrainës dhe mbrojtësve tanë.
Një nga zëdhënësit e pushtuesve deklaroi se ata mund të përdorin armë kimike kundër mbrojtësve të Mariupolit. Ne e marrim këtë sa më seriozisht të jetë e mundur.
Dua t’u kujtoj liderëve botërorë se përdorimi i mundshëm i armëve kimike nga ushtria ruse, tashmë është diskutuar. Dhe do duhej të reagonim ndaj agresionit rus shumë më ashpër dhe më shpejt”, deklaroi Zelensky, raporton The Guardian./rtsh.al/