E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekoron tre poetët e antidiktaturës

10/05/2010 Përkujtohen të përndjekurit nga komunizmi, nderim për Nelën, Blloshmin dhe Pipën

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të dekorojë pas vdekjes poetët Havzi Nela, Vilson Blloshmin dhe Myzafer Pipën në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Ceremonia do të zhvillohet gjatë pjesëmarrjes së kreut të shtetit në aktivitetin përkujtimor dhe ekspozitën e organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Këtë përkrahje institucionale që numri një i shtetit do të japë sot për këta tre opozitarë të komunizmit, e premtoi një muaj më parë gjatë një takimi që zhvilloi me një përfaqësi të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Në këtë takim, Presidenti Topi theksoi se krimet e periudhës së diktaturës nuk mund të dënohen vetëm me retorikë. Në atë takim Topi mori si dhuratë në shenjë vlerësimi librin e autorit Bedri Blloshmi të titulluar “Fabrikimi i vdekjes”, në të cilin botohet e plotë historia tragjike dhe dosjet e Sigurimit për poetët e ekzekutuar në mënyrë makabër nga diktatura komuniste, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ai e siguroi sekretarin e Përgjithshëm, Besim Ndregjoni, të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Bedri Blloshmin, vëllanë e poetit të ekzekutuar nga regjimi komunist për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore për rehabilitimin dhe riintegrimin e kësaj shtrese në të gjitha aspektet e jetës shoqërore të vendit. Ndërkohë që në shkurt të këtij viti, përkrah letrarëve Agron Tufa, Ardian Vehbiu, Floresha Dado, Afrim Koçi, Ben Blushi, Eir Plasari, Edmond Tupja, Romeo Çollaku dhe Virgjil Muçi, edhe Vilson Blloshmi ishte fitues i çmimit të letërsisë që ndau Ministria e Kulturës. Poetit Vilson Blloshmi iu dha çmimi “Lasgush Poradeci” për botimin e plotë të poezive të tij, çmim i cili vlerëson përpjekjet për emancipimin estetik të artit të poezisë, duke sfiduar banalitetin e regjimit nën të cilin krijoi. Ai së bashku me Genc Lekën, të dy mësues dhe poetë të talentuar, u pushkatuan nën akuzat “krim, sabotim ekonomik, agjitacion dhe propagandë”. Ndërsa Myzafer Pipa është quajtur si njeriu që pati kundërshtuar tri diktatura: fashisten, nazisten dhe më të ashprën ndër to, komunisten, diktaturë e cila edhe do t’i merrte jetën, kur ishte veç një djalë 31 vjeç. Ka qenë qershori i vitit 1945, koha kur edhe në Shkodër do të hapeshin “gjyqet e popullit”, dhe ku Myzafer Pipa, me një kurajë të pashembullt civile do të mbronte shumë viktima të pafajshme, për t’u bërë më pas protagonist i atyre gjyqeve. Dhe poeti kryengritës Havzi Nela ishte njëri nga ata që s’u pajtua asnjëherë me sistemin e komunizmit, sistem nga i cili do të bënte 20 vjet burg dhe më pas do të merrte dënimin kapital me varje. Po sot, në ambientet e Presidencës, kreu i shtetit do të dekorojë akademikun kosovar, Sabri Hamitin dhe dy orë më pas do të japë një pritje po në Presidencë me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

Havzi Nela (1934-1988)

Poeti nga Kollovozi i Kukësit, për shkak të kundërshtive të tij ndaj komunizmit bëri 20 vjet burg dhe në 1988-ën iu dha dënimi kapital me varje. Në maj 1967-ës u dënua me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja me 10 vjet. Në 1975-ën ridënohet me 8 vjet heqje lirie.

Vison Blloshmi (1948-1977)

Poeti Vilson Blloshmi (1948-1977) u ekzekutua me pushkatim bashkë me Genc Lekën (1943-1977), më 17 korrik 1977, në Përroin e Firarit, nën majën e malit të Zgarës, dhjetë kilometra larg Librazhdit. Në shkurt të këtij viti ai mori çmimin “Lasgush Poradeci” nga Ministria e Kulturës.

Myzafer Pipa

Ai u pushkatua para 63 vjetësh nga regjimi komunist, në kryengritjen e Postribës, Shkodër, së bashku me dhjetëra burra të tjerë, mes të cilëve Jup Kazazi, Prek Cali, Riza Dani, Osman Haxhiu, Murat Haxhiu, Rasim Koksi, Ymer Beqiri, Elez Bajrami, Ymer Zeneli, Gaspër Pali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›