E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësira ekonomike e transport falas për rikthimin e nxënësve

10/05/2010 Braktisja e bankave të shkollës në nivel të lartë

Kushtet e vështira të jetesës dhe varfëria janë shkaku kryesor që po mbajnë ende në shifra të larta numrin e nxënësve që braktisin bankat e shkollës. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit pohojnë se tashmë po ndërmerren masa për afrimin e kësaj kategorie pranë arsimit të detyruar, jo vetëm duke siguruar bazën e nevojshme materiale falas, por edhe duke krijuar lehtësira në transport për zonat e largëta. Sipas të dhënave të publikuara pak kohë më parë nga sindikatat e arsimit, është pohuar se vetëm në kryeqytet mbi 5 mijë fëmijë janë detyruar të braktisin shkollën, për t’iu bashkëngjitur forcave të punës. Kryesisht këta fëmijë u përkasin banorëve të ardhur nga zonat veriore e verilindore të vendit, të cilët përballen edhe me kushte të vështira ekonomike. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, ka pohuar se për të ulur këtë tregues do të zbatohen lehtësira ekonomike dhe ato në transport. "Për rreth 2598 fëmijëve që kanë shfaqur probleme në këtë drejtim, u ofrohen orë të veçanta për t’i ndihmuar ata të kapin ritmin e kohës dhe të aftësisë në përvetësimin e procesin mësimor. Ndërsa për 5895 fëmijë të familjeve të varfra është vepruar me sigurimin e librave falas. Shkak për braktisjen e mësimit është dhe largësia e shkollave në zonat rurale. Për këtë arsye u bashkëbisedua me komunat dhe bashkitë dhe aktualisht kemi 109 nxënës që marrin shërbime nga shoqata të cilat u shërbejnë me transport", ka pohuar Malaj. Nga monitorimet e kryera rezulton se numri më i lartë i nxënësve që braktisin bankat e shkollës shënohet te familjet rome. Për këta të fundit po aplikohet dhe mësimi në dy gjuhë. "Është bërë bilinguizmi i kopshteve rome, midis gjuhës rome dhe shqipes, sepse kjo ka qenë një nga shkaqet pse braktiseshin shkollat, sepse kur vinin në mësim, nuk e kapnin qartësisht gjuhën shqipe dhe e kishin të vështirë të integroheshin në të", ka shtuar Malaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›