Presidenti egjiptian zemëron Damaskun

Në Teheran po mbahet samiti i vendeve anëtare të lëvizjes neutrale, traditë e mbetur që nga vitet 1960 si kundërpeshë e Luftës së Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimit Sovjetik.
Në këtë samit 2-ditor, marrin pjesë përfaqësues nga 50 vende të ndryshme. Mes tyre, për herë të parë që nga viti 1979, në Teheran ndodhet edhe presidenti egjiptian, Mohamed Morsi. Fjala e presidentit egjiptian, të dalë nga zgjedhjet e para të lira në vend pas revolucionit që i dha fund regjimit të Mubarakut, shkaktoi zemëratën e delegacionti sirian.
Morsi kritikoi ashpër regjimin e presidentit Bashar al-Assad duke e quajtur atë një regjim që ka humbur legjitimitetin e qeverisjes së popullit sirian, mbështetja ndaj të cilit, sipas tij, është një detyrë e cdo vendi.
“Shprehim solidaritetin tonë me popullin sirian kundër një regjimi gjakatar që ka humbur legjitimitetin e tij. Është detyra jonë etike, morale po ashtu dhe politike e strategjike të mbështesim popullin sirian në këto ditë të vështira që po kalon. Të gjithë ne duhet të solidarizohemi me një popull që kërkon liri dhe drejtësi e ta shndërrojmë këtë solidarizim në një thirrje të qartë politike për një tranzicion paqësor drejt demokracisë”, tha Morsi.
Menjëherë pas këtij fjalimi, delegacioni braktisi sallën në shenjë proteste ndaj presidentit egjiptian.