Presidenti i Jemenit Saleh niset për në Amerikë

Agjensitë e lajmeve të Jemenit thonë se presidenti Ali Abdullah Saleh, pas një ndalese të shkurtër, është larguar nga Omani për t`u nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një trajtim mjekësor.
Saleh u largua dje nga Jemeni, një ditë pasi parlamenti miratoi një ligj që i jep atij imunitet të plotë nga ndjekja penale, në këmbim të dorëheqjes, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga fqinjët e Gjirit.
Salehi, i cili ka sunduar që 33 vjet në Jemen, për muaj të tërë kishte refuzuar të nënshkruante një plan për transferimin e fuqisë, pavarësisht protestave që filluan para më shumë se një viti, që kërkonin dorëheqjen e tij.
SHBA-ja ka konfirmuar se ka lëshuar një vizë për Salehin, por që thotë se viza ia kushtëzon atij qëndrimin në vend vetëm deri në përfundim të trajtimit mjekësor.