E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Komisionit Europian mesazh urimi presidentit Nishani

Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso i ka derguar një mesazh urimi presidentit të zgjedhur të vendit tonë Bujar Nishani. Në mesazh shkruhet se ky është një moment i rëndëisishëm dhe vendimtar  për rrugën europiane të Shqipërisë. 
“Reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të shënuar progres në rrugën drejt Bashkimit Europian, kërkojnë konsesus dhe mbështetje, koherencë dhe punë konstruktive nga të gjitha institucionet dhe partitë politike”, theksohet në mesazhin e Presidentit të KE-së për presidentin Nishani.  
Barroso i drejtohet presidentit të zgjedhur Nishani duke i kujtuar që si president, që përfaqëson unitetin e popullit në linjë me Kushtetutën, do të kete një rol thelbësor për të siguruar një klimë politike të butë e të qëndrueshme si dhe në forcimin e pavarësisë dhe profesionalizmit të institucioneve kyçe shtetërore sidomos në fushën e drejtësisë.
 “Një bashkëpunim i ngushtë dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike, në mënyrë të veçantë për sa i përket përfundimit të implementimit të marrëveshjes politike të muajit nëntor, si dhe një përkushtim i vazhdueshëm, veprime të përgjegjshme dhe me objektiva të qartë nga të gjithë faktorët politikë janë bazat për tu siguruar se të gjitha reformat e nevojshme janë implementuar”, - shkruan kreu i Komisionit Europian, Barroso. 
“Ju uroj sukses për të ndihmuar Shqipërinë të bashkojë përpjekjet e saj për t’u përballur me sfidat që synojnë realizimin e të ardhmes së saj europiane. Komisioni Europian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, përfundon Barroso mesazhin e tij drejtuar presidentit te zgjedhur, Bijar Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›