E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i PE: Shpërbërja e BE, një skenar realist

Martin Shulz

Shpërbërja e Bashkimit Europian është një skenar realist, ndërsa vendet anëtare kërkojnë më shumë fuqi, ksenofobia po rritet dhe po ashtu edhe thirrjet për të rivendosur kontrollin e kufijve.
Kështu deklaroi dje Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulz. Në muajt e fundit ne kemi dëshmuar një sjellje shqetësuese drejt rinacionalizimit: Krerët e shteteve dhe qeverive po i atribuojnë vetes më shumë vendime, duke debatuar dhe duke marrë vendime pas dyerve të mbyllura dhe me mospërfillje për metodat komunitare, theksoi Shulz. Duke folur para Kolegjit të Komisionerëve, ai nënvizoi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Komisionit dhe Parlamentit. Kjo është një shenjë e rëndësishme për të treguar se ne po mbrojmë metodat komunitare me vendosmëri, tha ai. Shulz u ankua se kriza e fundit ka treguar një përshpejtim të krijimit të zonave të lira nga Parlamenti, me anë të Kompaktit Fiskal, një përpjekje për të krijuar një union fiskal përtej kontrollit të parlamentarëve, duke kapërcyer Komisionin, tha ai. Së bashku ne mund ta kundërshtojmë këtë trend drejt rinacionalizimit. Ky zhvillim është shumë i rëndësishëm, ndërsa Franca dhe Gjermania na kërkojnë rifutjen e kontrollit të kufijve: çdo sulm ndaj lëvizjes së lirë është një sulm në themelet e Bashkimit Europian, tha ai para Kolegjit. Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuj, i mbështeti shqetësimet e Shulz, duke paralajmëruar se erërat e populizmit po ndikonin lëvizjen e lirë të personave brenda zonës Shengen, një nga arritjet kryesore të BE-së. Shqetësimet për populizmin janë rritur pas shtimit të mbështetjes së ekstremistëve të djathtë në të gjithë Europën, për shkak të krizës financiare. Tronditja më e madhe erdhi nga fitorja e paparashikuar e Marinë Le Pen në Francë, nga Fronti Nacional, me 17.9 për qind të votave, e cila është kundër BE-së, kundër monedhës së përbashkët, kundër lëvizjes së lirë dhe kundër emigracionit. Dhe për fat të keq, edhe thirrjet e Sarkozisë për rivendosjen e kontrollit në kufij po përkojnë me politikat e saj populiste.

Franko-gjermanët
Franca dhe Gjermania kanë kërkuar dje nga vendet e tjera të Bashkimit Europian vendosjen e rregullave të reja që e bëjnë më të lehtë pezullimin e lëvizjes pa pasaporta brenda BE-së, duke reflektuar shqetësimin e votuesve mbi shkallën e lartë të migracionit. Në një takim të ministrave të Brendshëm në Luksemburg, zyrtarët nga Franca dhe Gjermania argumentuan se vendeve anëtare iu duheshin më shumë fuqi në kontrollin e kufijve për të garantuar siguri në zonën Shengen. Ministri i Brendshëm francez, Klod Gueant, tha se Shengen po lejonte emigrantët ilegalë të arrinin thellë në Europë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›