E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i “Besës” në gjyq. Prova të reja edhe për 2 takime të turkuara

TIRANE - Prokuroria e Tiranës i ka dhënë fund procesit të hetimeve ndaj presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili. Dosja penale, me të gjitha materialet e mbledhura që nga fillimi i muajit nëntor 2012 kur filloi hetimi, është dorëzuar në gjykatë për nisjen e procesit gjyqësor. 

Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, sipas Prokurorisë, akuzohet se ka kryer veprën penale të ‘Paracaktimit të rezultateve në garat sportive’ në nëntë raste. Provat kryesore të Prokurorisë janë përgjimet telefonike, që janë bërë për muaj me radhë ndaj komunikimeve që presidenti i Besës ka pasur me kolegë të tij, por edhe me arbitra, lojtarë e trajnerë. Në këto përgjime, i dyshuari përmendej me emrin “Nexhi”. Dosja penale i është dërguar me postë të akuzuarit dhe avokatit të tij, pasi Bizhdili ka zgjedhur të mos paraqitet në organin e akuzës, edhe pse i janë lënë tri afate për t’u njohur me kërkesën për gjykim.

Ndërkaq, burime pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se janë gjetur prova të tjera për presidentin kavajas. Këto prova u përkasin dy ndeshjeve të fazës së dytë të kampionatit të kaluar, Tomori-Besa(1-0) e zhvilluar më 16 shkurt dhe Besa-Shkumbini (1-1) e luajtur më 24 shkurt. Faktet e reja Prokuroria i ka shtuar në akuzën ndaj Bizhdilit, të cilat e rëndojnë edhe më shumë presidentin kavajas. 

Në këtë mënyrë përfundon hetimi i parë në Shqipëri nga Prokuroria, që bëhet në lidhje me trukimin e ndeshjeve të futbollit. Për herë të parë, një prej njerëzve të komunitetit të futbollit përfundon në gjyq. Presidenti i Besës do të përballet në gjyq me akuzën e “Paracaktimit të rezultateve në garat sportive” në nëntë raste. Disa prej takimeve janë të Kategorisë Superiore, në një kohë që ka edhe ndeshje të kampionateve të moshave. Tashmë, do të shihet ecuria e seancave gjyqësore për të mësuar më pas edhe vendimin e gjykatës për këtë çështje. Presidenti Bizhdili rrezikon deri në 7 vjet burg për akuzën që i ka ngritur Prokuroria e Tiranës.

Bizhdili: Akuzat e Prokurorisë janë boshe
Në lidhje me akuzën që ka ngritur Prokuroria e Tiranës ndaj presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, ky i fundit në prononcimet e tij në “Panorama Sport” ka deklaruar: “Është një akuzë boshe, pa asnjë të vërtetë brenda. Flitet për disa ndeshje, të cilat unë i paskam trukuar, ndërkohë që në realitet mjafton të shohësh rezultatet e atyre takimeve dhe krejt natyrshëm vëren se është e kundërta”. Më pas, Bizhdili kalon te ndeshjet e përfolura, duke nisur nga ajo me Apoloninë: “Sipas Prokurorisë unë e paskam trukuar këtë takim nëpërmjet arbitrave dhe disa lojtarëve të Fierit, ndërkohë që unë e kam humbur atë. Tani, më thoni ju mua se si e paskam trukuar, përderisa e kam humbur? Nuk ka sens. E verifikoni skedën e këtij takimi, verifikoni edhe mënyrën se si shkoi ai. Besoj se ka pamje filmike dhe do të vëreni se skuadra ime ka luajtur për të fituar deri në sekondën e fundit”. Në një prej tabulateve telefonike është regjistruar edhe biseda me një lojtar të skuadrës së Besës, Fatjon Sefa, i cili i kërkon Bizhdilit një nder që t’ia linte skuadrës së të rinjve të Lushnjës ndeshjen ndaj Besës. “Atë takim ne e fituam 2-1, paçka se patëm shumë lojtarë që luanin për herë të parë si titullarë. Si mund ta kem trukuar ndeshjen kur e kam fituar, ndërkohë që sipas Prokurorisë duhej t’i bëja një nder lojtarit të skuadrës sime të parë”, – ka thënë Bizhdili. Akuzoheni gjithashtu edhe për ndeshjen Tomori-Besa, e cila është fituar nga beratasit? “Edhe kjo është një tjetër ndeshje, të cilën unë, sipas Prokurorisë, paskam dashur ta trukoj duke dhënë para, por që në fund paska fituar Berati. Si mundet pra të trukoj kur për takimin që flasim skuadra ishte në një pozicion të keq dhe neve na duhej me patjetër fitorja. Kështu që edhe kjo akuzë e prokurorit nuk ka sens”.

Reagojnë klubet: Nuk kemi folur me Bizhdilin
Dy ndeshje të tjera i janë shtuar listët si të tentuara për t’u trukuar nga ana e presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili. Bëhet fjalë për sfidat e fazës së dytë të kampionatit të kaluar, Tomori-Besa (1-0) dhe Besa-Shkumbini(1-1), të cilat janë luajtur në shkurt. Hetimet e Prokurorisë dhe përgjimet e telefonit të Bizhdilit kanë nxjerrë në pah edhe këto dy ndeshje pas shumë të tjerave që janë tashmë në dosje.
Shkumbini I pyetur në lidhje me këtë çështje, shefi i klubit të Shkumbinit, Astrit Isaji, ka deklaruar: “Di të them se Nexhat Bizhdili nuk ka kontaktuar asnjë prej drejtuesve të Shkumbinit. Ndoshta ai ka folur me ndonjë lojtar të veçantë dhe i ka kërkuar tolerim. Për këtë nuk di të flas me siguri. Megjithatë, dua të them se është zhvilluar një takim i fortë dhe ne arritëm të barazonim 1-1. Pavarësisht të gjitha këtyre, ne si klub jemi njohur me çështjen ‘Bizhdili’ nëpërmjet shtypit dhe jemi në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor. Çfarëdo vendimi që të marrë gjykata, ne do ta depozitojmë ankesën tonë në Federatën Shqiptare të Futbollit për ndëshkim nga ana sportive. Do ta bëjmë këtë, pasi Bizhdili ka punuar në kurriz të Shkumbinit që solli edhe zbritjen e ekipit në Kategorinë e Parë. Do ta ndjekim çështjen deri në fund”, – shprehet në prononcimin e tij shefi i klubit peqinas, Isaji.
Tomori I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport” dhe i pyetur në lidhje me çështjen “Bizhdili” dhe përmendjen e skuadrës së Tomorit në tabulatet telefonike, trajneri i skuadrës beratase, Madrid Muxhaj, është shprehur: “Po ju them me garanci se nuk ka pasur asnjë kontakt nga ana e presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, me drejtuesit e Tomorit. Nuk është e vërtetë ajo çfarë pretendohet. Neve na duhej medoemos fitorja në atë takim, pasi luftonim për mbijetesë. Di të them se është zhvilluar një ndeshje shumë e fortë dhe se kemi luftuar pa kompromis. Ju garantoj edhe një herë se nuk ka pasur asnjë lloj kontakti”, – shprehet trajneri i Tomorit në prononcimin e tij. Të dyja skuadrat, si Shkumbini, ashtu edhe Tomori, nuk arritën që të mbijetonin në Superiore në përfundim të kampionatit.

Çfarë tha Armand Duka për hetimet
Në lidhje me hetimin që ka bërë Prokuroria e Tiranës ndaj presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, të cilin e akuzon për trukim të ndeshjeve, është pyetur disa herë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka thënë: “Është një hetim që e ka nisur Prokuroria dhe ne nuk jemi lajmëruar dhe as nuk jemi vënë në dijeni për këtë çështje. Nëse organi i akuzës do të kërkojë bashkëpunim, ne jemi të gatshëm që të punojmë me ta dhe të vendosim në dispozicion për gjithçka që mund t’u nevojitet. Ne si FSHF jemi të gatshëm në çdo moment për të luftuar trukimin e ndeshjeve, që është një fenomen negativ”, – ka deklaruar për këtë çështje presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Çfarë po ndodh me trukimet në Shqipëri
U deshën disa sezone të mbushura me akuza, rezultate që mësoheshin një javë përpara se të luheshin ndeshjet, futbollistë që ecnin dhe koeficiente të çuditshme që lëviznin brenda pak minutash, që më në fund në Shqipëri të lëvizte diçka në lidhje me trukimin e ndeshjeve. Futbolli shqiptar prej disa vitesh është i mbërthyer nga mosbesimi dhe hidhen dyshime të forta në çdo takim. Megjithatë, hapat e parë janë hedhur. Kështu, disa javë më parë, Komisioni i Etikës pranë FSHF-së vendosi të ndëshkojë me 15 milionë lekë të vjetër Kastriotin dhe Bylisin për komplotim të rezultatit të ndeshjeve. Ky ishte dënimi i parë në Shqipëri për sa i përket trukimit të një ndeshjeje futbolli. Gjithashtu, Komisioni i Etikës pezulloi edhe trajnerin dhe lojtarët e ekipit kombëtar të futsallës, duke i çuar madje edhe për ndjekje penale në lidhje me trukimiin e një ndeshjeje ndërkombëtare. Më pas vjen hetimi i Prokurorisë së Tiranës ndaj presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili. Dosja e tij është plotësuar tashmë dhe dje ka nisur gjyqi. Disa ditë më parë, po nga komisioni pranë FSHF-së, u pezullua gjyqtari Ervis Peza, deri në përfundim të hetimeve për trukim të rezultateve të ndeshjeve.

Ja ndeshjet e dyshuara si të trukuara
Deri tani, pesë janë ndeshjet e dyshuara si të trukuara në bazë të zbardhjes së tabulateve telefonike të presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili. Bëhet fjalë për tri ndeshje të Kategorisë Superiore, Apolonia-Besa(2-1), Tomori-Besa(1-0) dhe Besa-Shkumbini(1-1). Në listë janë edhe dy ndeshje të kampionatit të moshave, Lushnja-Besa(1-2) për 17- vjeçarë dhe Dinamo-Besa(1-0) po për këtë moshë. Këto takime dyshohen si të trukuara pas përgjimeve telefonike që i janë bërë presidentit kavajas. Prokuroria e Tiranës e ka mbyllur tashmë dosjen dhe dje ka nisur procesi gjyqësor. Gjithashtu, gjatë telefonatave të Bizhdilit janë përmendur edhe shumë emra futbollistësh të Superiores dhe gjyqtarësh. Madje, disa prej arbitrave janë marrë në pyetje nga Prokuroria për këtë çështje.

Ligji, dënim me shtatë vjet burg
“Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”. Kështu, thuhet në ligjin kundër trukimeve, i cili u miratua në Parlament para katër vitesh, pas iniciativës për një futboll “me këmbë të pastra”, i cili synoi rishikimin e ligjit për të frenuar fenomene si trukime, shitje, apo fiksime të rezultateve. Gjithsesi, nga ajo kohë, ky ligj nuk është implementuar, qoftë edhe një herë të vetme.

NDESHJET E DYSHUARA
KATEGORIA SUPERIORE
APOLONIA-BESA 2-1
SHËNUES: Ribaj 76′ (p), Papa 80′/ F.Sefa 25′
TOMORI-BESA 1-0
SHËNUES: Muxhaj 33′
BESA-SHKUMBINI 1-1
SHËNUES: Bajaziti 12′/ Lluca 64′ (p)

KAMPIONATI I MOSHAVE
U-17/ LUSHNJA-BESA 1-2
SHËNUES: Jonuzi 50′/ A.Kapidani 25′, Rroci 69′
U-17/ DINAMO-BESA 1-0
SHËNUES: Xhabrahimi 30′
BESAR BOZGO

(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›