E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku Bici: Zyrtari i Mbrojtjes më kanosi me armë. PD: Shpifje

biciGramsh- Është rregjistruar incidenti i parë elektoral në qarkun e Gramshit. Punonjësit e bashkisë së këtij qyteti janë kërcënuar me armë nga punonjës të policisë.

Sipas njoftimit nga kryetari i bashkisë së Gramshit zotit Dritan Bici, fillimisht, vetë ky i fundit është konfliktuar më punonjësit e policisë dhe më pas janë kërcënuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Mbështetjes dhe Shërbimeve pranë ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlqim Berisha.

I kontaktuar me telefon nga Gazeta IDEA, kryetari i bashkisë së Gramshit Dritan Bici u shpreh:

Unë kam nxjerrë një urdhër bashkiak që përcakton vendet ku do të vendosen posterat dhe flamujt e partive politike për zgjedhjet e 23 qershorit. Në urdhër kam përcaktuar se krahu i majtë i rrugëve të qytetit do të përdoret nga partitë e majta për të vendosur flamuj dhe postera, ndërsa krahu i djtathë i rrugëve të qytetit do të përdoret për partitë e djathta. Militantë të Partisë Demokratike kanë vendosur mbrëmë natën flamuj të PD-së në krahun e majtë të rrugës që është përcaktuar për Partinë Socialiste. Sot policia bashkiake ka nisur të heqë flamujt e PD-së në krahun e majtë, por është ndaluar nga Çim Berisha, Drejtor Ekonomik pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Unë u ndodha aty dhe ndërhyra dhe i kërkova që të lejonte punën e policisë bashkiake, ai më tha që ‘nuk dua tja di, nuk më intereson dhe nxori pistoletën gati sa për të gjuajtur’. Por i kapën dorën dhe nuk e lanë të qëllonte. La pistoletën dhe u konfrontuam me grushta. Unë dhe ai. Pasi u mblodhën shumë njerëz ai u largua për në komisariat,- tha për IDEA-n Bici.

Ndërkohë pas deklaratave të zotit Bici ka reaguar Partia Demokratike në Gramsh, duke përgenjështruar deklaratat e kryebashkiakut e theksuar se ka qenë Bici që ka hequr me dhunë flamujt e se ngjarjen e kanë raportuar tek misioni i OSBE-ODIHR-it.

“Partia Demokratike, dega Gramsh përgënjeshtron pretendimet e Kryetarit të Bashkisë se është kërcënuar me armë nga ndonjë veprimtar i Partisë Demokratike.  Ai së bashku me një grup militantësh të Partisë Socialiste kanë hequr dhunshëm flamujt dekorues të Partisë Demokratike, madje vetë kryetari i Bashkisë ka goditur personalisht me grushta një prej aktivistëve të Partisë Demokratike. Partia Demokratike, dega Gramsh ka raportuar dhunën e ushtruar tek OSBE/ODIHR dhe tek autoritetet kompetente. Nga ana e Partisë Demokratike në Gramsh, po bëhen të gjitha përpjekjet për të zhvilluar një fushatë zgjedhore qytetare siç u ka hije qytetarëve të Gramshit, ndaj ftojmë Partinë Socialiste të qëndrojë së bashku me ne për një palë zgjedhje të qeta, të lira, demokratike e të ndershme”,-thuhet nw deklaratën e PD-së Gramsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›