Zgjedhjet e ‘Rithemelimit’: Zgjidhen kryetarët e degës Maliq, Belsh, Vorë, Krujë e Tiranë dega 14

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njofton që është mbyllur procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit në PD Dega 14 Tiranë, Vorë , Belsh, Maliq dhe PD Krujë.
Në degën e PD-së në Krujë, mes 5 kandidaturave, kryetar është zgjedhur Xhevair Bilja, me 41% të votave. Ndërsa në Tiranë, dega 14, kryetar është zgjedhur Besim Kuka, me 78% të votave.
Në Vorë, kryetar i degës është zgjedhur Pëllumb Brusha me 80% të votave.
Nevjon Kodrasi është zgjedhur kryetar i degës së PD-së në Maliq, me 89% të votave, në zgjedhjet e zhvilluara nga Komisioni i Rithemelimit.
Ka përfunduar procesi i votimit dhe për zgjedhjen e kryetarit të degës së PD-së në Belsh. Me 94% të votave është zgjedhur Flamur Cani.
Komisioni i Rithemelimit ka reaguar për zgjedhjet e kreut të Bulqizës të cilat u anuluan. Rithemelimi thotë se këto zgjedhje u anuluan pasi nuk u arrit një dakordësi mes kandidatëve. Në njoftim bëhet me dije se zgjedhjet në këtë degë do të zhvillohen ditën e martë, më 26 prill.
“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njofton që zgjedhjet për Kryetar në pesë degët e PD po vijon normalisht, e pa probleme. Interesi i anëtarësisë është i madh duke krijuar shpesh herë edhe fluks në qendrat e votimit.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njofton që sot ishin planifikuar zgjedhjet për Kryetar të PD Dega Bulqizë.
Për shkak se nuk u gjet frymë konsensuale për procedurat e zgjedhjeve, u vendos që në këtë degë zgjedhjet të organizohen ditën e martë. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale do njoftojë në vijim për datën e re të organizimit të zgjedhjeve në PD Dega Bulqizë”, thuhet në njoftim.