Zgjedhjet në PD, Berisha voton për kreun e degës 2 Tiranë: T’i japim fund kryetarokracisë në parti! Njohja e ankimimit të Alibeajt, akt i shëmtuar i gjykatës

Komisioni i Rithemelimit po zhvillon votimet për disa kryetar degësh të PD, ku një prej tyre është edhe dega nr.2 në Tiranë. Votën për kryetarin e kësaj dege e ka hedhur edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi këtë proces votimi revolucionar dhe që do i jap fund kryetarokracisë në PD.
Berisha foli edhe për vendimin e Gjykatës së Tiranës ku njohu ankimimin e Enkelejd Alibeajt, i cili kërkon zhbërjen e vendimit që regjistroi statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 të thirrur nga ish kryeministri. Për Berishën, vendimi i gjykatës ishte akti më i shëmtuar në vendimmarrjen e saj.
Një koment Berisha e pati edhe për ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, të cilën e akuzon se po ndërhynë te gjykata lidhur me statutin e PD, duke thënë se për këtë do të informojë autoritetet e SHBA.
“Uroj nga zemra çdo demokrate e demokrat të 14 degëve të PD që firmosin sot me votën e tyre kryetarin e ardhshëm të degës së Partisë Demokratike dhe njëherazi fundin e kryetarokracisë në PD. Firmosin vendimmarrjen me votën e lirë vendimmarrjen e kësaj partie. Kjo është arritje historike, është procesi më demokratik i cili do të qëndrojë gjithnjë në themelet e Rithemelimit të PD, si një forcë e fuqishme, konservatore, por theksoj se këto demokratë firmosin sot me votën e tyre opozitën e vërtetët shqiptare. Vetëm një opozitë e vërtetë mund të qëndrojë përballë një narko shteti dhe diktature të bazuar në drogën apo ideologjinë. Një njeri që ka minimumin e karakterit nuk i lejon vetes akte të tilla. Gjykata shpalli palë atë që në mënyrë absolute nuk ishte palë, shkroi ligjin në aktin më të shëmtuar të CV së saj. Ky revolucion nuk ndalet nga asgjë. Nuk besoj se ky është një orientim, një parim i vendit të saj të madh të lirisë, ky është akt individual për të cilin ne do informojmë autoritetet e SHBA”, tha Berisha.
Në degën nr.2 të PD në Tiranë janë në garë 3 kandidatë Dritan Gazidedja, Irma Marku dhe Ylber Gjeta, mes të cilëve demokratët do të zgjedhin kryetarin e ri të degës.
/rtsh.al/