Presidenti i ri, Meta: Takimi Berisha-Rama do përshpejtonte procesin

Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar sot se një takim mes kryeministrit berisha dhe kreut të PS-së Edi Rama do të bënte të mundur përshpejtimin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Duke folur në Komitetin drejtues të LGI-së, Meta i është referuar sërish procesit të përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit duke theksuar se nuk duhet të humbet kohë me paragjykime.
“Kam kërkuar të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe kam apeluar për takim Rama-Berisha në mënyrë që paragjykimet që burojnë nga distanca të shkrihen e të ecët në rrugë të mirë një zgjedhje dinjitoze e presidentit të ri dhe mbyllje e reformave. Një takim Berisha Rama do ndihmonte përshpejtimin e procesit, nuk kemi pse të humbasim ditë e javë në një situatë pritje se çdo minutë është e çmuar, vendi ka nevojë për shumë reforma”, shtoi Meta.
Meta e ka cilësuar procesin e zgjedhjes së presidenti si jopartiake dhe mundësi shumë të mirë për të realizuar një konsensus të gjerë që është i domosdoshëm për jetën politike dhe institucionale.
“Është për të ardhur keq kur dëgjojmë paragjykime të pamenduara mirë që në vend t`i shërbejnë procesit të ndërtimit të një konsensusi ndihmojnë për të krijuar mure të panevojshme, është e rëndësishme të hiqet psikologjia e refuzimit apo bllokimit. Duhet të ecim drejt një figure që paraqet vlera të konsoliduara dhe i shërben funksionimit të institucionit të presidentit dhe besoj se duke u çliruar nga paragjykimet i kemi mundësitë të ecim në rrugën e duhur dhe ta kurorëzojmë me sukses raundin e dytë”- tha Meta.