Presidenti i ri gjerman duhet të zgjidhet deri në fund të qershorit
Pas dorëheqjes së papritur të Presidentit gjerman Horst Kohler, asambleja federale duhet të zgjedhë deri në 30 qershor, pasuesin e tij. Në asamble sipas llogaritjeve të ekspertëve dominojnë Unioni CDU-CSU dhe liberalët e FDP-së. Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se kandidati duhet të ketë edhe mbështetjen e opozitës. Köhler dha dorëheqjen të hënën për shkak të kritikës ndaj deklaratave të tij për misionin e ushtrisë gjermane në Afganistan. Në një intervistë të tij, Kohler kishte argumentuar misionet ushtarake jashtë vendit edhe me interesa ekonomike. Më pas Köhler kishte sqaruar se nuk ishte fjala për misionin në Afganistan. Deri në vendimin për një pasues të Köhlerit, funksionet zyrtare të presidentit kryhen nga kryebashkiaku i Bremenit Jens Böhrnsen, i cili është president i Këshillit të Landeve.
Ndërkaq politikanë nga koalicioni qeveritar dhe opozita në Gjermani reaguan me keqardhje pas dorëheqjes së presidentit gjerman Horst Kohler. Kancelarja gjermane duke shprehur keqardhjen tha se nuk arriti ta bindë presidentin të mos e ndërmerrte këtë hap. Në të njëjtën kohë ajo hodhi poshtë akuzat se nuk e kishte marrë sa duhet në mbrojtje Köhlerin pas kritikave ndaj deklaratave të tij. Edhe zëvendëskancelari Guido ëesterëelle ishte përpjekur më kot të bindte presidentin të mos jepte dorëheqjen. Kryetari i grupit parlamentar të partisë "E majta" Gregor Gysi, deklaroi se e konsideronte dorëheqjen e Köhlerit një reagim të tepruar.