Presidenti i ri i Francës përballë provës së parë jashtë vendit

Presidenti i ri i Francës, Francois Hollande, vjen në Shtetet e Bashkuara sot, vetëm pak ditë pasi bëri betimin. Francois Hollande erdhi në postin e presidentit këtë javë, me premtimin për të bashkuar Francën dhe për të zgjidhur problement ekonomike të vendit. Kabineti i tij i majtë filloi nga puna dje, por aktivitetet e para të Presidentit Hollande po zhvillohen jashtë vendit.
Disa orë pas ceremonisë së betimit, zoti Hollande shkoi në Berlin për të zhvilluar bisedimet e tij të para me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, partneri më i rëndësishëm evropian i Francës. Megjithatë deklaratat për unitet, mes dy vendeve ka mjaft divergjenca.
Hollande është zotuar për rritjen ekonomike të Francës, krahas masave shtrënguese ekonomike për të atakuar krizën evropiane të borxheve.
Hollande ka përballë një provë tjetër në Shtetet e Bashkuara, ku ai do të zhvillojë bisedime sot me Presidentin Barak Obama. Ai do të marrë gjithashtu pjesë në takimin e nivelit të lartë të G8 dhe të NATO-s dhe do t`u japë rastin udhëheqësve botërorë të takohen me presidentin socialist francez, i cili është pak i njohur jashtë Francës.
Analistët thonë se zoti Hollande do të demonstrojë një stil të ndryshën nga ai i parardhësit tëtij, Nikolas Sarkozi. Në Francë, zoti Sarkozi u quajt “Sarko amerikani”, të cilit i pëlqenin pijet e buta dhe hamburgerët. Ish udhëheqësi francez ishte në krye të përpjekjeve për të atakuar krizën e borxheve të Evropës dhe për fushatën e NATO-s në Libi.
Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Çikago, Hollande do t`i duhet të mbrojë vendimin e Francës për tërheqjen e parakohëshme të trupave nga Afganistani. Por ai vendim u mor nga Nikolas Sarkozi. Strategjitë pro rritjes ekonomike të Evropës që ka Hollande ka të ngjarë të mirëpriten nga Uashingtoni, i cili mbështet masa të ngjashme.