E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Hollande-Cameron për ekonominë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron dhe Presidenti i Francës, Francois Hollande, do të takohen ditën e shtunë gjatë takimit të G8-s, që është duke u zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hollande, i cili nisi detyrën e tij me një vizitë në Berlin me Kancelaren Angela Merkel, do të takohet më parë edhe me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.

Takimi midis liderit francez dhe atij britanik pritet që të fokusohet në krizën e Eurozonës dhe masat që po merren për tejkalimin e saj.

Në një deklaratë të Londrës zyrtare, shkruhej se “pritet që të realizohet një shkëmbim i drejtëpërdrejtë opinionesh në lidhje me sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të të dy vendeve”.

Një tjetër çështje e rëndësishme në bisedime pritet të jetë edhe ajo e Afganistanit.

Pritet që Cameron të ushtrojë presion ndaj Hollande për të kthyer vendimin e largimit të 3 400 trupave franceze nga vendi dy vjet përpara përfundimit të afatit.

Në periudhën e presidentit Sarkozy, Franca dhe Britania krijuan një lloj distance mes tyre pas vendimit të Londrës për të qëndruar jashtë paktit për Europën të udhëhequr nga Parisi dhe Berlini.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›