E Shtunë, 31 Tetor 2026

G8, Thirrje për trajtimin e çështjeve të urisë dhe varfërisë

Presidenti i Shteteve të Bashkura, Barak Obama, është mikpritësi e dy takimeve të nivelit të lartë njeri pas tjetrit, ku Afganistani, Irani dhe ekonomitë botërore pritet të jenë temat kryesore që do të diskutohen.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Tom Donilon, informoi gazetarët për takimin e G-8s që do të zhvillohet jashtë Uashingtonit sot dhe nesër, dhe për takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Çikago që do të mbahet të djelën dhe të hënën.

Danilon tha se udhëheqësit botërorë pritet të diskutojnë për tregjet botëore të naftës, kur të mblidhen në takimin e nivelit të lartë të G-8 në vendpushimin presidencial Kemp Dejvid. Ai tha se udhëheqësit ka të ngjarë të zhvillojnë diskutime për një radhë alternativash për tregjet e naftës, në dritën e sanksioneve kundër Iranit. Ata do të diskutojnë gjithashtu edhe për një sërë çështjesh të tjera nga politika, siguria, ekonomia, e deri tek mjedisi.

Ndërkaq, organizatat humanitare thonë se ato duan që udhëheqësit e 8 vendeve më të industralizuara ta bëjnë sigurinë e ushqimit përparësi kryesore në takimin e tyre të radhës që do të zhvillohet në Camp David të shtetit Merilend më 18 dhe 19 maj të këtij viti.

Në vitin 2009, në takimin e zhvilluar në L`Aquila të Italisë, udhëheqësit e G8-s premtuan 22 miliardë dollarë për një periudhë tre vjeçare për të ndihmuar përmirësimin e sektorit të bujqësisë dhe për forcuar sigurinë e ushqimit. Ata iu përgjigjen krizës së ushqimit e cila filloi më 2008 nga çmimet e larta dhe mungesat në furnizimin të cilat shkaktuan protesta të dhunshme në një numër vendesh.

Takimi i zhvilluar në L`Aquila gjithashtu rezultoi në programin e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, Nisma për Sigurimin e Ushqimit, e cila u mbështet nga 26 vende dhe 14 organizata.

Megjithatë, disa nga organizatat më të mëdha humanitare thonë se pavarësisht nga premtimet dhe përpjekjet që kanë pasuar, duhet bërë më shumë për t`i dhënë fund urisë.

Takimi i vendeve të G8-tës do të zhvillohet në Camp David më 18 dhe 19 maj të këtij viti. Presidenti Obama ka ftuar edhe udhëheqësit e Etiopisë, Ganës, Beninit dhe Tanzanisë që të marrin pjesë në diskutimet mbi sigurinë e ushqimit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›