Presidenti i ri zgjidhet pa opozitën
Viktor Janukoviq ka bërë betimin si president
i ri i Ukrainës. Në fjalimin e tij të parë ai tha se Ukraina është në borxhe të
mëdha, e përshkuar nga korrupsioni, varfëria dhe kolapsi ekonomik. Janukoviq
shtoi se në politikën e jashtme do të mbështetet te Rusia, Bashkimi Evropian,
si dhe Shtetet e Bashkuara.
Janukoviq bëri betimin në Parlament, në një ceremoni modeste dhe pa praninë e
kryeministres Julija Timoshenko dhe përfaqësuesve të partisë së saj. Karriget
bosh nuk e kanë penguar atë që të paralajmërojë një gjendje katastrofe në vend.
Vendi është
në një situatë të vështirë. Nuk ka buxhet për këtë vit. Borxhet janë të mëdha.
Varfëria, ekonomia e shkatërruar, korrupsioni janë pjesë e listës së gjatë të
problemeve që përbëjnë realitetin ukrainas, tha
Janukoviq.
Se në çfarë drejtimi do të shkojë politika e tij e jashtme, është lehtë e
kuptueshme së pari është Moska, pastaj Brukseli, por edhe Uashingtoni.
Lidhjet e Janukoviqit me Rusinë mund të shihen qartë edhe nga fakti që
patriarku i Moskës, Kiril, udhëhoqi liturgjinë para inaugurimit.
Megjithatë, Janukoviq është pragmatist dhe udhëtimin e parë të punës do ta bëjë
të hënën në Bashkimin Evropian, thonë burime nga Unioni.
Më pastaj, sipas njoftimeve nga Kremli dhe partia e tij, ai do të udhëtojë për
në Moskë.
Gjatë fjalimit, Janukoviq i dërgoi mesazh dhe kryeministres Timoshenko, e cila
nuk e pranon fitoren e tij.
Zgjedhjet
kanë përfunduar. E gjithë bota i ka pranuar ato. Populli ka vendosur. Bashkësia
ndërkombëtare ka vlerësuar se Ukraina është vend ku respektohen të drejtat dhe
liritë e njeriut. Vullneti i popullit nuk mund të vihet në pikëpyetje nga
vullneti i keq i dikujt, u shpreh presidenti i ri
ukrainas i cituar nga radio Evropa e Lirë.
Janukoviq u premtoi qytetarëve një jetë më të mirë. Këtë, ai tha se mund ta
arrijë vetëm me një kryeministër të besueshëm. Ai tashmë ka biseduar me
ish-shefin e Bankës Qendrore dhe me dy ministra, të cilët do të mund ta
trashëgonin Timoshenkon.
Me këtë zgjedhje, destabilizimi politik i Ukrainës do të vazhdojë, ashtu
sikurse edhe ndarja në Ukrainë pro-evropiane dhe pro-ruse.