E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët nuk largohen nga Bosnja



Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko, është shprehur se është ende herët ndërkombëtarët të largohen nga shteti ballkanik. Madje Inzko u ka bërë thirrje autoriteteve lokale që të shtohen përpjekjet për reforma.
"Këshilli për Zbatimin e Paqes, i krijuar në Bosnje, një institucion ndërqeveritar ku marrin pjesë 55 vende dhe organizata, që u mblodh Sarajevë është plotësisht i pakënaqur me arritjet e pakta të shënuara që prej mbledhjes së mëparshme në nëntor", deklaroi Inzko.
"është e nevojshme të shtohen përpjekjet për t'iu përgjigjur kritereve paraprake për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar", theksoi Inzko gjatë një konference shtypi në Sarajevë. Sipas kreut të ndërkombëtarëve në Bosnje përpjekjet duhet të bëhen sidomos në fushën e regjistrimit të pronave shtetërore dhe ushtarake, që është një nga pikat e mosmarrëveshjes mes dy entiteteve që përbëjnë Bosnjen, atij serb dhe atij kroato-mysliman. PIC, ose Këshilli për Zbatimin e Paqes, ku marrin pjesë ndër të tjera vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, është i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit, që shënoi përfundimin e luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje.Mbyllja e kësaj zyre është parashikuar që në vitin 2007 nga komuniteti ndërkombëtar, por ky vendim është shtyrë disa herë për shkak të paqëndrueshmërisë politike në vend.Ideja është gjithashtu të transformohet ky funksion, që i bën të mundur ndër të tjera titullarit të tij shkarkimin e të zgjedhurve dhe miratimin e ligjeve, në atë të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›