Presidenti izraelit: Jemi në luftë të hapur me Iranin
Në një intervistë ekskluzive në televizionin CNN, Presidenti i Izraelit, Shimon Perez, u shpreh se vendi i tij është në luftë të hapur me Iranin. Presidenti u intervistua për ngjarjen e fundit në Bullgari, ku një autobus turistësh hebrenj u shpërthye duke u marrë jetën gjashtë personave, dhe akuzave të palëkundura të Izraelit ndaj Iranit dhe Hezbollhaut. Peres deklaroi se Izraeli disponon informata të mjaftueshme solide të zbulimit, për të lidhur atentatin në Bullgari me Iranin dhe me grupin libanez Hezbollah dhe është i bindur se ato planifikojnë sulme të reja si pjesë e luftës së hapur kundër Izraelit. Peres paralajmëroi se Izraeli do të marrë masat e nevojshme për të parandaluar atentate të mëtejshme. I pyetur nëse shpërthimi në Bullgari dhe përpjekjet e tjera për atentat ishin hakmarrje për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iraniane që Irani ia atribuoi Izraelit, Peres tha se vendi i tij asnjëherë nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto vrasje, duke shtuar se “politika e Izraelit ka për qëllim parandalimin e jo hakmarrjen”.