E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, mbërrin Trojka, pritet vendimi për këstin e ri

Rreth 40 specialistë që përfaqësojnë trojkën e kreditorëve të Greqisë, FMN, BE, BQE, mbërritën dje në Athinë për të vlerësuar nëse duhet autorizuar apo jo dhënia e këstit të ri të huas, i cili kap shifrën 31.5 miliardë euro. Vendimi duhet të merret brenda muajit shtator, dhe për këtë qeveria greke duhet të plotësojë plani për gjetjen e burimeve monetare për 3,5 miliardë eurosh, të cilat i mungojnë ende paketës së kursimeve prej 11.5 miliardë eurosh që kreditorët presin të zgjidhë Athina zyrtare. Përfaqësuesit më të lartë të këtij grupi pritet të takohen të enjten me ministrin e Financave, Janis Sturnaras dhe të premten me Kryeministrin Antonis Samaras, për finalizimin e masave që duhet të marrë qeveria greke. Të enjten në Greqi pritet të mbërrijë edhe presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, i cili do të zhvillojë një takim me Kryeministrin Antonis Samaras. Vizita e përfaqësuesve të Trojkës dje u prit me protesta që zgjatën rreth tri orë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›