E Diel, 1 Nëntor 2026

Ban Ki Mun viziton Kosovën, i lë mesazhet në aeroport

Ban Ki Mun dhe Atifete Jahjaga

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, zhvilloi një vizitë dje në Kosovë, duke kërkuar nga autoritetet në Prishtinë përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Takimet me autoritetet e Kosovës, si dhe me gazetarët, Ban Ki Mun i mbajti në aeroportin “Adem Jashari”, duke mos vizituar asnjë prej institucioneve. Gjatë takimit me Presidenten Jahjaga, Ban Ki Mun kërkoi vazhdimin e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ban Ki Mun ka ftuar Serbinë dhe Kosovën që ta zgjidhin mospajtimin kufitar dhe ka theksuar se kufijtë e bllokuar janë të papranueshëm. Ndërsa për akuzat e Dik Martit për trafikim organesh, ai shprehu mbështetjen për hetim të plotë, të paanshëm dhe të pavarur në akuzat e rënda e trajtimit çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore të përfshira në këtë raport.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin me të gjithë partnerët ndërkombëtarë për të arritur qëllimet e përbashkëta për popullin e Kosovës. Në takimin e shkurtër me gazetarët në aeroport, Ban Ki Mun theksoi se duhen ndërmarrë hapa për arritjen e një respekti të ndërsjellë në rajon. Ai ka ftuar të gjitha palët të intensifikojnë punën e tyre në çështjen e personave të zhdukur, duke nënvizuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm. Ban Ki Mun gjatë konferencës për mediat shprehu edhe ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën, më 21 korrik. Më pas, ai u largua për në Manastirin e Deçanit, atë të Pejës dhe në Prizren, duke udhëtuar pas këtyre vizitave për në Maqedoni.

Protesta e VV
Aktivistët e Vetëvendosjes e pritën me protesta vizitën e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun në Prishtinë, duke e akuzuar atë se nuk e njeh Kosovën si shtet dhe se UNMIK ka investuar për ndarjen e Kosovës. Aktivistët shkruan parullën UNFAIR (e padrejtë) në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut, në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë. Pas kësaj ka ndërhyrë Policia e Kosovës duke u hedhur gaz lotsjellës “në mënyrë të pakontrolluar goditën aktivistët me grushte dhe ofendonin pa ndërprerë”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje. Policia e Kosovës ka mohuar të ketë përdorur dhunë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›